Tryeza, Rama: Ne flasim për integrim, Berisha shan majë maleve
Rama për mungesën e PD-së në tryezë: “Mesa duket, janë të zënë me punë më të rëndësishme sesa integrimi europian i Shqipërisë dhe marrja e statusit të kandidatit”.
TIRANË Ndërsa kryeministri Sali Berisha po përuronte rrugë në Tropojë, opozita në anën tjetër po zhvillonte tryezën e parë për sistemin e drejtësisë, ku përpos ftesës së PS-së, asnjë prej përfaqësuesve të PD-së nuk mori pjesë. Jashtë punimeve të tryezës, kryetari i PS-së, Edi Rama iu kundërpërgjigj deklaratave të Berishës, duke shtuar se mazhoranca ka punë të tjera më të rëndësishme se integrimi. “Ne kemi shpalosur një vizion më të detajuar për procesin që ftojmë të hapet për ligjet me 3/5-at. E kemi ndarë këtë me përfaqësues të nderuar të botës së drejtësisë shqiptare dhe po ashtu me miq dhe partnerë të nderuar ndërkombëtarë. Nuk kemi mundur ta ndajmë dot me përfaqësuesit e palës tjetër të ftuar për të marrë pjesë në këtë tryezë, sepse mesa duket, janë të zënë me punë më të rëndësishme sesa integrimi europian i Shqipërisë dhe marrja e statusit të kandidatit. Dhe e përfytyroj që ndërkohë që ne flisnim për gjërat që kërkon Europa prej nesh, Saliu do ketë qenë në ndonjë majë mali, duke thënë nuk më lë opozita ta lëshoj Shqipërinë që e kam kapur prej fyti”, - tha dje Rama. Në tryezën e djeshme të organizuar nga PS-ja morën pjesë përfaqësues të misioneve europiane që asistojnë reformën në drejtësi, akademikë, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Gjatë tryezës kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi edhe njëherë se opozita nuk do të japë pëlqimin për ligjet me 3/5-at në rast se nuk do të ndërmerret një reformë tërësore. “Procesi i ligjvënies me 3/5-at është një proces që nuk është ashtu siç thuhet rëndom, i mbetur në vend për shkak se ne kemi pasur një qëndrim thjesht politik në raport me Kuvendin për një periudhë të caktuar kohe, por për shkak se ne kemi refuzuar dhe refuzojmë t’i shikojmë këto ligje si arna apo si ndërhyrje pjesore në kuadrin e një domosdoshmërie ulëritëse që ka sot Shqipëria për një reformë tërësore, siç u prek edhe këtu me plot të drejtë pothuaj nga të gjithë”, - tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se ky do të jetë një proces brenda një axhende të mirëpërcaktuar, e cila do të trajtojë të gjitha ligjet që kanë nevojë për ndërhyrje apo për përmbysje, me qëllim që deri në pranverë vendit t’i serviret një reformë reale e sistemit të drejtësisë, duke i adresuar problemet në themel.
