E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici, i dehur kur vrau të dashurën

Instituti i Mjekësisë Ligjore po kryen një verifikim të plotë nëse polici i objekteve, Hazir Sallahi, ka qenë në gjendje të dehur kur qëlloi me katër plumba Anila Lazen, gruan me të cilën bashkëjetonte prej më tepër se dy vitesh. 

Dashamir Biçaku

 Kërkesa për të verifikuar përqendrimin e alkoolit në gjakun e 45-vjeçarit, që pasi qëlloi të dashurën vrau edhe veten, është bërë nga grupi hetimor i vrasjes së dyfishtë të ndodhur tri ditë më parë në Tiranë. Agjentët dhe hetuesit e policisë kanë mësuar se kohët e fundit, që kur problemet me të dashurën ishin shtuar, Hazir Sallahi konsumonte pije alkoolike dhe shpeshherë është kthyer në shtëpi dhe është konfliktuar me Anila Lazen në këtë gjendje. Hetuesit dyshojnë se edhe tri ditë më parë, polici i objekteve mund të ketë qenë në gjendje të dehur kur qëlloi katër herë me armën e punës mbi 34-vjeçaren Anila Laze, e më pas ekzekutoi veten në afërsi të stacionit të trenit, në zonën e Porcelanit në Tiranë.    
Letra e fundit
Në një nga xhepat e rrobave të ish-policit të objekteve, hetuesit kanë gjetur një letër të shkruar në pak radhë. “Unë u ndava nga bashkëshortja ime dhe nga fëmija im, për t’u lidhur me Anilën. U ndava nga miqtë dhe nga njerëzit e tjerë”, mësohet se kanë qenë fjalët e shkruara në pak radhë me shkrim dore nga efektivi i policisë së objekteve, para se të vriste të dashurën e më pas edhe veten. Hetuesit kanë vënë re se në letër, Hazir Sallahi shprehte ndjenja xhelozie ndaj të dashurës. “Ai kishte dyshime se ajo e tradhtonte me një person tjetër dhe këtë e kishte shprehur në letër”, ka pohuar për gazetën një burim nga zyra e hetimit të vrasjeve në polici. Dëshmitë e marra nga policia pas ngjarjes kanë hedhur dritë mbi një grindje të fundit përpara katër ditësh mes çiftit. Haziri kishte akuzar Anilën për tradhti, pasi për të ai kishte lënë gjithçka që kishte pasur më parë, duke iu përkushtuar asaj.
Pas tragjedia
Anila Laze, gruaja që kishte bashkëjetuar me vrasësin e saj gjatë dy viteve të fundit, është varrosur dje nga të afërmit e saj në Tufinë. Ndërkaq policia gjatë mbrëmjes së enjte ka pyetur në Komisariatin nr.4 të afërm të çiftit për të sqaruar motivet e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në zonën e Porcelanit. Nga deklarimet e marra hetuesit kanë mësuar se për shkak të xhelozisë, ish-polici i Komisariatit nr.2 kishte nisur të konsumonte sasi të konsiderueshme alkooli. Kjo gjendje, sipas tyre, ka nisur t’i sjellë probleme emocionale dhe psikologjike atij në marrëdhënien që kishte me bashkëjetuesen e tij, Anila Lazen. Pavarësisht dyshimeve për tradhti që ushqente partneri i saj, sipas hetuesve nuk ka ndonjë provë të fortë që Anila Laze t’i ketë dhënë shkaqe për ngjarjen Hazir Sallahit. Banorët e lagjes ku jetonte çifti prej dy vitesh, treguan se javët e fundit polici ishte ndarë nga e dashura, por edhe më parë ata ishin grindur për shkak se 45-vjeçari kishte dyshime, të cilat i shprehte vazhdimisht. Policia dje ka marrë në pyetje disa të afërm të familjes Sallahi, ndërsa gjatë ditës së nesërme ata pritet të marrin dëshminë e djalit të Hazir Sallahit. Bazuar në letrën e lënë para krimit të dyfishtë nga vetë polici, hetuesit e kanë të qartë tashmë motivin e krimit të dyfishtë që tronditi Tiranën tri ditë më parë, për shkak të veprimeve të rojës së objekteve dhe faktit se vrasja u krye në një ambient krejt publik.  

Autopsia
Dje në orët e para të mëngjesit, mjekët–ligjorë i kanë dorëzuar organeve të hetimit aktin e autopsisë së kryer në trupat e dy viktimave, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tyre. Sipas autopsisë së trupave të të dy viktimave, ka konkluduar se ata kanë ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra me armë zjarri. Ata kanë konstatuar 5 predha në trupin e gruas, në shpinë, në gjoks e pranë qafës, të cilat i kanë shkaktuar asaj vdekjen e pashmangshme. Një plagë me armë zjarri në kokë, sipas tyre, ka mjaftuar për t’i marrë jetën policit të objekteve të Komisariatit nr.2. Akti i autopsisë është administruar nga hetuesit në cilësinë e provës materiale. 

Çifti i ndarë
Çifti i vrarë pasditen e djeshme është varrosur i ndarë në vende të ndryshme. Hazir Sallahi është varrosur në shtëpinë e të birit të tij në Babrru, në periferi të Tiranës. Të afërmit e secilit prej tyre kanë vendosur të kryejnë një veprim të tillë, për të mos pasur probleme mes familjeve. Gruaja është varrosur në mesditë rreth orës 14:30 prej të afërmve të saj, ndërsa i shoqi është varrosur në orën 15:00 në Babrru, në lagjen e quajtur Kodra e Kuqe. Ceremonia është kryer në shtëpinë ku ai kishte jetuar me gruan dhe të birin e tij deri rreth vitit 2005, kohë edhe kur ai u nda me ta, për t’u lidhur me Lazen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›