E Diel, 1 Nëntor 2026

Zot, shpëtoje universitetin!

08/02/2005  Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të vështirë morale, profesionale dhe të organizimit të brendshëm. Mbase duket “nxirje” e realitetit, por nuk ishte më keq as pas vitit 1981, kur u bë sulmi më i madh frontal kundër këtij institucioni nga shovinizmi i tërbuar serb. Atëbotë shumica e pedagogëve, studentëve dhe intelektualëve e mbronin universitetin me të gjitha mjetet që i kishin në dispozicion, ndërsa në përpjekje për t’iu kundërvënë sulmeve të egra serbe, përpiqeshin njëkohësisht të mbajnë nivelin e studimeve, moralin e përgjithshëm dhe kriteret e pranimit të pedagogëve. Kjo nuk do të thotë se edhe atëherë nuk pati ndërskamca, pranim të pedagogëve pa kritere, sidomos kur bëhej presion nga komiteti, apo nga klanet e mëhallëve të provincës. Por për rrethanat e kohës dhe duke e krahasuar me qendra tjera universitare të ish-Jugosllavisë, Universiteti i Kosovës kishte nivel, nxori kuadro që e mbanin mbi supe zhvillimin ekonomik, politik dhe intelektual të Kosovës. Fundja të gjitha ato kuadro i kemi sot në shumicën e institucioneve të Kosovës dhe në jetën publike e kulturore, të tillë çfarë janë.

Fatkeqësisht një pjesë e atyre “komitetlinjve” mbetën edhe sot e kësaj dite në Universitet, bënë çerdhe, rekrutuan kuadro sipas kritereve të tyre dhe krijuan kruzhoke të “kastës”, duke e klanizuar e varfëruar jetën universitare dhe nivelin e studimit në përgjithësi. Ndërkaq, po ata që dikur çirreshin për vëllazërim-bashkimin e bashkëjetesën, sot çirren për patriotizëm, duke u përpjekur kështu të mbulojnë paaftësinë e tyre profesionale, mungesat e shumta morale dhe ndërskamcat politike e profesionale, por edhe mëkatet e shumta nga e kaluara. Kjo trashëgimi negative vetëm sa është shumëzuar, ka mbizotëruar në Universitetin e Prishtinës dhe ka regrutuar njerëz të rinj, të frymës së vjetër, duke u përpjekur kështu të bëjë një kompromis për të larë mëkatet dhe për të bërë sa më shumë bashkëfajtorë apo “bashkëpatriotë”.

Universiteti i Prishtinës në pesë vitet e fundit në vend se të ngrejë nivelin e studimeve, në vend se të ecë në hap me kohën, në vend se të inkuadrohet në strukturat evroperëndimore të universiteteve dhe të institucioneve më të larta të shkencës, rrëzikon të izolohet tërësisht. Duke mos i përfillur rregullat e studimeve, duke pranuar pedagogë të cilët nuk i plotësojnë kushtet as për mësimdhënës të shkollave të mesme, Universiteti i Prishtinës po i dëbon kuadrot, po i largon studentët me ambicie dhe ngadalë po shndërrohet në universitet provincial të mëhallëve partizane apo të kasabave orientale. Akademikët e ardhshëm pa fajin e tyre në këtë rast janë viktima dhe prodhim serikë që nesër mund të mbetën në rrugë të madhe, sepse shkenca e avancuar dhe nevojat e institucioneve janë shumë më të mëdha se sa ajo që ofron Universiteti i Prishtinës. Po ashtu, duke përjashtuar rastet individuale të ambicieve të studentëve, pjesa më e madhe e tyre, pavarësisht nga dëshirat dhe pavarësisht nga ambiciet jo vetëm se nuk do të gjejnë punë, por do ta kenë shumë vështirë, që të mos themi të pamundur specializimin jashtë Kosovës, ose avancimet e ndryshme magjistraturale a të doktoranturës. Ata që e kanë provuar, ata që kanë dështuar, ose ata që rastësisht kanë pasur sukses, e dinë fare mirë se sa kanë vuajtur dhe sa kanë bërë përpjekje për të kompensuar atë që nuk e kanë mësuar në fakultetin përkatës të Universitetit të Prishtinës.

Natyrisht në këtë situatë kontribut të madh për situatën kaotike dhanë edhe unionet e studentëve të përjetshëm, të cilët i mbrojtën dhe i sforcuan kuadrot e padijshme apo të korruptuara.

Situata në Universitetin e Prishtinës është për t’u vajtuar. Udhëheqja universitare është e paligjshme, e zgjedhur në mënyrë partizane duke filluar nga rektori me biografi profesionale të dyshimtë, biografi njerëzore ende më të diskutueshme, fjalamani e agresivitet të skajshëm. Lukunia e njerëzve që e rrethojnë nuk dallon shumë nga shefi i tyre i instrumentalizuar, sikurse që shumë pedagogë të rinj apo më të vjetër nuk kanë asnjë meritë të torturojnë studentët, në vend se të ligjërojnë. Ata nuk kanë ndonjë titull shkencor që kërkohet së paku formalisht, edhe pse titulli do të duhej të ishte me kontribute shkencore prapa e jo vetëm formalizma idiotike. Jo pak pedagogë nuk e kanë vendin në universitet, por sipas rrëfimeve të studentëve në ndonjë qendër rehabilituese mentale. Të tjerët mund të bëhen tregtarë të mirë dredharak, sepse kryesisht dinë të bëjnë tregti me nota, apo të pranojnë studentë me leverdi materiale. Kjo kategori e pedagogëve të paaftë, moralisht të dyshimtë, profesionalisht të dështuar, fatkeqësisht vetëm deshtakë mund të prodhojnë, apo studentë me prirje diktatoriale, sepse ashtu siç sillet pedagogu që ia kanë vënë në katedër, ashtu edhe ai do të sillet nesër para nxënësve, vartësve të tij apo para studentëve.

Institucionet shtetërore ende nuk e zgjidhën nyjën më të pazgjidhshme, problemin e Universitetit të Prishtinës. Udhëheqja ilegjitime vazhdon të kullos në Universitet dhe të rrezikojë reformat, fatin e studentëve dhe fatin e institucionit. Gjykata, kompetente për shkarkimin e partizanëve të paligjshëm, duket sikur kalkulon, duke e zvarritur në mënyrë të dëmshme këtë çështje.

Prandaj, në këtë situatë, fatkeqësisht nuk na ka mbetur asgjë, pos të lutemi: Zot, shpëtoje Universitetin e Prishtinës!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›