E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria dha 15 konteinerë për fabrikën e Delijorgjit

• Fuqia shkatërrimtare e shpërthimit të ndodhur në fshatin Gërdec duket se ka qenë...

Trazhgim Sokolaj

... pasojë e grumbullimit të municioneve dhe barutit të tepërt në fabrikë.
 Shkëndija e parë e cila ka aktivizuar më pas djegien dhe shpërthimin e gjithçkaje përreth, duket se ka gjetur terren në sasi të mëdha predhash, djegoresh dhe baruti që ndodhej në fabrikë dhe përreth saj. Tri ditë para tragjedisë së ndodhur nga shpërthimi në fabrikën e çmontimit në fshatin Gërdec, Luan Hoxha, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka urdhëruar të dërgoheshin aty 15 kontejnerë të ushtrisë në të cilët do të grumbullohej baruti. Urdhri kërkonte që kontejnerët të dorëzoheshin nga një repart ushtarak në Tiranë brenda datës 15 mars, ditë kur ndodhi tragjedia që shkaktoi 24 të vdekur e mbi 300 të plagosur. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se ditën kur ndodhi tragjedia në oborrin e fabrikës ndodheshin dhjetë kontejnerë nga të cilët katër të mbushur me barut. Sipas hetuesve, nëse kontejnerët nuk do të ishin aty dhe nëse sasia e barutit do të asgjësohej pa u lënë të grumbullohet, fuqia shkatërrimtare e shpërthimit do të ishte disa herë më e vogël. Prokuroria dhe dëshmitarët thonë se të paktën tre nga kontejnerët e vendosur në oborrin e fabrikës, kanë qenë të mbushur me sasi baruti që ishte nxjerrë nga çmontimi i predhave.
Urdhri
Dokumenti që publikon sot gazeta “Panorama” është firmosur më 12 mars 2008 nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, vetëm tri ditë para katastrofës së ndodhur 10 kilometra larg Tiranës. Urdhri i adresohet Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm dhe kërkon që reparti ushtarak nr.4001 në Tiranë, të bëjë dalje të përkohshme brenda datës 15 mars 2008 për 15 kontejnerë për ndërmarrjen “Meico”. Urdhri kërkon gjithashtu që reparti ushtarak që do të jepte kontejnerët të ndihmonte ndërmarrjen “Meico” për transportimin e kontejnerëve në destinacion. Destinacioni i tyre mësohet se ka qenë fabrika e demontimit të municioneve në fshatin Gërdec. Pasi janë marrë në dorëzim nga ndërmarrja “Meico”, kontejnerët, sipas urdhrit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm janë transportuar me mjetet e repartit ushtarak nr.4001 në drejtim të Fabrikës së demontimit në Gërdec. Kjo procedurë cilësohet si vendosje e mjeteve të ushtrisë në shërbim të një aktiviteti privat, siç ishte demontimi i predhave që kryhej nga firma “Alb Demil” në fabrikën e ngritur prej saj në Gërdec. Sipas ligjit, çdo urdhër që vendos mjetet ushtarake, në këtë rast kontejnerët, në shërbim të aktiviteteve private veç firmës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm kërkon edhe firmën e ministrit të Mbrojtjes. Në rastin e 15 kontejnerëve që kanë shkuar nga reparti ushtarak në fabrikën e demontimit ku ndodhi katastrofa, siç tregon dokumenti i urdhrit nuk është bërë asnjë propozim dhe nuk është marrë asnjë firmë nga Ministria e Mbrojtjes. Duke iu referuar deklaratave dhe qëndrimeve të mbajtura nga Shtabi i Përgjithshëm, burimet hetimore thonë se vendosja e kontejnerëve në shërbim të fabrikës është bërë duke marrë informacion për destinacionin e mjeteve ushtarake dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Debati
“Lufta e ftohtë” mes Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit, po ndiqet me vëmendje nga Prokuroria. Deklaratat dhe reagimet publike të bëra nga të dyja palët, sipas institucionit të akuzës po ekspozojnë çdo ditë fakte të reja për ngjarjen, të cilat kthehen menjëherë në objekt hetimi. Prokuroria ka grumbulluar një sasi të konsiderueshme dokumentesh që hedhin dritë mbi pozicionin e secilit institucion lidhur me repartin e çmontimit të municioneve dhe predhave në fshatin Gërdec. Ministria e Mbrojtjes ka pretenduar se ushtarakë dhe autoritete të Shtabit të Përgjithshëm kishin vizituar repartin e demontimit në Gërdec e më pas nuk kishin raportuar për ndonjë shqetësim lidhur me sigurinë e punës aty. Dikasteri i Mbrojtjes është shprehur më tej se përcaktimi i Gërdecit si vendi ku do të vendosej fabrika për demontimin është bërë në konsultim me strukturat ushtarake. Mirëpo Shtabi i Përgjithshëm ka pretenduar se është shmangur nga diskutimi dhe vendimmarrja për vendosjen e fabrikës në Gërdec. Shtabi gjithashtu është shprehur se nuk kishte rekomanduar vendosjen e fabrikës në Gërdec dhe se vizitat e autoriteteve të këtij institucioni në këtë fabrikë, nuk kishin certifikuar aktivitetin që kryhej aty.

