E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA & OSBE: Të përfundojë sa më shpejt Reforma Zgjedhore

27-03-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka vlerësuar dje se Kodi Zgjedhor është mjaft i mirë, por do të duhet që vëmendja të përqendrohet vetëm tek plotësimi i boshllëqeve, ndërkohë që ambasadori i OSBE-së Wollfarth ka ftuar për më shumë besim mes palëve

Komuniteti ndërkombëtar përsëriti dje thirrjen e tij për nevojën e përfundimit pa vonesë të reformës zgjedhore. Apeli për forcat politike në vend, për përfundimin e reformës zgjedhore brenda afateve, por jo vetëm kaq, pasi realizimi i kësaj reforme duhet të plotësojë standardet e kërkuara, erdhi gjatë punimeve të konferencës për “Teknologjitë e Reja në Zgjedhje” dhe “Administrimi i Zgjedhjeve”, ku ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu u shpreh se asgjë nuk duhet të lejohet që të sabotojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013.
I njëjti vlerësim erdhi edhe nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth sipas të cilit zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë e pranueshme. Për ambasadorët Arvizu dhe Wollfarth, respektimi i afateve për përfundimin e saj, mbetet nga pikat kyçe në kuadër të integrimit. Pak kohë më parë, mandati i komisionit të reformës zgjedhore u shty edhe për dy muaj të tjerë deri në fund të prillit. Tani duket se trysnia ndërkombëtare është përqendruar pikërisht për të evituar një shtyrje tjetër.
Javën e shkuar gjatë vizitës në Tiranë drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin europian Stefano Sannino i kushtoi reformës zgjedhore një vëmendje të veçantë.
Në Tiranë dje ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth i mëshuan thirrjes për nevojën e përfundimit në kohë të reformës.
Dy ambasadorët kërkuan respektimin e afateve të reformës, ndërsa u shprehën se nuk inkurajojnë një zgjidhje të minutës së fundit, një vit para testit elektoral. Ambasadorët kanë kërkuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Aleksandër Arvizu
Kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha dje se mbështet finalizimin në kohë të reformës zgjedhore, pasi sipas tij, Kodi është mjaft i mirë ndërsa mbetet të plotësohen boshllëqet. “Kodi Zgjedhor është mjaft i mirë. Detyra e partive politike dhe ekspertëve të angazhuar në diskutimet e reformës, është të plotësojnë boshllëqet”, u shpreh Arvizu,  i cili bëri thirrje për angazhim serioz në mënyrë që të respektohen afatet kohore. “Kodi aktual është bazë e mirë, por ka disa boshllëqe, të cilat duhen realizuar. Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Është shumë e rëndësishme, nga pikëpamja e SHBA që të gjitha palët të jenë të angazhuara jo vetëm për përmbajtjen dhe substancën por të kenë edhe një sens urgjence në trajtimin e rekomandimeve”, tha ambasadori Arvizu. Ai shtoi se “është e rëndësishme që të mos bëhet asgjë që do të sabotonte zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2013”.

Eugen Wollfarth
Nga ana e tij, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha se reforma zgjedhore është një proces kompleks, ndërsa vlerësoi se është bërë progres, por ka ende punë për t’u bërë në mënyrë që reforma mbyllet brenda afatit.
Sipas Wollfarth, zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë. Ai tha gjithashtu se të gjitha palët t’i përqendrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. “Ky është një proces i ndërlikuar që kërkon një debat gjithëpërfshirës në nivel politik dhe teknik. Reforma e Kodit Zgjedhor është e nevojshme, e dëshirueshme dhe, mund të shtoj se, ajo është edhe e arritshme. Vlen të përmendet, jo më pak edhe në këtë rreth të shquar, se reforma po vazhdon dhe se është bërë progres. Sidoqoftë, ka disa çështje shumë të rëndësishme që mbeten ende për t’u diskutuar. Kjo është arsyeja për të cilën nevojitet patjetër që të intensifikohet puna, në mënyrë që Komisioni të mund të ecë përpara me hapa më të shpejtë. Duhen bërë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzohet si duhet afati tashmë i shtyrë, në mënyrë që ai të mos tejkalohet sërish. Gjithashtu, është e rëndësishme që çfarëdolloj reforme të përfundojë në kohë të konsiderueshme para zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, ndonëse koha është një faktor i rëndësishëm, ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja. Le të jemi të qartë se një rezultat cilësor është më i rëndësishëm se çdo proces i miratuar me nxitim. Zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë. U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i përqendrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. Ekzistenca e një vullneti politik dhe besimi të ndërsjellë është thelbësore. Pres me padurim të shoh nga Komisioni zgjidhje jetëgjata dhe në kohën e duhur, të cilat duhet të vijnë si rezultat i një pune konstruktive nga të gjitha palët. Edhe këtu fjala kyçe është: besim!”, u shpreh ambasadori Wollfarth.
Kreu i prezencës së OSBE theksoi gjithashtu se “çdo kod zgjedhor për të cilin do të bihet dakord përfundimisht duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të jetë më pranë angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare. U takon partive politike shqiptare të bëjnë maksimumin për të gjetur zgjidhje për çështjet e ndryshme në mënyrë që t’u ofrojnë më të mirën popullit të tyre, votuesve të tyre”.

