E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kur u vra biznesmeni Demiri s’njoha asnjë nga të bandës”

18/06/2010 Dëshmitari okular Albert Gjyla përmbys të dhënat e para për Bandën e Lushnjës

TIRANË- Dëshmitari Albert Gjyla i pranishëm në momentin kur nga Banda e Lushnjës është vrarë biznesmeni maqedonas Xhevat Demiri, në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes, në gusht të vitit 1997, mohoi të kishte njohur ndonjë nga ata që qëlluan. Tashmë procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen se kanë kryer krime në emër të Bandës së Lushnjës dhe për llogari të Aldo Bares, është drejt fundit. Radhën e provave e ka mbrojtja, e cila dje solli në gjykatë Gjylën. Ai tha se “Unë ditën e ngjarjes, të cilën si datë nuk e mbaj mend isha duke u kthyer nga Kavaja. Dola në rrugë dhe tek këmbët më ndalon një furgon. Pashë që ishte Xhevat Demiri me gruan dhe fëmijët. Në vendin e pasagjerit në fillim ishte dhe Benet Gjyla. Unë e njoh atë pasi e kisha komshi. Më ftoi të hipja në makinë për të ikur. U futa bashkë me djalin dhjetë vjeç edhe pse pashë që furgoni nuk ishte i përshtatshëm, pasi ai e përdorte për tregti”. Më tej ai shtoi se në hyrje të Lushnjës tek kthesa e Blerimit, Xhevatit i dalin përpara dy djem të armatosur dhe të maskuar, që i bëjnë shenjë për të ndaluar. “Xhevati para se të ndalonte tha se sot paska shumë patrulla policie. Ata që e ndaluan ishin dy djem me trup mesatar. Unë nuk i njoha se ishin të maskuar dhe me rroba me lara. Biseduan rreth pesë minuta me të dhe më pas dëgjova një të shtënë. Dua të theksoj se nuk jam në gjendje të tregoj se ishte një e shtënë e vetme, apo breshëri të shtënash. Nga frika mbështolla djalin dhe ulëm kokën”, vazhdoi ai. Dëshmitari tha se bashkë me ata që qëlluan ishte një i tretë që i priste tek makina benz ngjyrë gri e vendosur rreth 30 metra para makinës së viktimës, por nuk kishte arritur që ta njihte. Ai tregoi se nuk e kishte parë atë ditë Arben Boriçin, por nuk përjashtoi mundësinë e të qenit, pasi ata që qëlluan ishin të maskuar. Po kështu tha se nuk e ka njohur asnjëherë Aldo Baren si portret dhe djemtë e tjerë. Me dëshminë e tij, Albert Gjyla kundërshtoi deklarimet e dhëna nga bashkëshortja e Xhevat Demirit, Mimoza Demiri. Ka qenë kjo dëshmitare, e cila i ka treguar gjykatës për autorët e vrasjes duke vënë gishtin mbi Arben Boriçin, Ilir Stërgun dhe Afrim Hoxhën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›