E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur “diplomacia e stabilitetit” pjell destabilitet

Në Shqipëri e sidomos në Kosovë, me një këmbëngulje të padrojë, diplomacia ndërkombëtare e veçanërisht ajo amerikane po injekton “diplomacinë e stabilitetit” me çdo kusht, natyrisht për hir të stabilitetit në rajon dhe sidomos të tensioneve zinxhir e të paparashikuara që vijnë nga Lindja e Mesme. Shembulli më i qartë i kësaj dukurie ishte përzgjedhja me zarf e presidentes së re të Kosovës, zonjës Jahjaga, me ultimatumin e prerë: “Ose pranoni këtë (emër) zgjedhje, ose keni për të humbur miqtë ndërkombëtarë!”
Nuk ka dyshim që klasa politike në të dy anët e Shqipërisë prej vitesh është e mëkuar të sillet me bindje, me një përulësi të përkorë ndaj “faktorit ndërkombëtar”, jo vetëm atij amerikan, por edhe grek. Për shumë arsye, (ndoshta një nga arsyet më madhore është se klasat e këtushme politike aktualisht po gëzojnë gjithnjë e më pak mbështetje popullore), ata e lypin me çdo çmim mbështetjen ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, ngaqë e kanë kuptuar se nuk ka tjetër rrugë që të mbetesh në pushtet përveçse të sillesh si një nxënës i bindur edhe kur detyrat, porositë, kërkesat apo ultimatumet e diplomatëve ndërkombëtarë jepen të formës së prerë, siç ishte “firma” me ish ministren e jashtme greke Bakojanis për kufirin detar, kërkesa e përsëritur dhe e hapur e Berluskonit për ca femra shqiptare, apo SMS-të e ambasadorit Kristofer Dell, i cili, si u pa publikisht, u dërgonte “porosi” ultimative krerëve të Kosovës në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Pacollit si President i Republikës…As mëkëmbësi i Perandorit të Italisë, Jakomoni, nuk do të kishte vepruar kësisoj me emërimet në qeverinë kuislinge të Tiranës…
Vetëm se “diplomacia e stabilitetit” që po ushtrohet këto vite ngulshëm në Ballkan deri tani po kënaqet me arritjet e veta ngaqë ka parasysh vetëm reagimin puthador të klasës sunduese politike, e cila, edhe para kamerave nuk tutet të premtojë e të zbatojë me përulësi “porositë e aleatëve strategjikë”, por nuk ka asnjë dijeni se si përcillet dhe sa e përtypshme është kjo ndërhyrje, herë brutale e më së shumti pa ndonjë efektivitet prej opinionit publik, i cili sa vjen e po bëhet më i pakënaqur e i paduruar nga standardet e munguara, nga tejzgjatja e tranzicionit, nga shtimi galopant i padrejtësive prej organeve të Drejtësisë, nga niveli i mjerueshëm ekonomik, nga shkalla e lartë e korrupsionit zyrtar që ka thelluar skajshmërisht pabarazinë mes njerëzve, si dhe nga tensionet e sherret e pasosura mes krerëve tanë të paskrupullt. Sigurisht që “diplomacisë së stabilitetit” këto probleme i duken minore…
Dihet se kur në një shoqëri e dalë nga diktatura që aspiron demokracinë punët shkojnë keqemosmëkeq, stabilitetin e një vendi vetëm përkohësisht mund ta mbajnë nën kontroll udhëheqësit që janë zgjedhur me vota të lira dhe demokratike, ndërsa ata që kanë ardhur e mbetur në pushtet me manipulime, me trafikim, me vota të vjedhura, edhe kur kanë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, janë të detyruar të ushtrojnë në mos dhunë, vrasje, për të trembur e tulatur kundërshtarët. Me sa duket “diplomacia e stabilitetit” nuk ka mësuar një gjë më se të thjeshtë, e cila pa asnjë dyshim nuk është vetëm një dukuri mirëfilli shqiptare dhe as e rrallë në botë: ashtu si demokracia, edhe stabiliteti i një vendi nuk injektohet dot nga jashtë.…Iraku e jo vetëm Iraku janë shembujt më të afërt.
Vini re: pa asnjë dallim, të gjithë krerët autoritarë, e veçanërisht ata ballkanikë, sapo ndjejnë përkrahjen e diplomatëve dhe autoriteteve të larta ndërkombëtare ( një foto me Bushin apo me Obamën në provincat tona nuk ka të paguar!) nuk “zbuten”, nuk demokratizohen, përkundrazi, fillojnë të bëhen edhe më harbutë ndaj atyre që kanë nën vete…Gjuha e tyre e urrejtjes përdoret për të trembur sidomos opozitën, popullin, mediat kundërshtare, shoqërinë civile, për të shkelur në dritë të diellit të drejtat e njeriut, si dhe për të abuzuar me fuqinë e pakontrolluar të pushtetit.
Pikërisht kjo sjellje primitive e bën klimën demokratike e rrjedhimisht edhe stabilitetin sa të kufizuar, aq edhe të brishtë, pse jo edhe të kërcënuar.
***
Sapo ka nisur kërleshja e egër mes palëve për zgjedhjet “referendare” të 8 majit. Ambasadori Arvizu e quajti këtë fushatë “si një ndeshje futbolli”, ku secila nga skuadrat e kërkon fitoren me çdo çmim, natyrisht vetëm për vete. Me këtë rast ambasadori amerikan kërkoi edhe një herë tjetër qetësi, garë të ndershme, debat, dialog, fushatë të qetë…Ndërsa kreu i opozitës në hapjen e fushatës lëshoi para ca ditësh kërcënimin: nëse do të preken sërish zgjedhjet, ne do t’i bëjmë thirrje popullit të përmbysë këtë “qeveri antidemokratike!”. Me një fjalë parashikohet të ketë, jo vetëm greva urie e demonstrata, por të tjera revolta popullore!
