E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur zbardhi dita, Berlini ishte i ndarë

Gjermania kujton sot 50 vjetorin e ngritjes së Murit të Berlinit

Nga Katja Colmenares, BILD

Është ora 1:05 e mëngjesit të 13 gushtit 1961. Errësira ka zënë plotësisht vend. Trupat kufitare të Gjermanisë Lindore fikin dritat verbuese që shkëlqejnë mbi Portën e Brandenburgut (Brandenburger Tor). Deri më tani simboli i qytetit ndriçohej gjithmonë natën. Në errësirën e thellë, 20 mijë policë, ushtarë dhe trupa luftarake të RDGJ-së nisin ndarjen e Berlinit.

Plot 28 vjet zgjati errësira. Më së paku 136 njerëz u vranë në Murin e Berlinit, i përbërë fillimisht nga tela me gjemba. Kishte nisur Operacioni Trëndafili. Kur erdhi mëngjesi, Berlini ishte ndarë. Trëndafili- lulja e dashurisë, ishte kthyer në një gjemb mbrojtës.

Ky gjemb mbrojtës i përbërë nga betoni, kullat e rojës dhe një urdhër për të qëlluar, duhej të ndalonte arratisjen masive të qytetarëve të Gjermanisë Lindore drejt Perëndimit të lirë. Së paku 2.7 milion gjermano-lindorë që nga fundi i luftës. Shteti i punëtorëve dhe bujqve druhej për të ardhmen e tij- gjysma e të arratisurve janë nën 25 vjeç.

Që nga fillimi i viteve 50 RDGJ i ishte lutur shefit të komunistëve rusë, Nikita Hrushov, që të izolohej Berlini Perëndimor. Por më kot. Megjithatë, shefi i socialistëve gjermano-lindorë, Valter Ulbriht, më 21 janar kishte nisur një operacion për të garantuar sigurinë e kufijve.

13 gusht 1961, ora 1.25. Një i ri nga Tirgarten, i quajtur Helmut Forstman, po festonte nën dritën e hënës në një avullore në Dahme kur dëgjoi kapitenin në qendrën e zërit: të gjithë ata nga Berlini Perëndimor, duhet të kthehen sërish atje. Gjatë rrugës së kthimit, Forstman pa autokolonën e tankeve në stacionin Grynau.

Por si mund të ndash një qytet të tërë?

Më shumë se njëherë kreu i sovjetikëve, Hrushov, kishte bërë një pyetje të tillë. Pak përpara 13 gushtit, ai e pyet Ulbrehtin: Si do të kontrollohen rrugët, ku do dallohet se ku nis RDGJ e ku është Berlini Perëndimor?

Ulbriht: Në shtëpitë që kanë dalje në Berlinin Perëndimor, do ngremë mure. Në vendet e tjera do ngremë shpejt e shpejt barrikada me tela me gjemba. Më e vështirë do jetë më trafikun. Por do ndërtojmë platforma për devijimin nga Berlini Perëndimor.

13 gusht, ora 1:40. Presidiumi i Policisë Popullore. Qendra e kontrollit për ndërtimin e murit. Që prej katër ditësh aty priste Erih Honeker, Sekretar për Çështjet e Sigurisë në Komitetin Qendror të Partisë Socialiste, me tetë zyrtarë të tjerë. Aty është edhe Hans Modrov, sot zëvendës i Këshillit të të Urtëve të të Majtëve. Rrota e madhe e telit me gjemba shtrihet në 193 rrugë, dy linja metroje, 48 stacione metroje.

Në orën 4, Berlini është krejt i ndarë. 16 milion njerëz në RDGJ janë plotësisht të izoluar.

Megjithatë në 10 ditët që pasuan, rreth 20 mijë njerëz u arratisën. Pavarësisht çdo paralajmërimi të Policisë Popullore.

Banorët e Berlinit Perëndimor dolën në rrugët e ndara dhe nuk u besonin syve. Shumë prej tyre qanin. Nga ky izolim shumë familje ishin ndarë.

Një ditë përpara ngritjes së murit, kryebashkiaku i Berlinit, Vili Brand, sikur e kishte parandjerë këtë që do ndodhte. Përse po arratisen këta njerëz? Sepse kanë frikë se do mbeten të bllokuar në një burg gjigant, kishte thënë ai. Shërbimi sekret e kishte informuar Brand. Pritet të merren së shpejti masa kundër fluksit të të arratisurve. Edhe shërbimet sekrete të SHBA, Britanisë së Madhe e Francës ishin paralajmëruar që nga maji.

Por askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Fatale: Komiteti për Mbikëqyrjen e Berlinit, një komitet koordinues i inteligjencës nuk besonte kurrë se mund të kishte një mbyllje totale. Katër ditë përpara ndërtimit të murit madje deklaroi: Një ndarje e tillë e kufirit nuk është teknikisht e mundur. Ja që ishte. Për 28 vite rresht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›