E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, pushojnë reshjet, 400 ha tokë ende nën ujë

• KURBIN - Rreth 400 ha tokë vazhdon të jetë e përmbytur në rrethin e Kurbinit, megjithë ndalimin e reshjeve ditën e djeshme.

Këtë fakt e pohuan burime zyrtare të Prefekturës së Lezhës pas verifikimeve që kanë bërë në terren specialistët e bujqësisë. Sipas kryetarit të Bashkisë së Laçit, Luigj Isufi, si rezultat i mos hapjes së kanaleve është shkaktuar përmbytja e një sipërfaqeje prej 30-40 hektarësh në qytetin e Laçit. “Në ndihmë të banorëve kemi çuar mjete të rënda për të hapur kanalizimet, për të shmangur përmbytjen e shtëpive të tyre. Ne po ndjekim situatën me kujdes, së bashku me shtabin e emergjencës dhe duhet thënë se dy hidrovoret që bëjnë të mundur tërheqjen e ujërave kanë punuar pa ndërprerje”, pohon Isufi. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Mamurrasit, Dedë Ndreca e ka cilësuar alarmante situatën në zonën që mbulon institucioni i tij. “Mund të them se ndodhen nën ujë 200 ha tokë e mbjellë me grurë dhe jonxhë. Ne e kishim parashikuar këtë situatë dhe ia kemi bërë prezent kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë që të mundësojë hapjen e kanaleve kulluese, por nuk ka asnjë investim. Për 3 ditë e net, bashkë me drejtorin e Bordit të Kullimit të Lezhës, Luigj Frangaj dhe prefektin Njazi Reçi kemi ndjekur me kujdes situatën dhe kemi ndërhyrë duke dërguar mjete për hapjen e kanaleve dhe vendeve më problematike, por nuk kemi mundur të largojmë ujin nga të mbjellat. Situata është problematike në Gjormë, në Fushë Mamurras etj.”, thotë Ndreca. Një gjendje të vështirë paraqet dhe kryekomunari i Milotit, Vlash Gega, sipas të cilit janë qindra hektarë të përmbytur në Fushë-Milot dhe Malbardhë.           r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›