Luan Hoxha, dy dëshmi në Prokurori
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha ka dhënë dy herë me radhë deklarime për grupin e prokurorëve që po heton tragjedinë e Gërdecit. Fillimisht disa ditë më parë në zyrën e tij, por më pas në Prokurorinë e Tiranës, Luan Hoxha është shprehur se Shtabi nuk kishte marrë pjesë në vendimmarrjen që caktoi Gërdecin për vendosjen e fabrikës së demontimit. Sipas dëshmisë së gjeneralit, marrëdhëniet me firmën që kishte ngritur fabrikën mbuloheshin nga ndërmarrja “Meico”, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte certifikuar aktivitetin e çmontimit të predhave në këtë ish-repart ushtarak që kishte mbetur bosh pas asgjësimit të tankeve që ndodheshin aty më parë. 

Urdhri i 23 janarit: Një fadromë e Ushtrisë të punojë në Gërdec
TIRANE - Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm që e dërgoi të punonte me fadromë te ndërmarrja e çmontimit në Gërdec, ka qenë fatal për Ilirjan Malçin. Ai u gjet i vdekur mes rrënojash duke u renditur kështu mes viktimave të tragjedisë, pasi kur ndodhi shpërthimi ndodhej në Gërdec duke punuar me fadromën e repartit ushtarak nr.4001. Urdhri i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me nr.56, datë 23 janar 2008, i kërkonte repartit nr.4001 të vinte një fadromë në dispozicion të projektit të demontimit të municioneve në Gërdec, duke kërkuar që fadroma të qëndronte atje deri në përfundim të projektit. Mënyra e përdorimit të mjetit është caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm të bëhej në bazë të një urdhri të ministrit të Mbrojtjes të datës 2 shtator 2003. Sipas dokumentit të firmosur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që vendos në dispozicion të fabrikës në Gërdec fadromën e ushtrisë, përgjegjës për zbatimin e urdhrit është reparti ushtarak nr.4001 në Tiranë, ndërsa Drejtoria e Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, ngarkohej të ndjekë zbatimin e urdhrit, që siç shkruhet në dokument, hynte menjëherë në fuqi.