Topalli: Shqipëria do ketë Kodin Zgjedhor më të mirë në histori
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i bëri thirrje klasës politike që të plotësojë në kohën e duhur amendamentet e Kodit si dhe të mundësohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Topalli tha se ndër vite Shqipëria ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në çështjet e zgjedhjeve, ndërsa ka ardhur momenti që Kodi i ri zgjedhor të plotësojë çdo boshllëk. “Unë dua të besoj dhe ftoj të gjitha forcat politike parlamentare dhe aktorët e tjerë që të mundësojnë në kohën e duhur dhe me përgjegjësi profesionale amendamente të Kodit Zgjedhor që do të jenë dhe do të certifikohen me standarde më të larta dhe do të plotësojnë shkronjë për shkronjë rekomandimet e OSCE/ODIHR-it për dy zgjedhjet e fundit. Ne kemi bërë ndër vite progres të jashtëzakonshëm në çështjen e zgjedhjeve. Por kjo reformë duhet të shmangë e të plotësojë një herë e mirë çdo lloj boshllëku që mund të kemi pasur në të kaluarën dhe që deri më sot nuk i kemi eliminuar, p.sh votimin familjar, braktisjen e detyrës në disa raste nga administrata zgjedhore, bojkotin, bllokimin”, u shpreh Topalli.
Sipas saj, Shqipëria do ketë në zgjedhjet e 2013-ës, dokumentin më të mirë në histori. Ajo vlerësoi se është bërë përparim domethënës në shumë kapituj të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSCE/ODIHR-it, dhe amendamentet e miratuara deri tani janë vlerësuar dhe certifikuar nga ekspertiza ndërkombëtare.
“Reforma Zgjedhore, e mbështetur në rekomandimet e OSCE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, jam e bindur se do t’i ofrojë Shqipërisë për zgjedhjet e 2013 dokumentin më të mirë në historinë e këtij vendi. Me kënaqësi konstatoj se është bërë përparim domethënës në shumë kapituj të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSCE/ODIHR-it, dhe amendamentet e miratuara deri tani janë vlerësuar dhe certifikuar nga ekspertiza ndërkombëtare. Reforma dhe progresi i deritanishëm është gjithëpërfshirës sepse aktorëve politikë, institucioneve, OJF-ve, organizatave të grave dhe aktorëve të tjerë iu është ofruar përsëri mundësia e dhënies së kontributit konkret e domethënës në kryerjen e saj. Reforma zgjedhore është çështje kyçe në rrugën e integrimit evropian dhe përbën një nga indikatorët e matjes së progresit të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për këtë arsye që në fillim të punës së këtij komisioni kam shpresuar se pas dy viteve te humbura, të gjitha forcat politike do të ngrihen në përgjegjësinë që i kërkon koha, dhe bashkëpunimi i tyre do të shkojë përtej kalendarit politik, interesit individual, por për interesin kombëtar. Baza aktuale ligjore tek të cilat mbështet mbajtja e zgjedhjeve është cilësuar nga ODIHR si Kod Zgjedhor me standarde demokratike”, tha më tej kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›