som
“Procesi i ligjvënies me 3/5-at është një proces që nuk është ashtu siç thuhet rëndom, i mbetur në vend për shkak se ne kemi pasur një qëndrim thjesht politik në raport me Kuvendin për një periudhë të caktuar kohe, por për shkak se ne kemi refuzuar dhe refuzojmë t’i shikojmë këto ligje si arna”
Ligjet me 3/5-at, Omari: Duhet të rishqyrtohen
TIRANË Në tryezën “Drejtësia në Sfidën e Integrimit- Reflektim mbi rekomandimet e Opinionit dhe Raport-Progresit të BE-së”, nismë e deputetëve socialistë në komisionin e Ligjeve, nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i PD-së. Në tryezën e iniciuar dje në mesditë mori pjesë vetëm kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj deklaroi gjatë fjalës së tij se PS-ja është e hapur për të mirëpritur çdo ide dhe sugjerim që lidhet me reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. "Ky takim, që ka si pikënisje shqetësimin tonë të thellë, është njëkohësisht edhe shprehje e përgjegjësisë sonë për të debatuar dhe shkëmbyer mendime në mënyrë konstruktive. Ftesa jonë për këtë tryezë ishte e gjerë edhe për qeverinë, edhe për mazhorancën, si një mundësi tjetër për t'iu anashkaluar politikës konfrontuese dhe për t'i dhënë rrugë frymës së dialogut dhe konsensusit parlamentar rreth reformave në drejtësi, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht kontributin e të gjithëve. Ndihemi të keqardhur për mungesën e tyre në këtë tryezë", - tha nënkryetari i komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Përpos keqardhjes, socialistët kanë mirëpritur dje sugjerimet e dhëna nga konstitucionalistë të njohur në Shqipëri, ku një prej tyre është edhe Luan Omari. Ky i fundit deklaroi dje se duhet një reformë e gjerë në sistemin e gjykatave dhe në prokurori. Omari ka theksuar gjithashtu nevojën për miratimin e ligjeve me 3/5-at.
“Mendoj se reforma e prokurorisë nuk mund të ndahet nga reforma e gjyqësorit. Esenciale është forcimi i pavarësisë së prokurorisë, i cili edhe formalisht është shprehur me ndryshimin që i është bërë nenit përkatës që parashikon reaksionin e prokurorit me Kuvendin. Për prokurorin do të sugjeroja që të shikohej edhe mundësia e një decentralizimi, sikurse e kanë edhe vende të tjera, sidomos Italia fqinje. Realizimi i reformës kërkon aktivizimin e të gjitha institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Për ligjet me shumicë, mendoj se ato ligje duhet të votohen, por duhet të votohen pasi të rishqyrtohen, sepse shumë prej tyre kanë kaluar në komisionet parlamentare pa mendimin e opozitës”, - tha ai.
Propozimi, Hajdari: Mandati i
Prokurorit të Përgjithshëm, 9 vjet
TIRANË Në tryezën e djeshme të opozitës ka qenë i ftuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, i cili ka sugjeruar disa ndryshime sa i përket sistemit të drejtësisë. Një ndër këto sugjerime është edhe zgjatja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nga 5 në 9 vjet, si dhe miratimi i dekretit për këtë të fundit me votë të cilësuar. "Ndryshimi i parë: buxheti i prokurorisë të jetë i pavarur, i miratuar me ligj, bazuar në kërkesat e parashikuara dhe të argumentuara nga organi i prokurorisë në çdo fillim viti. Dy: të mundësohet barazimi i pagave të prokurorëve dhe për rrjedhojë edhe të gjyqtarëve me prokurorë dhe gjyqtarë të rajonit, Maqedoni, Mali i Zi edhe Kosovë...Për organin e Prokurorisë do të sugjeroja në emër të shoqatës që të bëhen këto ndryshime. Të ruhet pozicioni kushtetues i Prokurorit të Përgjithshëm dhe mënyra e zgjedhjes së tij, por të barazohet mandati i tij me mandatin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë 9 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Tre: miratimi i dekretit të Presidentit të Republikës për Prokurorin e Përgjithshëm të bëhet nga parlamenti, me votë të cilësuar me 3/5-at...", - tha Hajdari. Ai ka kërkuar gjithashtu sigurimin e mbrojtjes fizike të prokurorëve dhe familjarëve të tyre nga një trupë policore, e cila të jetë pjesë organike në strukturat e prokurorisë së përgjithshme. “Rritje të numrit të përgjithshëm të oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve të prokurorisë. Rritje të numrit dhe të kompetencave të këshillit të prokurorisë. Bashkim të prokurorive të shkallës së parë dhe prokurorive të apelit në ambiente të përbashkëta me gjykatat respektive në ato rrethe, në të cilat nuk është realizuar deri tani...”, - tha ai.
