Fakti/PS s’kapërdin dot krizën e brendshme - s’ka të ndalur fushata e largimeve

Ish-anëtari i asamblesë socialiste, Ylli Manjani ikën tek LSI, ndërsa lëshon një valë të rëndë akuzash drejt Edi Ramës, të cilin e profilizon si të paaftë dhe njëherazi si sponsorizues të politikës së përjashtimit dhe shtrydhjes së demokracisë partiake
Radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim shtohen me një tjetër socialist të pakënaqur nga drejtimi i kryesocialistit Edi Rama. Pas Vangjel Tavos ka qenë radha e Ylli Manjanit, anëtar i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve që të largohet nga Partia Socialiste me të njëjtin motivacion: në parti nuk ka demokraci të brendshme, drejtimi është centralizuar në duart e Ramës dhe grupit të biznesmenëve. Manjani thotë se kryetari i partisë vendosi në heshtje largimin e tij nga partia. “Edi Rama vendosi në heshtje përjashtimin tim, sigurisht jo në mënyrë statusore, por në mënyrë djallëzore. Pavarësisht dëshirës apo vendimeve arbitrare të Edi Ramës, për t’i zhvlerësuar kontributet e mia. Tashmë kam marrë një vendim. Kam vendosur që pasionin dhe kontributin e mëtejshëm në politikë ta bashkoj me Lëvizjen Socialiste për Integrim, tek e cila gjej një mundësi reale për të ushtruar pasionin për politikë dhe zgjeruar përmasat e lirisë politike të munguar”, deklaroi ai. Prej humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit, kandidati i PS për deputet në Qarkun e Dibrës ka qenë një zë shumë kritik i të gjitha aksioneve politike të partisë së tij, duke e shprehur hapur pakënaqësinë e tij në të gjitha mbledhjet e forumeve të selisë rozë. Ndonëse këto, nën drejtimin e Ramës sipas vetë Manjanit po funksionojnë gjithnjë dhe më pak. Manjani paralajmëron largime të tjera nga Partia Socialiste.
...