Municionet, gjeneralët fajësojnë “Meico”

Komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneral Major Astrit Jaupi, dëshmoi dje në Prokurorinë e Tiranës para prokurorëve që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

 Pyetjet që prokurorët i drejtuan ushtarakut të lartë ishin ndërtuar në dy linja: municionet që janë kaluar nga Forcat Ajrore në dispozicion të ndërmarrjes “Meico”, e cila ia kalonte më pas firmës amerikane SAC dhe ngarkesat e fishekëve që janë vendosur në avionët e transportit në hapësirën e kontrolluar nga Forcat Ajrore shqiptare në Rinas. Sipas të dhënave të Prokurorisë, një pjesë e municioneve që “Meico” i ka dhënë firmës amerikane SAC dhe kjo e fundit ia ka kaluar firmës “Alba Demil”, i përkasin artilerisë kundërajrore dhe kanë qenë në administrim të Forcave Ajrore. Për kalimin e tyre në dorëzim të ndërmarrjes “Meico” veç firmave të tjera nevojitej edhe nënshkrimi i Komandantit të Forcave Ajrore shqiptare. Gjeneral Major Astrit Jaupi ka dëshmuar lidhur me sasinë e municioneve të destinuara për demontim që Forcat Ajrore i kanë kaluar ndërmarrjes “Meico” në Ministrinë e Mbrojtjes. Ushtaraku i lartë ka treguar për të gjitha sasitë e municioneve që kishte dorëzuar te ndërmarrja “Meico”, duke depozituar në Prokurori edhe dokumentacionin përkatës. Lidhur me atë çfarë ndodhte më pas me këto municione në fabrikën e Gërdecit, Komandanti i Forcave Ajrore ka shpjeguar se sipas urdhrit të ministrisë, marrëdhëniet me subjektin që kishte fabrikën i përkisnin ndërmarrjes “Meico”.
Ngarkesat e fishekëve
Lidhur me ngarkesat e fishekëve që janë vendosur në avionë të transportit ushtarak për t’u tregtuar jashtë Shqipërisë, ushtaraku i forcave ajrore ka thënë se trupat ushtarake shqiptare kanë vepruar vetëm në bazë të urdhrave të dhënë sipas të gjitha procedurave ligjore dhe ushtarake. Mësohet se në procesin e ngarkimit të fishekëve në avionët që uleshin në hapësirën ushtarake të Rinasit, kanë qenë të angazhuara struktura të ushtrisë shqiptare. Gjeneral Jaupi ka thënë se ishte vepruar vetëm në bazë të urdhrave të protokolluar dhe se asgjë nuk ishte bërë jashtë spektrit të veprimtarisë së rregullt ushtarake. Ai gjithashtu ka konfirmuar para prokurorëve, se në hapësirën për të cilën është përgjegjëse struktura e Forcave Ajrore shqiptare, nuk është vepruar dhe nuk është kryer asnjë ngarkesë apo transportim municionesh i pa autorizuar dhe pa shoqërimin me dokumentet dhe praktikën e rregullt ligjore e ushtarake. Tre zyrtarë të lartë të Forcave të Armatosura, nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Komandanti i Forcës së Bashkuar, Gjeneral Shpëtim Spahiu si dhe me Komandantin e Forcave Ajrore, në deklarimet e tyre të dhëna në Prokurori kanë mohuar përgjegjësinë për fabrikën e “Gërdecit”, duke pohuar se marrëdhëniet me subjektin që e zotëronte atë i gëzonte ndërmarrja “Meico” dhe se ushtria ka kryer vetëm veprimet e autorizuara nga urdhri i Ministrisë së Mbrojtjes.

