Kur ngrihen balonat
08/02/2005 Në fillim qe vetëm një. E kuqe. E madhe, e pabesueshme. Gjithë jetën u ngrit lart, duke hedhur poshtë njëri pas tjetrit njerëzit e vet më të besuar, sikur të ishin thasë të mbushur me dhè e që duheshin për të ruajtur rëndesën e siguruar, lartësinë. Kapiteni që donte ta shikonte tokën nga qielli për t’u mbrojtur nga rrezet, njëherë vuri kapele republike si Hrushovi, pastaj shapkë kineze si shoku Mao, pastaj u mek, harroi si të zbriste në tokë. Të paktët miq i thoshin: mirë je lart! Je vet Zeusi! Një ditë Balona ra! Qielli i kaltër mbeti bosh?! Balona të reja po përgatiteshin të ngriheshin. Nga e para deri te bijëza apo filizi më i ri, janë mbi gjashtëdhjetë. Secila prej tyre ka një timonier. Zanati u vodh nga projektuesi i parë, por, tashmë, secili ecën në udhën e vet, ka programin e vet, taktikat e veta, kërkon qiellin e vet. Balonat përgatiten për t’u ngritur sa herë që afrojnë zgjedhjet. Zgjidhen problemet se kush do jetë koshi qendror, kush do mbajë levën në çastin e ndezjes, kush do jenë si thasë për të ruajtur rëndesën e për të ruajtur lartësinë. Qytetarët, votuesit, nënat, bijtë, nipërit, veteranët, të palindurit akoma, qëndrojnë gjithmonë pezull, me kokën lart, për të parë cila do ngrihet më lart, cila do zërë më shumë qiell. Kështu ka qenë edhe herë të tjera. Pelegrinazhi i balonave është nga më të spikaturit e politikës shqiptare. Në koshat futen lloj-lloj idhtarësh, të dashuruar të stinës, që të përqafuar me njëri-tjetrin si në kala dibrançe, i gëzojnë fluturimit marramendës lart, sa më lart. E gjithë kjo është larg lojës dhe tej eksperimentit politik. Tipari kryesor i këtij lloji është përkulja, sepse ambicia për të qenë sa më lart shkon njëherazi me dëshirën për të parë poshtë. Vjen një çast që projektuesit të njërit prej balonave i duhet të hedhë një nga një thasët poshtë për të lehtësuar barrën. Dikush hidhet vet për t’u ngjitur në një balon tjetër. Sepse një vullnet i dytë, e mban lidhur me zinxhirë njëshin, ideatorin drejt mbimendjes së vet, që gjallon si një kafshëz besnike brenda mushkërive të mbushura me gropa ajri që të vijnë nga lartësia marramendëse. Po kështu fillojnë e imitojnë edhe balonat e tjerë. Eksperienca është e shkëlqyer. Në çdo balon është një njësh, që do gëlltisë njëshin e balonit tjetër, për ta vjellë kur t’i vijë anoreksia prej pushtetit. Më kryesorët e zgjedhur për të qëndruar në koshin fiks, ankohen se nuk shikojnë mirë, që të justifikojnë kë ka kapur për dore që të mos e humbasin krejt besimin se mund të gjendet diçka e qëndrueshme, e ngurtë dhe kë kanë kapur për qafe për ta zgërlaqur poshtë, në tokë. Fali, o Zot, më të fortin mes tyre fale, sepse ai nuk i shikon dot për shkak se e zë errësira. Liderët, të pataksur nga baloni dhe thasët që rëndojnë në koshin e ngulur për të mos u hequr kurrë, ulen të ekspozuar para çdo thesi - batakçi dhe pyesin: kush do të më mashtrojë. Ah, sa i zgjuar është ideatori i parë i balonit, ai di të krijojë statusin e kujdesit nga njerëzit, duke filluar me aksiomën e parë, të mashtrohet që të mos ruhet nga mashtruesit, sepse po të ruhej nga njerëzit që ka rreth e rrotull, si mund të ishin ata thasë për balonin e madh elektoral? Duke qenë në një fluturim të dëshiruar, ai vendos të rrojë pa u ruajtur. Po ka harruar të marrë gotën e tij personale për të pirë! “Ai që s’do të vdesë nga etja mes njerëzve duhet të mësojë të pijë në të gjitha gotat, nëse do të mbetet i pastër mes njerëzve duhet të dijë të lahet edhe me ujë të ndotur”- dëgjoj në sfond zërin e akullt të Niçes. Nuk ka kërkuar këshilla kurrë, se është vet shumë i mençur, por sa për ta ngushëlluar në çaste të