Kur kalëroja me Kaprollin e Petrit Dumes pasi e dënuan me vdekje

Alfred Bualioti duke rrëfyer për gazetën Panorama
Alfred Bualoti: Ju rrëfej aktrimin me kalin e rrallë.
Vetëm pak muaj më parë gjenerali ishte dënuar me vdekje
…vijon nga numrat e kaluar
Kali që shfaqet duke aktruar me heroin kryesor të filmit Pylli i lirisë është Kaprolli i Petrit Dumes, gjeneralit të dënuar me vdekje për tradhti të lartë ndaj Partisë dhe pushtetit popullor.
Fakti i panjohur në vitet e diktaturës, është koleksionuar nga Alfred Bualoti, aktori që i ka buzëqeshur fati të kalërojë me të, si një nga momentet e veçanta të karrierës së tij artistike.
Nga aq sa rrëfen për mbresat e aktrimit me Kaprollin e famshëm Vlashi i Pyllit të lirisë, të bën përshtypje mënyra si është miqësuar me kalin e personazhit historik, ndërkohë që një marrëdhënie të tillë nuk e kishte provuar herë tjetër, qoftë edhe me kuaj të zakonshëm. Megjithatë, jo çdo gjë na shkoi kreshendo, shton Bualoti duke kujtuar rastet kur e ka parë veten të gjakosur poshtë këmbëve të tij. Sakaq, kujton me detaje rrethanat e rekrutimit të Kaprollit për filmin Pylli i lirisë, si u zbulua vendndodhja e tij pas dënimit të Dumes, kush e orientonte me dinamikën e skenarit gjatë xhirimeve, çfarë ndodhi me të pas përfundimit të filmit
Zoti Alfred, në filmin Pylli i lirisë shfaqeni duke kalëruar me një kal të veçantë. Në çfarë rrethanash u është besuar ky rol dhe sa të vështirë e keni pasur këtë lloj aktrimi?
Të aktrosh me një kalë, së paku duhet të kesh kalëruar me të. Mua nuk më ishte dhënë rasti kurrë, madje as nuk e kisha menduar të hipja ndonjëherë në shpinë të tij. Për herë të parë dhe të fundit isha përballur me një të tillë në vitet e fëmijërisë, kur vizitoja familjen e gjyshit në Përmet. Kontakt tjetër deri atë herë nuk kisha pasur. Pikërisht për këtë arsye ngurova kur mu ofrua roli i Vlashit te Pylli i lirisë…
Kush ua ofroi rolin e Vlashit te Pylli i lirisë?

Alfred bualioti ne xhirimet e filmit pylli i lirise
Asokohe punoja në Teatrin e Gjirokastrës. Kisha vetëm pak kohë që kisha shkuar aty, i transferuar nga RTSH, në emër të të famshmit qarkullim kuadri. Kishte ndodhur kjo edhe me një sërë krijuesish të brezit tim, të punësuar në atë institucion fill pas diplomimit në Akademinë e Arteve. Lajmin për të marrë pjesë në kinoprovat e filmit ma komunikoi një nga zyrtarët e kinoteatrit. Të them të drejtën, e prita me gëzim. Oferta ishte e mrekullueshme, por edhe joshëse, pasi më krijonte mundësinë të rikthehesha pranë familjes në Tiranë. Qysh në takimin e parë, regjisori më njohu me subjektin e filmit dhe vështirësitë që paraqiste në këtë rast aktrimi me kuaj
Çfarë e bënte të domosdoshme praninë e kuajve në pamjet e filmit?
Filmi i referohej një ngjarjeje reale në zonën e Divjakës. Më herët, për të Naum Prifti kishte bërë një tregim. Mbi subjektin e tij, Kiço Blushi kishte shkruar skenarin e filmit. Pra, në rastin e Pyllit të lirisë kuajt nuk ishin një gjetje artistike, por protagonistë të zhvillimeve në një lagunë që dominohet nga kuaj të egër. Vlash Zeka (roli im te filmi), një banor i atyre viseve, jetonte duke u marrë me ta. I vëllai partizan kishte vrarë një spiun të italianëve. Kjo Vlashin e kishte vënë në shënjestrën e këmishëzinjve. Ngado e ndjekin njerëzit e këtyre të fundit. E ndjek Lami, spiuni me damkë në zonë. Po e ndjek dhe Ibrahim Beu që vjen të mbledhë kuaj të egër. Në këtë sfond që dominohet nga kuajt, shfaqen ngjarje të tensionuara. Momenti që Vlashi e Lena dalin partizanë e fut historinë në një rrjedhë interesante
Pra, filmi bën fjalë për një ngjarje reale, që do të thotë se edhe Vlashi ishte një personazh real
Ky Vlashi i vërtetë jetonte në një kasolle në të dalë të pyllit të Divjakës. Vasil Goreja e quanin. Kontakti me të ishte procedura e parë që realizuam kur shkuam për xhirime në terren. Ishte një plak i moçëm, diku te 90-tat. Na tregoi historinë e tij me kuajt. Në vitet e rinisë ishte bërë i njohur për mënyrën si kapte dhe zbuste kuajt e egër.. Na tregoi sakaq ngjarje të tjera nga vitet e luftës
A është e vërtetë që kali te Pylli I lirisë ka qenë i Petrit Dumes?
