“Nder i Kombit” për Arbnorin, mungon Berisha e Topalli
Topi për Arbnorin: “...Asnjë politikan tjetër nuk ka sakrifikuar më shumë se ai për Shqipërinë demokratike dhe europiane, të cilën e përfaqësoi me dinjitet dhe mjeshtëri të veçantë”
TIRANË Në një ceremoni të veçantë e solemne, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi për herë të parë (pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit”, të përndjekurin politik, politikanin dhe parlamentarin, shkrimtarin dhe publicistin e njohur shkodran, Pjetër Arbnori. Në ceremoninë e djeshme, figurën e Arbnorit e nderuan drejtues të institucioneve të të përndjekurve, politikanë, shkrimtarë, artistë, familjarë e miq të shumtë, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Ajo që binte në sy në këtë ceremoni kaq të thjeshtë ishte mungesa e figurave të larta të Partisë Demokratike, më saktë e kryeministrit Sali Berisha dhe e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të dy të ftuar në ceremoninë e djeshme nga familja Arbnori. Kryeministri Sali Berisha ndodhej dje në Tropojë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vijonte aktivitetin e përditshëm në Tiranë duke mos u bërë pjesë e nderimit dhe respektit për veprimtarinë dhe kontributin intelektual të Pjetër Arbnorit. Lista e të ftuarve, e përgatitur nga familja e Pjetër Arbnorit, përfshiu dje në ceremoni miq e të afërm, por edhe ish-figura të rëndësishme të PD-së, si ish-kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi apo edhe përfaqësues të tjerë demokratë ndër vite, si Blerim Çela, Uran Butka e Ylli Vejsiu. Urdhri i lartë “Nderi i Kombit” iu dorëzua vajzës së tij, Gjystina, me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ua kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”.
Topi
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës ka deklaruar se Pjetër Arbnori
mbetet një simbol qëndrese dhe humanizmi, një politikan e intelektual me horizont të gjerë dhe urtësi shembullore, një burim frymëzimi për sjellje qytetare dhe mendimin e lirë. “Në kontrast me modelet politike konfliktuale dhe ideologjike, me sjelljet politike joqytetare dhe penguese për vendin, Arbnori kujtohet nga të gjithë për qetësinë, argumentin dhe integritetin e lartë. I zgjedhur deputet në pesë legjislatura, një nga përfaqësuesit më të denjë të qytetarisë shkodrane, Arbnori krijoi edhe në demokraci modelin e politikanit evropian, mbështetës i vendosur i dialogut politik dhe i shtetit të së drejtës, aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut, politikan që vendos mbi gjithçka tjetër interesin publik e kombëtar”, - tha dje Topi. Për shkak të cilësive të veçanta të tij, Topi shtoi se Arbnorin e donin dhe e respektonin kudo, në parlament dhe jashtë tij, në Shkodër dhe në Vlorë, në Prishtinë e jashtë saj. “Asnjë politikan tjetër i tranzicionit nuk ka marrë më shumë nderime e respekt nga bashkëkombësit e tij dhe miqtë e Shqipërisë, sepse asnjë politikan tjetër nuk ka sakrifikuar më shumë se ai për Shqipërinë demokratike dhe evropiane, të cilën e përfaqësoi me dinjitet dhe mjeshtëri të veçantë”, - tha ai.
Gjystina Arbnori: Emri i babait, detyrim për të vazhduar rrugën e tij
TIRANË Pas dorëzimit të Urdhrit “Nder i Kombit”, ceremoninë e djeshme në emër të familjes Arbnori e përshëndeti e bija e tij, Gjystina. “Emri i babait është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, një detyrim për të vazhduar rrugën dhe filozofinë e tij. Ky vlerësim që i jepet sot babait, i shkon natyrisht dhe mamasë sonë, që ka ndarë me të çdo moment të bukur dhe të vështirë në karrierën e tij si politikan dhe shkrimtar, deri në momentet e fundit, por dhe të gjithë shokëve, miqve dhe dashamirësve të familjes sonë, që kontribuojnë duke mbajtur gjallë emrin e tij. Ata janë vërtet të shumtë në numër dhe në emër të të gjithëve, unë ju them dhe njëherë: Faleminderit për këtë dekoratë!” - tha dje Gjystina Arbnori