Bode: Shtimi i kapaciteteve në porte do t’i shërbejë edhe Kosovës
Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, priti dje në një takim ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, z. Ahmet Shala, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z. Lutfi Zharku dhe ambasadorin e Prishtinës në Tiranë, z. Gazmend Pulaj. Në takim, ministrat kosovarë i kërkuan ministrit të Financave dhe qeverisë shqiptare, që të shikojnë mundësitë për krijimin e hapësirave të investimeve në portin e Shëngjinit, i cili do të marrë një dimension të ri me përfundimin e rrugës Durrës–Kukës. “Në emër të qeverisë së Kosovës do të kërkonim që të na krijohej hapësira për të pasur një pjesë në këtë port dhe për të bërë investime si qeveri, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve nga porti i Shëngjinit, pas mundësive të reja që do të krijohen me inaugurimin e rrugës”, – tha ministri Shala. Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të gjetur rrugët ligjore për krijimin e kësaj hapësire, duke respektuar edhe kuadrin ligjor evropian. Ministri i siguroi zotërinjtë Shala dhe Zharku, se nga ana e saj qeveria po përqendron investimet në porte, pasi me përfundimin e investimeve të rëndësishme në rrugë, do të rritet nevoja për shtimin e kapaciteteve të këtyre porteve. Ministrat folën gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit mes administratave përkatëse, për të ndihmuar në forcimin e ekonomisë së Kosovës.