Ka qenë pikërisht ai, Kaprolli i famshëm i gjeneralit të njohur që diktatura e martirizoi si puçist. Petrit Dumja e kishte përzgjedhur mes qindra të tjerëve të racës Gjakpastër arab të fermës së Lazaretit
Si u bë Kaprolli i gjeneralit aset i Kinostudios dhe kush u mësoi të kalëroni me të?
Nevoja për kalin e heroit kryesor lindi kur kishte përfunduar faza përgatitore e filmit. Grupi realizues rrahu mendime e hodhi variante të ndryshme për të siguruar një të tillë. Regjisori, dhe sidomos skenaristi, këmbëngulnin për një kalë të veçantë, së paku të ndryshëm nga ata të lagunës së Divjakës. Në debat e sipër, dikush përmendi fermën e kuajve të Ushtrisë. Aty për aty ideja e tij na bashkoi në një mendje. Të nesërmen u gjendëm në Lazeret, por mësuam se kuajt i kishin zhdukur. Kjo kishte ndodhur fill pas dënimit të gjeneralëve, me emrat e të cilëve lidhej ferma e njohur. Që këtej u vumë në kërkim të tyre.
Dhe i gjetët?
Më parë kontaktuam me njërin prej specialistëve të fermës. Fatmirësisht, ai kishte qenë kujdestari i Kaprollit. Kur i thamë se kërkonim kalin e Petrit Dumes, Xhemal Koçi(kështu quhej instruktori i kalit të gjeneralit), u përlot dhe na tregoi se e kishin degdisur në Përmet. Na u desh të udhëtonim për aty. Kaprollin e gjetëm duke tërhequr një karrocë shkatarraqe. Ishte përçudnuar i tëri. Cigani që e kishte përdorur si mos më keq, i kishte prerë edhe jelet. Vendosëm për ta marrë. Pas procedurave të rastit, e sollëm në Tiranë. Xhemalit iu deshën disa ditë për të normalizuar pamjen e tij. E vetmja gjë që nuk mund të ndërhynte, ishin jelet e prera. Me to u mor Ana, parukieria e talentuar e Kinostudios, e cila sajoi një palë artificiale.
Pra, erdhi momenti kur duhej të hipnit në kalin e Petrit Dumes
Më përpara duhej të miqësohesha me të, ta bëja shok në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo, falë talentit të Xhemalit që komunikonte me Kaprollin sikur të ishte njeri, u bë e mundur shpejt. Pastaj erdhi çasti i provave të kalërimit. Provat e para ishin tmerrësisht të vështira. Gjatë tyre jam rrëzuar e gjakosur disa herë, por nuk u tërhoqa kurrë. Ndoshta nga pasioni, ndoshta nga mosha e re. Më në fund ia mora dorën…
Kur nisën xhirimet në Divjakë dhe sa zgjatën ato?
Me sa më kujtohet, xhirimet nisën aty nga fillimi i majit 76 dhe zgjatën gati tre muaj. Skenat e aktrimit në terren me kalë ishin momentet më të vështira. Këtu roli i Xhemal Koçit, instruktorit të tij, ishte determinant. Ai fillimisht njihej me pjesët e skenarit, studionte terrenin ku do xhirohej dhe instruktonte kalin si ta kishte ushtar të bindur. Pastaj fillonte me mua. Më tregonte si do veproja, si do hipja në shpinë të tij, si do ta komandoja, çfarë do kisha parasysh në rrethana të veçanta
Patët probleme me kalin gjatë xhirimeve?
Kanë kaluar kaq vite, por disa syresh i kujtoj edhe sot. Kujtoj sidom