tilla, një nga thesaxhinjtë i thotë ngadalë: mbahu, mësohu me lartësinë, kënaqu me të, konsideroje fatin tënd. Në koshin e secilit balon qëllojnë të jenë futur si të zgjedhur ca sedërlinj, ca krenarë, por njëri pas tjetrit do hidheshin të gjithë. Nga duhej filluar, vallë? Nga ata me sedër të prekur? Jo, se sedra e prekur është nëna e gjithë tragjedive. Më mirë me krenarët, sepse atje ku plagoset krenaria, rritet diçka që është akoma më e mirë se krenaria. Dhe kjo e mirë që kapërcen krenarinë është dëshira për të marrë vendin e inxhinierit, ideatorit, projektuesit. Rrallë ndodh që mësuesit të zotë t’ia kalojë nxënësi. Mësuesi e do jetën e bukur, pamja që shihet nga lart duhet të jetë akoma më e bukur, dhe që të arrihet kjo duhet luajtur si duhet dhe për këtë duhen palaço të zotë. Palaço të zotë janë gjithë sedërlinjtë, ata recitojnë dhe dëshirojnë të shihen nga të tjerët - gjithë shpirti i tyre përmblidhet në këtë dëshirë. Ata paraqesin veten. Po të hedhë thasët sedërlinj para zgjedhjeve, kush do ta shërojë melankoninë e njëshit? Prandaj kursehen sedërlinjtë ata dinë të lidhin fijet fort me njerëzit, si me një spektakël. Duke fluturuar njëshi i secilit balon ndjen mëshirë dhe mirënjohje për modestinë e sedërlinjëve. Bëhet gati të hedhë edhe një tjetër. Dëshiron të mësojë besimin në vetvete, ushqehet me vështrimet e tyre, ha lavdërimet në dorën e tyre. Çuditërisht iu beson mashtrimeve në lidhje me të, në rast se ti di ta gënjesh mirë, sepse në thellësi të zemrës psherëtin: “E ç’jam unë!” I duket vetja sedërli. Po të ngresh kokën lart për të parë balonat, vëren se dielli i nxehtë pjek; tigra, ullinj dhe gjarpërinj, kurse balonat e partive i harron, nuk i lëshon asnjë rreze. Në të vërtetë, kalon një brezni dielli në pjesë thasësh, por kjo nuk majfton. Ata nuk janë pasqyra që ta kthejnë dritën tek i pari i tyre. Secili e do pak ngrohtësi për vete. Kur u ngjitën mbi kodrat e malet, ai kuptoi se më të urtët mes tyre nuk dolën aq të urtë, kështu gjeti ligësinë njerëzore më të vogël se forma që ka, dhe shpesh kërkoi duke tundur kokën. Koha e nxehtë e zgjedhjeve akoma nuk është zbuluar nga shqiptarët. Akoma macet e egra të partive nuk janë shndërruar në tigra, zhabat e disa të tjerave kanë ideuar shndërrimin në krokodilë. Qytetarët e mirë dhe të drejtë shumë gjëra i marrin si qesharake, e mbi gjithçka frikë prej atyre që i quajnë demonë llogarish, kalkulatorë lartësish, ndërsa duken si njerëz të hipur në balona e që më lodhin qafën, duke i parë kur rreken të fluturojnë e kapërcejnë lumenj e male. Të urtë dhe të mençur, largohuni nga vendi ku bien thasët prej balonave të mëdhenj e të fryrë elektoralë. Ulni kokën e mbillni patate. Keni harruar të ndërtoni stalla e të rrisin derra; të ndërtoni shtëpi e t’i shndërroni në shkolla. Të prisni pyllin e të ndërtoni ura. Thasët dhe po ranë, te këmbët e tyre do bien, do jenë pleh i mirë për tokën. Ah këta njerëz superiorë, na lanë me kokë e qafë - thyer lart, për të parë akrobacitë e fluturimit, për të zbuluar madhështinë e së bukurës edhe brenda një baloni. Po ulët kokat e të terreni me punët tuaj të përditshme, balonët do dashurojnë njeri-tjetrin dhe do ngjiten në pikën më të fryrë. Dhe së fundi, balonat e shfryrë, të shfrytëzuar, të lodhur, të triumfuar dëshirojnë të ulen mes njerëzve, shikojnë cili thes është rrëzuar pa u grisur, e marrin sërish e vënë në balon për fluturimin e radhës. Dikush harron dhe ngjitet në balonin e ngjyrës tjetër, duke shpresuar se nuk do të hidhet më poshtë, nga lartësia e madhe prej Njëshit që di të ndezë e të fikë motorat, se një ditë do t’ia vjedhë levën e drejtimit të balonit e do jetë ai njëshi i ri.