Propozimi i PS-së për ligjet me 3/5-at
“Shqyrtimi nga komisioni për Çështjet Ligjore brenda këtij sesioni të legjislaturës të çdo çështjeje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë. Ky shqyrtim, pjesë e një procesi të domosdoshëm, të qëndrueshëm e afatgjatë të reformimit të sistemit të drejtësisë, duhet të kryhet në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstitucionalistësh, si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti sipas fushave”.
Pikat e propozuara dje nga grupi parlamentar i PS-së për sistemin e drejtësisë:
I. Fillimin e një procesi të reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë për të realizuar progresin e kërkuar në këtë fushë, si një prioritet kyç i Opinionit dhe Progres-Raportit të BE-së, duke marrë përsipër :
Hartimin dhe miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të Paktit Kombëtar për Drejtësinë...Ky plan të hartohet nga një komision i posaçëm ad-hoc, përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës për grupet e interesit dhe shoqërinë civile.
•Të reflektojmë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe paanshmërinë e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe të organit të prokurorisë, duke bërë përmirësimet e nevojshme, siç rekomandohet edhe nga Progres-Raporti.
•Të forcojmë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë përmes zbatimit të një sërë masash ligjore dhe institucionale.
•Të mundësojmë pavarësinë financiare të prokurorisë dhe gjykatave përmes vendosjes së një standardi detyrues në buxhetin e shtetit.
•Rritjen e transparencës në dhënien e drejtësisë dhe të aksesit të qytetarëve në drejtësi.
•Inkurajimin dhe mbështetjen e strukturave të prokurorisë dhe policisë gjyqësore për zhvillimin e hetimeve proaktive dhe intensive, jashtë ndikimeve politike.
II. Të garantojmë një mbështetje të plotë ligjore e institucionale ndaj institucioneve ligjzbatuese për të bërë progresin e kërkuar nga Raport-Progresi lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, kulturës së pandëshkueshmërisë e korrupsionit në të gjitha nivelet, si një ndër prioritetet kyçe të Opinionit të BE-së përmes :
•Krijimit të menjëhershëm të një komision ad-hoc parlamentar që të shqyrtojë propozimet e bëra nga BE dhe KiE, lidhur me heqjen/kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë (ministra, deputet, gjyqtarë etj.), me asistencën e ekspertizës së kualifikuar ndërkombëtare e vendase, duke mbajtur parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje.
•Vendosjen e një niveli transparence e mbikëqyrjeje në veprimtarinë e të gjitha organeve e strukturave shtetërore përgjegjëse në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, si edhe duke rritur barrën e përgjegjësisë ligjore mbi të gjithë hierarkinë e tyre.
•Fuqizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit (prokuroria, policia gjyqësore, KLSH, ILDKP, departamentet e Kontrollit të Brendshëm etj.) përmes masave ligjore e institucionale që sigurojnë mbështetjen me burimet e kërkuara njerëzore, financiare, teknike e logjistike, si dhe nxisin kryerjen e hetimeve proaktive dhe rezultative e rritjen e ekspertizës investigative, zbuluese e hetimore dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet tyre.
III. Të reflektojmë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me reformën në fushën e pronësisë, i konsideruar një tjetër prioritet i Opinionit, për të cilin në Raport-Progresin e BE-së kërkohet zbatimi efektiv i një sërë masash konkrete si :
•Të nxisim e mbështesim hartimin, miratimin dhe zbatimin e një Strategjie dhe Plan Veprimi Kombëtar për Pronën, i cili të adresojë transparencën në kthimin e në kompensimin e pronës.
•Të nxisim hartimin dhe miratimin e një pakete të posaçme masash ligjore e institucionale, që qartësojnë transparencën në procesin e regjistrimit të pronës...
VI. Të mundësojmë realizimin e progresit të kërkuar, lidhur me adresimin e prioriteteve kyçe në forcimin e mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në zbatimin efektiv të politikave antidiskriminuese.