Kur ishim paganë!
Një studim mbi figurat mitologjike në poemën “Lahuta e Malcis” - Hulumtim në brendësi të poemës fishtjane. Tonin Çobani synon pikësëpari, hulumtimin në brendësi të kësaj ane të poemës fishtjane, duke kaluar nga kërshëria që të jep kënaqësi estetike, deri tek arsyetimi që kërkon studime të thelluara, bashkëkohore për trajtimin e mitologjisë së popujve dhe shkollave të ndryshme, nga mitet anglosaksone deri tek panteoni shqiptar, i cili është zanafilla e fisit të Arbrit
Kur ishim paganë!
Kësaj here fishtologu ynë, studiuesi dhe kritiku Tonin Çobani, i mrekulluar prej lëndës mitologjike të “Lahutës së Malcis”, ia hyn dhe ia del me sukses të hartojë një monografi për të gjitha qeniet mitike të poemës më të madhe epike të shqiptarëve. Siç e thotë autori vetë, ai merr përsipër t`u japë përgjigje edhe disa çështjeve që lidhen me magjinë e verbit fishtjan, me strukturën narrative të veprës së tij, me lirizmin e dozat e satirës, me ndikimet etj. Ai synon pikësëpari, hulumtimin në brendësi të kësaj ane të poemës fishtjane, duke kaluar nga kërshëria që të jep kënaqësi estetike, deri tek arsyetimi që kërkon studime të thelluara, bashkëkohore për trajtimin e mitologjisë së popujve dhe shkollave të ndryshme, nga mitet anglosaksone deri tek panteoni shqiptar, i cili është zanafilla e fisit të Arbrit. Në librin e fundit të Çobanit për mitet shqiptare të epikës së Fishtës, ravijëzohen si në ekran orë e zana, shtojzovalle e floçka, dragonj e shtriga, për të ngritur panteonin e munguar të shtojzovalleve dhe të disa figurave mitologjike në letërsinë shqiptare, për të cilin Ernest Koliqi, bashkëkohanik i poetit, shprehet se është një përpjekje vigane “qi shqiptari bani tash per t`ia zbuluem vetvetes boten e vet”. Ashtu si autori, edhe studiuesi ynë, ngre mbi të gjitha Zanën e Frymëzimit, e cila e shoqëron poetin gjatë gjithë jetës krijuese për të ngritur atë monument letërsie e gjuhe njëkohësisht, siç është poema epike “Lahuta e Malcis’: "Se pa ty, besa, moj Zanë/ Vështirë se`i fjalë unë muj me thanë".
Tonin Çobani ka hetuar dhe ka pohuar që në fillim të monografisë se zanat dhe orët (dhe përgjithësisht figurat mitologjike), nuk vijnë në veprën e Fishtës si mite të gatshme, si mund të mendohet kur etnologët kanë arritur të studiojnë mitologjinë shqiptare dhe ta krahasojnë atë me mitet ballkanike e më gjerë; në veprën e Fishtës ato nuk janë as ndikim i modeleve të njohura letrare të penave të shquara, bie fjala, të Homerit, Virgjilit, Miltonit më vonë apo të ndonjë tjetri; aq më pak orët e zanat e “Lahutës së Malcis” shëmbëllejnë me qeniet mitike të popujve të tjerë të Ballkanit. Kur jetonte e krijonte Fishta, orët ishin një realitet fantastik shqiptar. "Ditën, - shkruan autori i studimit, - malësorët gjallonin me pushkë në krah, natën mbylleshin në kullat e tyre për t`ua lëshuar trojet përreth qenieve mitike, të cilat kishin në dorë jetën e njerëzve, mbarëvajtjen e gjësë së gjallë, shumimin e bereqetit. Secili person ose çdo gjë e gjallë kishte Orën e vet të bardhë ose të ligë. Çdo fis a krahinë kishte Zanën e vet që ishte e bukur "me të verbue", trime "me të çartë". Ky habitat i shqiptarëve, i një bashkëjetese njerëzore me qenie të tilla, nuk ishte vetëm për malësitë shqiptare, por edhe në qytete, si Shkodra, ku fantazia mitologjike ishte e gjallë: netëve me hënë të plotë zanat dhe orët e maleve këndonin dhe hidhnin valle zabeleve më të bukura buzë ujërave, ashtu si ditën malësorët mblidheshin në log (të të Mirave), duke u argëtuar me këngë e valle. Duke lexuar e ndier veprën e T. Çobanit, bindesh pse Poeti i Madh thërret Zanën e Veleçikut, të këndojë së bashku me të në “Lahutë të Malcis” për bëmat e këtyre njerëzve, për jetën e malësorëve epikë të këtyre anëve, në mënyrë që ata t`ia pranonin këngën (sepse ndër shqiptarë ka edhe një kult të këngës, një kult të fjalës së bukur që vjen vetëm si frymëzim i magjishëm prej qenieve mitike), prandaj dhe vargjet e përgjithësisht verbi fishtjan, u shkrinë me shpirtin e malësorëve, me ata heronj që vepronin e bashkëjetonin me orë e floçka në atë masë, sa vargje e këngë të tëra, gjithë poema me dragonj e zana të mësohej përmendësh e të këndohej prej atyre që të Bukurat ua vënë lahutën në dorë dhe ua rreshtojnë fjalët, si të zgjedhur bash prej vetë Shtojzovalleve. Në këtë studim sui generis, në llojin e tij, deri më tani për studimet tona letrare, folklorike dhe etnografike, Tonin Çobani ka vënë në dukje se Zana e Frymëzimit është thirrur në “Lahutë të Malcis” për të mallkuar armikun, për të ngritur në këmbë malësorët në mbrojtje të trojeve të veta, për të mbajtur zgjuar ndërgjegjen kombëtare në momentet më kritike të historisë së shqiptarëve - kjo ana komunikuese - por kjo Zanë frymëzimi është ftuar në vepër edhe si një alter autor, si një alter ego, pasi Fishta nuk këndon me anë të saj vetëm lavdinë e së kaluarës "në të bardhat kohë që kanë kalue", por edhe dhimbjen e vet për gjendjen primitive të jetës sociale të shqiptarit të robëruar e në rrezik të zhdukej! Me anë të kësaj alter egoje, Fishta, i ri dhe në moshë të pjekur, ngrihet dhe shpërthen në vargje befasuese kundër politikës evropiane dhe asaj shovene të fqinjëve të Shqipërisë, që tregoheshin të pangopur e ziliqarë ndaj tokave tona.