Prokuroria: Akuzat e Shtabit, do ftojmë Mediun të dëshmojë përsëri
TIRANE - Prokuroria e Tiranës deklaroi se do të ftojë përsëri ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të dhënë sqarime lidhur me dosjen "Gërdeci". Burimet nga grupi hetimor i çështjes, konfirmuan dje se marrja e deklarimeve nga ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes është e nevojshme të bëhet pas pretendimeve të paraqitura në Prokurorinë e Tiranës nga tre ushtarakë të lartë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Komandanti i Forcës së Bashkuar dhe Komandanti i Forcave Ajrore Shqiptare. Një pjesë e pyetjeve të hetuesve, që duket se po përgatiten për ish-ministrin Mediu, mësohet se kanë të bëjnë edhe me qëndrimet e mbajtura nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili ka pretenduar se ishte shmangur nga diskutimi dhe vendimmarrja për vendosjen e pikës së demontimit në fshatin Gërdec. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, mësohet se kësaj here pyetja e ish-ministrit Mediu do të jetë më e hollësishme sesa seanca e parë dhe do të ketë për qëllim saktësimin më në detaje të procedurave që janë ndjekur lidhur me procesin e demontimit. Prokuroria gjithashtu deklaroi se kontrata e parë e nënshkruar nga ndërmarrja "Meico" e Ministrisë së Mbrojtjes me kompaninë amerikane SAC, kishte përfunduar në dhjetor 2007 dhe ishte e rregullt. Tashmë objekt hetimesh është bërë kontrata e dytë e nënshkruar mes "Meico" dhe të njëjtës firmë amerikane SAC, e cila nuk kishte licencë për demontim predhash dhe që më pas ka nënkontraktuar kompaninë shqiptare "Alba Demil", e cila edhe ajo nuk ishte licencuar për të çmontuar predha të artilerisë së rëndë luftarake. Kjo kontratë e dytë e nënshkruar mes "Meico" dhe SAC po i nënshtrohet edhe një ekspertize shkencore për verifikimin e ndonjë falsifikimi të mundshëm.                                              t.s

Letra e Ramës: Na jepni ftesën

Kreu socialist Edi Rama një javë para Samitit të Bukureshtit i jep garanci NATO-s për mbështetje të opozitës për anëtarësimin e Shqipërisë.

Aristir Lumezi

Në një letër dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut Verior, Jaap de Hoop Scheffer, Rama shpreh angazhimin e opozitës për të mbështetur aspiratën e vendit për t'u anëtarësuar në NATO. "Sot opozita shqiptare është edhe më e angazhuar për të luajtur rolin e saj në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për integrimin në familjen euroatlantike", shprehet Rama në letrën e tij. Sipas Ramës, "si asnjëherë më parë në jetën e demokracisë sonë të re, ne ndërtuam një proces politik të bazuar jo mbi interesa të ngushta partiake po mbi interesin kombëtar për të përmbushur detyrimet që do t'i mundësonin Shqipërisë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, duke dhënë kontributin e konsensusin tonë për të kryer reformat e identifikuara, nga qytetarët shqiptarë e nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si të domosdoshme në këtë pjesë të rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të plotë euroatlantik". Tragjedia e Gërdecit ndërpreu në mes konsensusin e madh që Partia Socialiste i dha qeverisë për dy reformat e mëdha të vendit, reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Përmes një pakti kombëtar, Edi Rama dhe Partia socialiste "ulën armët" dhe dhanë konsensusin e tyre për të dhënë para partnerëve ndërkombëtarë imazhin më pozitiv politik në vend për të merituar ftesën e Bukureshtit. Por tragjedia e Gërdecit i riktheu palët në pozicionet e tyre të mëparshme. Letra drejtuar Scheffer duket se është një kujtesë ndaj partnerëve për paktin që PS i ofroi maxhorancës për reformat e mëdha. Duke risjellë edhe pasojat e rënda të tragjedisë së Gërdecit, Rama argumenton në letrën e tij rëndësinë jetike që ka për vendin marrja e ftesës për në NATO. "Tragjedia e Gërdecit është një alarm shumë domethënës për nevojën e madhe të ndryshimeve të mëtejshme e të gjithanshme në rrugën e ndërtimit të një shteti modern e tërësisht të integruar në NATO e në Bashkimin Evropian", shprehet Rama.

