Prangoset dhunuesi i 11-vjeçares, abuzoi seksualisht gjatë gjithë vitit
POGRADEC – Pasi e ka përdhunuar një vit në mënyrë sistematike, e mitura ka denoncuar një 25-vjeçar, i cili më pas është prangosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Pogradecit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se ka mbërritur në komisariatin e Pogradecit një denoncim nga prindërit e një shtetaseje të mitur, dhe menjëherë më pas është bërë ndalimi i Stavri Thanës, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 4. Vetë drejtori i Policisë së Qarkut të Korçës, Emri Vata, ka konfirmuar për mediat se viktimë e abuzimit seksual është një vajzë 11-vjeçare nga i njëjti vendbanim, në Lagjja Nr. 4, në qytetin e Pogradecit. Autori i kësaj vepre penale ka qenë i dënuar edhe më parë për përdhunim.
Përdhunimi
Megjithëse ka qëndruar për një periudhë të gjatë kohe në qeli për abuzime seksuale me të mitur, Stavri Thana duket se nuk ka hequr dorë nga epshet seksuale që e rrezikonin ta dërgonin sërish në qeli. Më shumë se një vit më parë, në muajin shkurt të vitit 2008, 25-vjeçari Thana ka arritur të përdorë për qëllime seksuale një të mitur e cila banonte në të njëjtën lagje me të. Fillimisht dyshohet se Thana ka përdorur mashtrimin për ta dërguar në banesën e tij vajzën, e cila ishte vetëm 10 vjeçe, ku ka kryer veprime të turpshme me të. Në polici e mitura ka deklaruar se djali e kishte kërcënuar që ajo të mos tregonte. Ai e çonte atë në shtëpinë e tij, sistematikisht dhe abuzonte seksualisht.
Denoncimi
Për më shumë se një vit e mitura ka duruar përdhunimet e 25-vjeçarit, ndërsa i ka dhënë fund torturës dy ditë më parë. Vajza, bashkë me prindërit dhe në prani të psikologëve, është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Kriminale të Policisë. Dëshmia rrëqethëse e 11-vjeçares ka çuar në qeli 25-vjeçarin vetëm pak orë më pas, me akuzën paraprake të “veprave të turpshme”. Burime nga policia thanë se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi strategjinë e përdorur nga 25-vjeçari për të çuar vajzën e vogël në banesën e tij për më shume se një vit dhe rrethanat që detyruan të miturën të mbante “gojën e mbyllur” për të mos rrëfyer torturat.
20 Prill 2009