E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kurbani”, Berisha: Rama ka virusin e Blushit, po shkruan vëllimet e Moisiut

Kryeministri Berisha deklaroi dje nga Tropoja se Tirana nxori në pension Haxhi Qamilin, Ramiz Alinë dhe Edi Ramën. “Është shumë herë më mirë të ulemi dhe të miratojmë ligjet që kërkohen për integrim, sesa të shkruajë vëllimin e 4 apo të 5 të kujtimeve të Moisiut apo të ndonjë tjetri”.

TIRANË Përmes një pritjeje entuziaste, kryeministri Sali Berisha vizitoi dje Tropojën duke marrë pjesë në inaugurimin e dy loteve të rrugës Has-Tropojë. Fillimisht, kryeministri inauguroi segmentin rrugor Rragam-Kam me gjatësi 31 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 811 milionë lekë dhe më pas rikonstruksionin e rrugës Kam- Golaj, segment i rrugës Bajram Curri - Has. Me premtimin se vitet e ardhshme investimet për rrethin e Tropojës do të trefishohen, kryeministri renditi një sërë fushash ku do të përqendrohen këto investime, ku një vend kryesor do të zënë projektet për fermerët dhe zbatimi i teknologjisë moderne në fushën e bujqësisë. “Vitet që vijnë, ju jap fjalën juve se këto investime do të trefishohen, dhe sapo të përfundojmë projektin kombëtar të rrugëve, ne do të ndërtojmë për ju, do të ndërtojmë për fermerët shqiptarë sistemin më modern të vaditjes, në mënyrë që ju të vadisni me metodat më të mira dhe të merrni prodhimet më të mëdha”, - tha ai. Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa komentuar edhe opozitën duke atakuar jo pak kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili vetëm dy ditë më parë botoi pjesë nga libri i tij “Kurbani”. “I bëj thirrje opozitës që të heqë dorë nga bllokimi, se të dënosh fëmijët e shqiptarëve për hir të karriges personale, apo të dënosh fëmijët e shqiptarëve se ty të kanë dënuar qytetarët e Tiranës, kjo është shumë amorale. Dua t’i them se koha është të shohim përpara. Është shumë herë më mirë të ulemi dhe të miratojmë ligjet që kërkohen për integrim, sesa të shkruajë vëllimin e 4 apo të 5 të kujtimeve të Moisiut apo të ndonjë tjetri. Nuk ka ç’të bëjë, kur nuk shkruan njeri për të, do shkruajë ai për veten e tij. Ndaj dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që projektin tonë ‘Shqipëria e zhvilluar’ ta çojmë çdo ditë përpara, por nga ana tjetër integrimi në Evropë do të jetë proces dinjitoz për çdo shqiptar”, - tha dje Berisha. Në çdo ndalesë të tij, kryeministri e kishte një përgjigje për Ramën, duke shtuar se ishte Tirana ajo që e nxori në pension politik. “Këtu nga Hasi dua t’u çoj një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Tiranës. Asnjë moment mos harroni se ata e kanë merituar njëqind herë qenien kryeqytetas. Ishin ata,

të cilët i dhanë Haxhi Qamilit atë që meritonte. Ishin ata në krye të shqiptarëve që nxorën në pension politik Ramiz Alinë. Ishin ata, të cilët në maj të këtij viti, në krye të shqiptarëve nxorën në pension politik Edi Ramën dhe i thanë: shkruaj memorie. Po vëllezër dhe tani i sëmurë nga virusi i Blushit, po shkruan vëllimet e Moisiut. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë së bashku”, - tha ai. Kryeministri shtoi se, në rast se opozita nuk do të miratojë ligjet me 3/5-at, atëherë ajo do të përfundojë në koshin e historisë. “Një gjë duhet t’u themi këtyre don kishotëve, se në historinë tonë kemi pasur të tillë. Kemi pasur të tillë, kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë. Ata dilnin me flamuj të rreckosur – poshtë shkaba, rroftë baba! Dhe këta janë mbetjet e historisë. Kemi pasur të tillë, kur shqiptarët mbushnin malet për të luftuar për liri, ata do të vendosnin diktaturën më të egër, më mizore, më barbare që Evropa ka njohur në historinë e saj. Po ku janë sot? Në koshin e historisë. Kemi pasur të tillë, të cilët përdorin pushtetin e dhënë nga qytetarët shqiptarë për të bllokuar ligjet me 3/5-at në parlament. Po ku do shkojnë? Te paraardhësit e tyre do të përfundojnë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›