Letërsia fantastike e Kadaresë rrëfyer nga Gjekmarkaj

Agron Gjekmarkaj
Vepra e shkrimtarit përmes dokeve, politikës e artit.
Me Kadarenë shikojmë edhe një herë epërsinë e kulturës mbi pushtetin politik
Punimi i Agron Gjekmarkajt, Letërsia fantastike e Kadaresë. Refleksione mbi romanin Kush e solli Doruntinën, lind si një vepër reflektimi mbi krijimin artistik të Ismail Kadaresë (kryesisht mbi romanin Kush e solli Doruntinën). Rrjedhimisht, ajo paraqitet si vepër e kritikës letrare, por jo vetëm; prandaj, duke u përqendruar në leximin e këtij teksti, del në pah sesi autori i ofron lexuesit një perspektivë të saktë mbi një realitet të caktuar historik të shekullit të kaluar. Gjekmarkaj tregon mes rreshtash, në mënyrë brilante, vazhdën e ndërlikuar të historisë shqiptare, duke zbuluar traditat që kryenin rolin e ligjeve në Mesjetën shqiptare, për të kaluar më pas në periudhën e errët të diktaturës komuniste, e së fundi, tejkalimin e kësaj periudhe të historisë së popullit shqiptar. E gjitha kjo duke u nisur nga analiza e realiteteve që i përkasin ligjërimit artistik. Në kapitullin e parë dhe të dytë të këtij teksti trajtohet rëndësia e fjalës së dhënë, besës, dhe të kodit të nderit, Kanunit, duke evidentuar se këto koncepte luajnë rol themelor në kontekstin ekzistencial të popullit shqiptar, falë rëndësisë që kanë pasur dhe kanë në historinë e letërsisë së Shqipërisë, duke nisur që nga traditat më të lashta (që do pësojnë shndërrime strukturore nga rrethanat shoqërore-politike dhe antropologjike) e deri në ditët tona. I tërë libri duhet lexuar në dy këndvështrime, të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin dhe që mishërojnë dy aspekte të botës shqiptare, aspektin antropologjik-kulturor dhe atë social-politik. Kështu mund të dallohet pesha që traditat e lashta kanë ushtruar, nëpërmjet letërsisë, mbi popullin shqiptar, madje edhe sesi temat e këtyre traditave kanë tërhequr dhe ndikuar në mendimin dhe botëkuptimin (Weltanschauung) e tij të veçantë. Autori vërteton sesi miti është modifikuar dhe rishikuar nëpër kohë, dhe sesi është deformuar në mënyrë monstruoze dhe instrumentalizuar nga regjimi i Hoxhës. Referimi kryesisht është te tema e vëllait të vdekur, një mit që ka si bosht dhe primo movens të ngjarjes, elementë si besa dhe Kanuni. Ky mit paraqitet fillimisht si baladë: një nënë vendos të japë nuse të bijën te një dorëkërkues nga derë shumë e largët, me kusht që i biri i saj të mbante fjalën e dhënë, se do ti sillte motrën në shtëpi sa herë e ëma të pushtohej nga malli. Fatkeqësisht i biri vdes, tok me tërë vëllezërit. E ëma mallkon mbi varrin e tij, pasi ai nuk e kishte mbajtur besën. Një natë, forca e fjalës së dhënë ringjall të birin, i cili niset me kalë dhe rikthen motrën në shtëpi, pastaj rikthehet në varr. Ekzistojnë shumë variante të këtij miti dhe autori i shqyrton të gjitha, me një fokusim të spikatur analitik, për të mbërritur, më në fund, te romani i Kadaresë Kush e solli Doruntinën?. Duke u zhvendosur, në këtë pikë, në një reflektim tout court të kritikës letrare, Gjekmarkaj, në kapitullin e tretë përqendrohet në klasifikimin e tekstit të Kadaresë, duke e përkufizuar atë si vepër të letërsisë fantastike. Për ta bërë këtë, autori hyn në brendinë e tekstit dhe shpjegon përse i përket kësaj kategorie, duke iu referuar përkufizimeve të fantastikes të shprehura nga personalitete të letërsisë