Dëshmia e të arrestuarit çon në pranga gardianin e burgut për trafik droge
DURRËS - Një gardian burgu ka rënë në pranga për trafik droge. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit pohojnë se në vijim të operacionit policor të koduar me emrin “Pastiçieri” është ndaluar shtetasi Arif Konja, 47 vjeç, lindur dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë efektiv i policisë së burgut në këtë qytet. Ai akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Burimet bënë të ditur se, mesnatën e kaluar në afërsi të pallatit të Sportit në Durrës, ishte ndaluar shtetasi Besnik Tarko, 39 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen Nr. 7 të Durrësit, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan 16 gram lëndë narkotike e llojit heroinë. Gjatë dëshmisë, Tarko deklaroi se drogën ia kishte blerë 47-vjecarit nga Rrogozhina, Konja, i cili u ndalua të shtunën paradite në qytetin bregdetar. Ditët e fundit në kuadër të operacionit “Pastiçieri”, forcat e policisë së Durrësit kanë ndaluar 6 persona dhe kanë sekuestruar rreth 100 gram heroinë të përgatitur për shitje.
SHKURT
Plagoset 26-vjeçari nga përplasja e motorit me kamionçinën
ELBASAN – Përplasja mes një motori me një kamionçinë ka shkaktuar plagosjen e një 26-vjeçari. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të së premtes, në vendin e quajtur “Ura e Shkumbinit “ në qytetin e Elbasanit. Burime të policisë lokale thanë se “një mjet tip kamionçinë me targë EL 9211A, që drejtohej nga Sherif Lamcja, 33 vjeç, u përplas me një motoçikletë që drejtohej nga 26-vjeçari Gëzim Met’hasa". Sipas burimeve, ky i fundit ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Mësohet se drejtuesi i mjetit është ndaluar, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Vdes 10-vjeçari, piu gabimisht pesticide
ELBASAN- Një pakujdesi e prindërve është bërë shkak që një vajzë 10-vjeçare nga rrethi i Elbasanit të gjejë vdekjen aksidentale. Ajo ka pirë një sasi helmi që përdorej për spërkatjen e rrushit. Burime nga vendi i ngjarjes sqarojnë se viktimë e helmit ka mbetur vajza me inicialet M. S., me banim në fshatin Selicë të komunës Mollas. "Vajza ka gjetur vdekjen në orët e vona të së premtes, por vetëm dje në mëngjes ngjarja është raportuar në polici dhe pas kësaj kanë nisur menjëherë hetimet", - thonë burime të policisë. E mitura ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spitalin e Elbasanit. Të dhënat e para dëshmojnë se vajza ka pirë një helm tip pesticidi që përdoret për spërkatjen e prodhimeve bujqësore, por ende nuk është përcaktuar lloji i tij. Nuk dihet as në çfarë rrethanash e ka konsumuar helmin vogëlushja. Gjithçka pritet të zbardhet më pas, pasi të dalë edhe raporti i autopsisë.
20 Prill 2009