letra e rames drejtuar scheffer

I dashur zoti Sekretar i Përgjithshëm.
Në emër të të gjithë shqiptarëve, si lider i opozitës, do të doja t'Ju shprehja mirënjohjen e thellë për shfaqjen e menjëhershme të solidaritetit Tuaj ndaj vendit tim në orët e tmerrshme të tragjedisë së 15 marsit.
Jetët e humbura të fëmijëve, grave, burrave të pafajshëm, qindra të plagosurit dhe shtëpitë e rrafshuara për tokë të qindra familjeve të mbetura pa asgjë e të mbërthyera nga ankthi i mungesave të të afërmve të tyre të humbur, ishin një shok i patregueshëm për të gjithë popullin tonë që në ato orë të paharrueshme tronditjeje pati pranë, përmes mesazheve kuptimplota të solidaritetit, Ju dhe partnerët e miqtë e shtrenjtë ndërkombëtarë, pa të cilët Shqipëria do ta kishte të pamundur sfidën e integrimit në NATO e në BE dhe kapërcimin e një momenti kaq sfidues për një vend si i yni.
Një fjalë e urtë shqipe thotë: "Miku i vërtetë është miku në nevojë", dhe falë Jush e të gjithë miqve që na u gjendën pranë, ne nuk u ndjemë vetëm përballë pasojave të jashtëzakonshme të shpërthimit tronditës, mundëm të shpëtojmë jetë të çmuara të plagosurish e besoj do të mundemi të gjejmë zgjidhje për problemet e rënda të të mbijetuarve.
Ashtu siç besoj se do të dimë ta kthejmë këtë dhimbje të thellë në një forcë të madhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e duhura nga një tragjedi që nuk ishte rezultat i një fatkeqësie natyrore, po një alarm shumë domethënës për nevojën e madhe të ndryshimeve të mëtejshme e të gjithanshme në rrugën e ndërtimit të një shteti modern e tërësisht të integruar në NATO e në Bashkimin Evropian.
Sot opozita shqiptare është edhe më e angazhuar për të luajtur rolin e saj në përmbushjen e aspiratës së Shqipërisë për integrimin në familjen euroatlantike. Si asnjëherë më parë në jetën e demokracisë sonë të re, ne ndërtuam një proces politik të bazuar jo mbi interesa të ngushta partiake, por mbi interesin kombëtar për të përmbushur detyrimet që do t'i mundësonin Shqipërisë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, duke dhënë kontributin e konsensusin tonë për të kryer reformat e identifikuara, nga qytetarët shqiptarë e nga partnerët tanë ndërkombëtarë, si të domosdoshme në këtë pjesë të rrugës së Shqipërisë drejt integrimit të plotë euroatlantik.
Si asnjëherë më parë në historinë tonë të gjatë si vend, ne shqiptarët ndjehemi pranë familjes së popujve të Aleancës së NATO-s, të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësinë historike të të qenit pjesë integrale e kësaj aleance.
Si asnjëherë më parë ajo që nisi me aleancën e veteranëve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore është pranë një kurorëzimi të natyrshëm me përfshirjen e Shqipërisë në Aleancën e madhe të vendeve që mbrojnë vlerat e patjetërsueshme të lirisë e të demokracisë.  
Si asnjëherë më parë ëndrra e brezit tim është pranë finalizimit, ndërkohë që vigjilja e Samitit të Bukureshtit, nga ku çdo shqiptar pret lajmin e madh të ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është për ne preludi i një rruge të re, ku sfidat janë edhe më të mëdha e përgjegjësia jonë po ashtu.  
I dashur zoti Scheffer,
Më lejoni që në emër të opozitës shqiptare t'Ju garantoj se ne do të bëjmë çdo përpjekje e nuk do të kursejmë asnjë energji për të garantuar jo vetëm ftesën, por edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një borxh që ua kemi të gjithë atyre që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë e demokratike dhe atyre që sot janë ende fëmijë e që, pa humbur kohë, duhet të jenë të lirë e të sigurt në gjirin e familjes euroatlantike.
Duke Ju garantuar se NATO do të gjejë gjithnjë tek burrat e gratë shqiptare në uniformë, tek i gjithë populli shqiptar, një partner serioz e të përkushtuar, si edhe duke shprehur bindjen se ftesa juaj për Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit do të jetë për ne të gjithë një detyrim më shumë ndaj partnerëve e miqve tanë të çmuar ndërkombëtarë, më lejoni zoti Sekretar i Përgjithshëm t'Ju falënderoj nga zemra për gjithçka keni bërë për Shqipërinë e t'Ju shpreh respektin tim më të veçantë.
Juaji Sinqerisht
Edi Rama