Gjergj Fishta, frati i shkolluar brenda dhe jashtë Shqipërisë, i njihte aq mirë mitet biblike, ato greko-romake dhe gjithë letërsinë e shkruar klasike të mbështetur në mitologji: me muza e nimfa të Olimpit, Pegas e Dianë e hyjni të shumta, por në konfliktin mitologjik të paraqitur prej tij, Zana e Frymëzimit është autori tjetër, me të cilin narracioni epik merr përmasa të tjera të reja e kaq origjinale të kumtimit të poetit si rrëfimtar i gjithëdijshëm, por që vetë Zana edhe e dublon në njëfarë mënyre autorin, sidomos për gjëra të padukshme për syrin e poetit. Para lexuesit dalin të gjalla Ora e Shqipërisë (tek kënga "Ali Pasha i Gucisë" ), Zana e Sharrit (tek kënga "Lidhja e Prizrenit"), Orët e Dukagjinit (te "Kuçedra"), Zana e Madhe (te "Tringa"); për t`ua lëshuar vendin dragonjve dhe kuçedrave, lugetërve dhe shtrigave, Floçkës- nuse, Nimfeut të Shëngjinit etj. Ky libër i hartuar në 5 krerë, ka një mbështetje bibliografike të gjerë, me autorët tanë dhe të huaj, të sotëm e të traditës; është shumë origjinal në trajtim, pa munguar edhe polemika e kulturuar, përherë vlerësuese dhe e faktuar në plan krahasues. Vetëm një njohës kaq i mirë e i thelluar i letërsisë dhe i teorisë letrare, si Tonin Çobani, që njeh rryma e korrente të përparuara të mendimit shkencor të kësaj fushe, mund t`ia dalë me sukses nismave të tilla, të cilat duan trajtesa të menduara në planin diakronik e sinkronik, jo vetëm brenda shqipes, por edhe në hapësirën ballkanase dhe mbarevropiane. Ai zotëron dije të thelluara jo vetëm të miteve për treva e areale të ndryshme të vendit tonë, por edhe atë të popujve të tjerë, siç është rasti i të dhënave që sjell për mitologjinë mesdhetare, ku veprojnë Muzat, Sibilat, Sirenat, Nereidat, Najadat, Laret etj., ashtu si në vetëdijen mitike të shqiptarëve janë Këshecat, Gërshetëzat, Xhindet, Nimfat e të tjera shtojzovalle, të cilat u shfaqen njerëzve, duke i ndihmuar sipas rasteve, por edhe duke i shituar, goditur, rrahur etj. Mjafton të kujtojmë thënie frazeologjike, mallkime a fjalë të caktuara që lidhen me figura të tilla, si: Të shitoftë Zana, të lëshoftë Ora, t`u ligtë Ora, të vraftë Ora, të rrahshin Zanat; i zanuem, orëlëshuem, orëcub, orëligur, orëmbarë etj., të cilat përdoren aq dendur në rrafshe ligjërimore të ndryshme.
Është me vend të theksojmë se studimi i thukët i T. Çobanit arrin në përfundimin se lënda mitike e veprës “Lahuta e Malcis” vjen shqiptare dhe krejtësisht pagane dhe se ajo ka ekzistuar paralel me mitologjinë greko-romake e biblike, ashtu si gjuha shqipe është zhvilluar paralel me gjuhën greke, romake e latino-kishtare. Studiuesi dhe kritiku Tonin Çobani, tashmë me plot gojën, nga fishtologët më të mirë të hapësirës shqiptare, të sotme dhe të traditës, e ka kuptuar prej kohësh se monumenti epik i Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcis”, është madhështor në llojin e tij, së bashku me elementet mitike: shtojzovalle e floçka, dragonj e kuçedra, shtriga e lugetër, të cilët veprojnë përkrah e kundër heronjve shqiptarë në luftën e tyre për ekzistencë, në mbrojtje të shqiptarizmit ndaj lakmive dhe synimeve grabitqare të të huajve; prandaj dhe i ka kushtuar këtë studim monografik mitologjisë së këtij eposi të pavdekshëm, duke sjellë një vështrim e vlerësim të ri për figurat mbinjerëzore të etnogjenezës shqiptare, si pjesë e kulturës sonë kombëtare, ashtu siç i ka paraqitur Poeti i Madh.