Pasiguria e zgjedhjeve tashmë është bërë një atmosferë më se e zakontë, ku rrallëkush fle në darkë pa mëdyshjen e manipulimit të radhës prej klanit “profesionist” të Sali Berishës. Sot nuk ka shqiptar që nuk dyshon se edhe kësaj here do të ketë allishverishe, vjedhje, trafikim votash…Por si e qysh askush nuk e di e nuk e thotë me saktësi. Dyshimi mbetet gjithsesi i pranishëm. Ka zëra që thonë se një fakir fukarai mund t’i thuhet: ma jep “borxh” kartën e identitetit më 8 Maj që të përfitosh për një kartë pesëdhjetë mijë lekë qelepir...Nuk di sa të vërteta mund të jenë këto, por fakti që zëra të tillë qarkullojnë, shpjegon klimën që na sundon. Në këtë klimë të ndezur rrahjet mes militantësh në Kamëz, në Bathore e në Pogradec, sherret e përplasjet e ndërsjella “për flamuj dhe për çadra elektorale” nuk janë gjë tjetër veç prologu i kësaj “ndeshje futbolli”, ku luhet me riskun “për jetë a vdekje” e ku, prej kësaj mendësie “o unë o ti!” tashmë po na duken të natyrshme…Më tepër se në trafikun e ndeshjeve të futbollit, në politikë duket normale që, ose të shitet e të blihet ndeshja dhe lojtarët, ose të blihen gjyqtarët…Tash në të djathtë ka aleatë të majtë, ish armiq të betuar, jo vetëm parti po edhe analistë të spikatur dhe anasjelltas…Sot askush nuk habitet me transvetitët politikë, përkundrazi, “inkoseguenca” morale sot quhet emancipim, vlerë, zhvillim demokratik, një mundësi reale për t’u bërë shumë shpejt edhe i pasur, edhe i famshëm!…Të gjithë këta të marrë së bashku janë embrione të destabilitetit të nesërm.
Në të vërtetë stadiumet e futbollit të Shqipërisë janë lojëra kalamajsh përpara ndeshjeve politike, ku jo vetëm mund të rrihesh e pastaj të dalësh me gisht në gojë, por edhe mund të vritesh! Pas vrasjes më 21 Janar të qytetarit Myrtaj te dyert e Kryeministrisë, këto ditë u lajmërua edhe “vetëvrasja”(sipas policisë) e të birit 22 vjeçar! Një familje e pushkatuar jo në diktaturë, por në demokraci! Por edhe sikur shkak të jetë vetëvrasja, besoj se nuk dyshon njeri që të dy vrasjet burimin e kanë nga politika!Sidoqoftë, e sigurt është se në çdo rast më të humbur përherë do të dalin tifozët, bastexhinjtë, votuesit, qytetarët e zakontë, ai që quhet elektorat, pavarësisht nga ngjyrat e “fanellës”!
Po a ka një kufi ky durim?
***
Por ajo që ka ndodhur në kupolën më të lartë të Policisë së Shtetit, më konkretisht në Ministrinë e Brendshme, mes ministrit në detyrë, zotit Peka dhe komandantit të forcave speciale, zotit Prençi, pa asnjë dyshim është ngjarja më domethënëse e më kërcënonjëse për demokracinë tonë “të brishtë”, për shtetin tonë “të së drejtës”, për mënyrën si janë ngjizur institucionet tona të larta; tekefundit, kjo është edhe një tjetër provë kokëfortë se si është gatuar stabiliteti ynë i injektuar me aq kujdes nga ambasadorët.
Kjo është një ngjarje e pashembullt jo vetëm në vendet e Azisë, po edhe të Afrikës, ku drejtojnë udhëheqësit paranojakë e primitivë…Ky “ngërç institucional” në zemrën e Policisë së Shtetit, nga “vlera” antidemokratike i kapërcen përplasjet e përditshme mes militantëve për flamuj partish, mes policisë ndërtimore dhe asaj bashkiake, (po për flamuj partish)…Incidenti Peka-Prençi është edhe më i rëndë se refuzimi që i bëri Policia e Shtetit kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e gardistëve; apo edhe se padia që i bëri PS Gardës së Republikës, ndërsa si përgjigje edhe Garda kundër PS-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk e di si do të ndjehej qytetari amerikan Arvizu apo edhe ambasadori i OSBE-së, nëse në vendet e tyre do të kishte një kundërvënie të tillë “drumepre” mes institucioneve e titullarëve më të lartë të shtetit. Nuk e di kujt do t’i shkojë për vizitë në këtë rast ambasadori amerikan, ministrit në detyrë Peka, apo komandantit të forcave speciale Prençi...Nuk e di gjithashtu edhe se si do të shpjegohen nesër këta diplomatë të lartë, tek të cilët qytetarët shqiptarë kanë akoma shumë besim, nëse stabiliteti i tyre i injektuar me aq mundim ka për të prodhuar (qoftëlarg!) përsëri destabilitet, si në vitet e mbrapshta ‘97- ‘98!
Gjithsesi e sigurt është se faturën kemi për ta paguar ne qytetarët e thjeshtë e anonimë që rijmë e vështrojmë “yjet”!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›