E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e bllokuara, ankohen zjarrfikësit

Gjirokastër -Në këto ditë me temperatura të ulëta dhe me probleme më të shumta përsa i përket rënies së zjarreve në shtëpitë e banimit, efektivat e shërbimit zjarrfikës në Gjirokastër kanë shprehur shqetësimin se rrugët e ngushta, të cilat përshkojnë zona apo lagje të ndryshme të qytetit që pengojnë automjetet zjarrfikëse për të arritur në kohë në raste zjarri. Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës, Lefter Qirici, në mjaft raste kur duhet të shkojnë për t’i ardhur në ndihmë popullatës në raste zjarri, automjetet zjarrfikës përballen me rrugë të ngushta dhe të pakalueshme, zënien e rrugëve me parkime automjetesh, ndërtime me ngushtime rrugësh, hedhje materialesh inerte etj. Më problematike situata e zjarreve bëhet në pjesën e sipërme të qytetit, ku ndodhen edhe komplekset e gurta me vlera të veçanta historike dhe ndërtimore. Sipas specialistëve zjarrfikës, në zonën historike mungojnë hidrantet e emergjencës, çka bën që në një zjarr të mundshëm zjarrfikësit të furnizohen me ujë në lagjet e poshtme për t’u rikthyer sërish në pjesën historike. “Banesat në zonën historike janë me konstruksione druri, janë të grupuara dhe në raste zjarresh, në qoftë se nuk do të ndërhyhet shpejt, ekziston mundësia e kalimit të zjarrit nga një ndërtesë te tjetra me lehtësi”, thonë zjarrfikësit e Gjirokastrës. Në kushtet e mungesës së hidranteve të emergjencës në zonën historike, zjarrfikësit janë të detyruar që për të shuar sa më shpejt një vatër zjarri të shfrytëzojnë rezervat e ujit në banesa, çisternat me ujë dhe puset. B. Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›