E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lum sabërlliu (ai që bën gajret) kur s’ka ç’bën!

19-12-2010 / Nga Kostaq Xoxa

Liberalizimi i vizave për shqiptarët përbën njërën nga ngjarjet historike të rralla për vendin dhe për kombin tonë. Duhej ta festonim së bashku: popull e populistë! Por duket se gëzimi nuk ka qenë i njëllojtë si për popullin, në tërësinë e tij, ashtu edhe për atë pjesëz nën hyqmin e E.Ramës, që është i gatshëm të flijojë ngjarjet madhore, për atë që ka të bëjë  ekskluzivisht me sindromën e tij të pashërueshme për të qenë në krye të të gjithëve! LMN-ja iu kundërvu e para për këtë ambicie të shfrenuar, që do ta çonte ambiciozin e sëmurë, me dorë të hekurt, në veprime antidemokratike, jotransparente, të dhunshme, në radhë të parë kundër reagimit brenda radhëve. Sa kamera u thyen brenda lozhave misterioze, të ngjashme me ato masónet, me dyer hermetikisht të mbyllura dhe me gazetarët e dëbuar me harbutërí!
LMN-ja u duk si një e majtë me tipare europianiste, - ndryshe nga e majta ekstremiste e mëkatarëve, - që aktivizoi E,Ramën, që t’i dilte në mbrojtje pacenueshmërisë së asaj farë të majte, të brumosur me huqet staliniste. Stalini ishte mishërimi i atij paradoksi që, sa më shumë të bënte kërdinë në masakrimin e popullit të thjeshtë, - por edhe të anëtarëve të devotshëm të partisë së tij, - aq më tepër brohoritej si “i madh”: Stalini i Madh, gjeneralisimi që kishte bërë viktima më shumë se Hitleri: 100 milionë përkundrejt 25 milionëve!
Këtë mazokizëm të tipit “vrit, të të duan”, e përvetësoi me zell të tepruar stalinisti Enver Hoxha. Kjo ka një pjesë të madhe të shpjegimit që Shqipëria, vendi më i martirizuar në Europën e Lindjes, pati ovacionet për diktatorin gjer në “marsh nga ditët tona”! Paçka se kishte shfarosur mizorisht nacionalçlirimtarë të dyshuar për pluralizëm (deputetët e vet); fëmijët e gratë e të afërtit e nacionalistëve të arratisur, si pengje për fajësinë e të afërmve të tyre; por edhe ajkën e ushtrisë së tij për puçe të fantastikuara.
Me këtë mendësi enveriste. Edvini arriti të përgjunjë Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, gjë jo fortë e saktë kjo, po të mos sugjestionohemi vetëm nga A. Malaj dhe nga Ben Blushi. Të tjerët, që janë të shumtë, ka shumë gjasa ende për të qenë një e majtë europianiste, ashtu siç është, pa dyshim, Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka në emblemën e saj  Integrimin, çka të bind se interesat e saj kombëtare qëndrojnë përmbi interesat partiake. Në ndryshim diagonal me turmën mikroskopike të populistëve të Ramës, në aradhen lilipute të të cilit janë pjesëmarrës mëkatarët e pandëshkuar, të korruptuarit që s’u ka hyrë gjembi në këmbë, anti-perëndimorëve me kallo, anarkistë të cilët po na hiqen sikur u regëtin zemra për Bashkimin Europian dhe për Amerikën, që është shembull i demokracisë në këtë rruzullin tonë.
Me këtë konglomerat injorantësh, enveristësh, mëkatarësh, mllefexhinjsh arrivistë e pro-perëndimorësh të rremë, E.Rama ia arriti që të mbajë peng parlamentin për më shumë se një vit e gjysmë, të pengojë statusin për vendin kandidat për në BE dhe të orvatej, pa sukses, edhe për bllokimin e liberalizimit të vizave.
Në daljen e fundit në ekran, P. Zogaj sërish na u shfaq me përsëritjet e mëparshme bajate të shfajësimit të Ramës se ky paska qenë i zellshëm për liberalizimin e vizave, por qeveria u orvat ta monopolizojë këtë ngjarje, në festimet e saj në sheshin Nënë Tereza. Kush i ndaloi të vinin në koncertin festiv? Mund të vinin edhe me flamujt e tyre, po të donin. Por, sipas paragjykimeve të E. Ramës, populizmi i tij duhej të qëndronte larg festave të popullit! Por eja mbushja mendjen Preçit, me ato isot e tij të mërzitshme! Por teksa P.Zogaj ngulmonte se s’ishte e vërtetë që Rama kishte dalë publikisht, me parullat kundër liberalizimit të vizave, regjia nxori në ekran, një alamet pllakati me njëqind e kusur mbishkrime të njëpasnjëshme me fjalinë: “Hap kutitë, ose s’keni për ta bërë dot liberalizimin”! Ky ishte sfondi gjigant prapa shpinës së Edit, që dreqi e merr vesh se ç’llomotiste para mikrofonit. Preçit iu mek zëri bubullitës dhe tha me gjysmë zëri të pabesueshëm: “Mundet. Unë s’e kam parë!”. A është e mundur të mos e kishte parë atë farë pllakate, nën shembullin e “ZP-së” me titujt e saj prej afisheje?
E, meqë “kutitë” ishin bërë si kusht bojkotimesh për gjithçka, ja që ra edhe aureola e këtyre kutive, në vendimin përfundimtar të gjykatës se në katër kutitë e hapura me pretendim të Nard Ndokës që mëtonte se i ishin manipuluar votat. Vendimi  ishte monitoruar edhe me video dhe prokuroria kishte shpallur se asnjë manipulim nuk ishte vërejtur në kutitë e materialeve zgjedhore dhe në ato të numërimit të votave dhe të gjitha dokumentet ishin në rregull! Në pikë të hidhërimit, Nardi s’kishte lënë gjë pa thënë kundër prokurorisë dhe vendimit të gjykatës! Kishte thënë, për më tepër, se ai nuk ishte thirrur në procesin e hapjes! Ku ka dëgjuar ky i ngratë se duhej të ishte pjesëmarrës në një  mbledhje gjyqësore, ku verdikti jepet pa pranuar në dhomën e shqyrtimit të vendimit as gjyqtarët e proceseve të tjera, palé të të interesuarit! Por Nardi ka marrë huqet e ustait. Edhe megalomaninë e tij, pa tjetër. Tani na i është mbushur mendja se është edhe në rang prokurorësh e gjyqtarësh; madje kryeprokurorësh, që t’u rrijë në kokë atyre, në punën e tyre të shqyrtimit të proceseve! . . .
Tani Edi Ramës po i del nga dora edhe guri filozofal, që besohej nga mitomanët se ishte i tillë që çdo gjë që të prekje, shndërrohej në florí 24 karatësh!
Nuk i mbetet, tashmë, veçse të ketë parasysh thënien e të urtëve: “Lum sabërlliu kur nuk ka ç’bën!       

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›