Xhufi: Debatet, spektakël i dështuar
Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi, i konsideroi paradë të shëmtuar deklaratat e ditëve të fundit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. "Pas pushtimit disa ditor të mediave nga personi i Kryeministrit, që u rrek t'i jepte tragjedisë së Gërdecit vetëm interpretimin e tij, këto ditë kemi parë "të ndeshen" në ekranet e TV zëdhënësit e institucioneve të ndryshme, që me zell kërkojnë të mbrojnë titullarët apo institucionet në fjalë. Me keqardhje, ne e konsiderojmë këtë paradë të pakontrolluar zëdhënësish një tjetër spektakël të shëmtuar, pas atyre që na ka dhënë e vazhdon të na japë Kryeministri Berisha", tha Xhufi. Sipas tij, "përplasja e qëllimshme dhe e organizuar ndërinstitucionale për tragjedinë e Gërdecit, komprometon rëndë imazhin e vendit dhe të shtetit pikërisht kur Shqipëria pritet të ftohet të bëhet pjesë e NATO-s. Kjo përplasje nuk mund të konsiderohet ndryshe, veçse si një provë dobësie e papërgjegjshmërie të institucioneve shqiptare, veçanërisht të atyre që bartin më së shumti përgjegjësinë e integrimit të vendit në këtë aleancë". "I bëjmë thirrje Prokurorisë të ngrihet në lartësinë e detyrës e të përgjegjësive të veta dhe t'i orientojë më në fund hetimet drejt fajtorëve të vërtetë dhe ndaj Fajtorit të Madh të tragjedisë më të fundit kombëtare, tragjedisë së Gërdecit", tha Xhufi.

"Do kërkojmë ministri pas hetimit"
Partia Republikane do të kërkojë sërish post ministror në përfundim të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, sipas të cilit kjo forcë politike nuk mund të mbetet e spostuar, pasi renditet e dyta për nga numrat në koalicionin e djathtë. "Partia Republikane do të kërkojë atë që i takon në bashkëqeverisje, menjëherë pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e Gërdecit, dhe nuk do të mbetet një parti e spostuar, pasi është partia e dytë e maxhorancës pas PD-së. Për këtë arsye PR do të pretendojë që raportet e saj në maxhorancë të jenë ekuivalente me prezencën e saj politike", theksoi dje Garuli. Përsa i takon hetimeve që po kryhen në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, Garuli u shpreh se, "kjo është një çështje që i takon Prokurorisë". "Megjithatë nga informacionet që kemi shpresojmë që procesi për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit dhe implikimit në të, sikundër pretendohet nga opozita të Mediut, të zbardhet shumë më shpejt se të tjerat", pohoi Garuli.

Ceka: Të ikë Berisha
Kreu i aleancistëve, Neritan Ceka i bëri dje thirrje Prokurorisë që të thellojë hetimet për shpërthimin e Gërdecit dhe t'i shtrijë ato dhe në politikën shqiptare, që sipas Cekës është e inkriminuar. Sipas tij, Sali Berisha duhet të dorëhiqet dhe të dorëzojë imunitetin që t'i hapë rrugë hetimeve të Prokurorisë. Sipas Cekës, "Aleanca Demokratike përsërit edhe njëherë me vendosmëri dorëheqjen për Kryeministrin Berisha, si kusht për t'i hapur zhvillimin e plotë procesit të hetimeve. PAD inkurajon prokurorinë shqiptare për t'u thelluar në këto hetime për t'i bërë një pastrim politikës shqiptare nga implikimet me korrupsionin. PAD i kërkon biznesit shqiptar për t'u ndarë nga bashkë korruptimi me politikën shqiptare, por edhe për vendosjen e një sistemi të ndershëm pune dhe fitimi", tha Ceka.

