E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BE, ambasadori i Danimarkës: Qeveria, përgjegjëse

TIRANË Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjer Jensen, nëpërmjet një fjalimi të mbajtur në një aktivitet dhe të botuar në gazetën “Tirana Times”, ka analizuar Progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, duke mos përjashtuar përgjegjësitë që qeveria ka për këtë përmbajtje. “Raporti i progresit i është dorëzuar qeverisë. I është dorëzuar qeverisë, sepse në analizën përfundimtare qeveria është përgjegjëse për më të shumtën e asaj që është analizuar në Raportin e progresit. Pra raporti, jo për të gjithë por për shumicën e qëllimeve praktike, është një dëftesë që tregon se çfarë ka arritur qeveria gjatë vitit të fundit. Nuk e them këtë për të qenë polemizues apo partizan. Është fakt. Por që ky fakt i thjeshtë mund të shihet si shumë kontrovers apo partizan, në një kontekst shqiptar ndoshta është shumë tregues për gjendjen e ligjërimit politik në Shqipëri”, - tha ai. Për pasojë, ambasadori i Danimarkës sqaron në të njëjtën kohë edhe pozicionin e tij kundrejt politikës. “...Ambasadorët nuk vijnë në Shqipëri që të rreshtohen në ushtritë e së majtës apo së djathtës, të bëhen luftëtarë në luftën midis fraksioneve të politikës. Për ambasadorët e Bashkimit Europian, objektivi ynë i përbashkët është që të bëjmë çfarë mundemi për të ndihmuar që Shqipëria të bëhet gati për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, - tha ambasadori i Danimarkës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›