si Solovov, Luis Vax dhe Caillois. Pasi trajton këtë pikë, autori rikthehet të nxjerrë në pah marrëdhënien mes kulturës dhe pushtetit, duke qartësuar se nuk janë aq evidente sa çmund të duken marrëdhëniet mes pushtetit dhe autorit, mes regjimit komunist shqiptar dhe Kadaresë. Shkurt, pra, kthehemi te dualiteti mbi të cilin fola më lart dhe i cili përshkon të gjithë këtë libër: dualiteti mes aspektit antropologjik-kulturor dhe atij social-politik. Kjo analizë konkretizohet në kapitullin e katërt e të pestë, në të cilët shihet sesi Kadare, edhe duke jetuar në Shqipërinë e viteve të diktaturës së Hoxhës, arrinte të shkruante nëpërmjet gjuhës së alegorisë përmbajtje që tejkalonin kufizimet e imponuara nga regjimi, madje të dilte kundër vetë regjimit. Me Kadarenë shikojmë edhe një herë epërsinë e kulturës mbi pushtetin politik, duke rezultuar më e fortë se ligjet shtrënguese ndaj saj, si p.sh. detyrimet e të shkruarit vetëm vepra të klasifikuara si realizëm socialist. Shpesh Kadare, shpjegon autori, për këtë arsye është thirrur për sqarime nga regjimi, meqenëse veprat e tij rezultonin armiqësore ndaj kësaj rryme letrare të partisë. Dalin të pakuptimta akuzat e dikujt drejtuar Kadaresë se pse nuk ngriti krye ndaj diktaturës, pasi duket qartë se kontributi i autorit përmes pozicionimit kulturor ka qenë më i fortë dhe më konstruktiv sesa ai me mjete të tjera, p.sh. të opozicionit të hapur dhe ballor gjë e cila, në rrethanat politike të atij regjimi, do kishte sjellë fundin jo vetëm të kundërshtimit të tij, por edhe të punës së tij letrare. Gjithashtu, shkëputja e Kadaresë nga regjimi është kaq i dukshëm (dhe Gjekmarkaj ka arritur shumë mirë ta vërë në pah), pikërisht sepse nuk ka aderuar kurrë në realizmin socialist, gjenerues vetëm letërsie të keqe, siç thotë Kadare në intervistën në fund të librit:
Shprehja realizëm socialist i aplikuar në letërsi është absurde. Është njëlloj si të thuash letërsi e keqe, letërsi e vdekur tashmë. Prandaj është letërsia më e keqe e kohës së komunizmit, duke vdekur bashkë me të. Po të pranohet se ka pasur dhe letërsi të mirë, gjë që nuk mohohet dot, duhet pranuar se ajo, për faktin se është gjallë, nuk është letërsi e realizmit socialist.
Në dy kapitujt e fundit kuptohet se si Kadare ia doli të ishte kundër regjimit, duke mbetur brenda shtetit shqiptar. Alessandro Manzoni në kryeveprën madhore të letërsisë italiane të Tetëqindtës, Të fejuarit (I promessi sposi), për të denoncuar brutalitetin dhe abuzimet e pushtuesve austriakë në Italinë veriore të 1800, e ambienton romanin në një tjetër epokë (1628-1630), me një tjetër pushtim (atë spanjoll), duke arritur të kundërshtonte pushtuesit, pa u burgosur apo ekzekutuar. Kështu Kadare, duke u strehuar te fantastikja, arrin të risjellë në dritë dhe të përcjellë vlera, të cilat po asgjësoheshin nga regjimi bashkëkohës, dhe të denoncojë gjithmonë përmes armës së alegorisë mizoritë e përjetuara nga atdheu i tij.
Prandaj mendoj se vepra e Gjekmarkajt nuk mund të lexohet pa pasur parasysh praninë e dy faktorëve që përshkojnë gjithë tekstin dhe që e bëjnë unike në lëmin e vet: të qenit njëherësh vepër e kritikës letrare, por edhe një shprehje e shkëlqyer e një teksti historie qytetërimi, i cili qartëson atë pjesë të atij puzzle-i të Historisë së Botës që i takon historisë dhe kulturës shqiptare.
Paolo Calandruçio*
(*Kritik Letrar
Universiteti Roma Tre)