“Shitblerja e armëve pa kontroll”

Nënkryetari i grupit socialist Erion Braçe akuzoi qeverinë se ka liberalizuar tregtinë e armëve pa ngritur Autoritetin e Kontrollit të këtij procesi.

Aristir Lumezi

Braçe tha dje në një konferencë për shtyp se "ligji 'Për tregtinë e armëve' miratuar një vit më parë është zbatuar pa asnjë kontroll shtetëror". Sipas tij, "ligji u miratua me procedurë të përshpejtuar dhe mbetet ende alibi Autoriteti shtetëror që sipas qeverisë duhet të kontrollonte eksportin e armëve". "Sot kam harxhuar gjithë ditën, për të gjetur Autoritetin Shtetëror të Kontrollit të Eksport-Importit të mallrave ushtarake. Aq sa tani unë kam të drejtë të vë në dyshim ekzistencën e Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të Eksport-importeve, një institucion që duhet të ishte prezent, për një veprimtari tregtare që duhet ta licenconte, ta kontrollonte dhe mbi të gjitha të bënte ekspertizën mbi të. Kam të drejtë të pyes, ku është ky Autoritet?", pyeti Braçe. I menjëhershëm ka qenë shpjegimi i Ministrisë së Mbrojtjes për këtë çështje. Drejtori i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes, Rezart Tërshana tha dje në një konferencë për shtyp se në vendimin e qeverisë për zbatimin e këtij ligji është parashikuar ngritja e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe për sa kohë nuk është ngritur kjo strukturë ligji s'mund të zbatohet. "Në këto momente ligji nuk është i zbatueshëm pasi struktura e mësipërme nuk është ngritur akoma. Aktualisht po punohet për ngritjen e strukturës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me qëllim zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj", theksoi drejtori juridik në ministri. Tërshana bëri të ditur gjithashtu se për përgatitjen e këtij drafti, e cila ka filluar që në vitin 2004, është bashkëpunuar me OSBE, PNUD-in, Departamentin e Tregtisë të SHBA (zyra e Kooperimit të Eksport-Importit), dhe me ambasadën e SHBA-së në Tiranë.

“Bashkë për të marrë ftesën në NATO”
Kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO si dhe tragjedia e Gërdecit kanë sjellë në Tiranë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Gjatë takimit, Berisha dhe Ahmeti diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe Maqedoni. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Ahmeti e njohu Kryeministrin me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitit të Bukureshtit. Në përfundim të këtij takimi, Berisha tha se "përshëndes qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të zotit Ahmeti, qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe forcave të tjera politike, të cilat kanë vendosur atlantizmin dhe integrimin e Maqedonisë në NATO si interesin më të mirë kombëtar". Nga ana e tij kreu i BDI-së theksoi në konferencën për shtyp se, "të dy vendet presin ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, për të cilën kemi punuar në vazhdimësi". Berisha vlerësoi në të njëjtën kohë edhe humanizmin e shqiptarëve të Maqedonisë për tragjedinë e Gërdecit.

Meta takon Ali Ahmetin
Kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë takimit që zhvilloi me kryetarin e BDI-së shprehu urimet e tij që edhe Maqedonia të marrë ftesën për në Samitin e ardhshëm të NATO-s, pasi kjo do të forconte stabilitetin në vend dhe do të krijonte kushte për plotësimin e gjithë të drejtave të shqiptarëve sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Rama: Edhe Maqedonia në NATO
Kryetari i Partisë Socialiste priti në një takim delegacionin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë. "Ne inkurajojmë përfaqësuesit zyrtarë të Maqedonisë që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e emrit, e të mos ketë asnjë pengesë për marrjen e ftesës në Bukuresht", iu drejtua Rama Ai Ahmetit.

“Ju vizatoj skemën e shpërthimit të barutit e predhave në Gërdec”

Petrit Behari, burri sa një grusht, që na vjen në takim, është nga ata që panë vdekjen me sy në Gërdec.

Ferdinand Dervishi

Ka parë njerëz që fluturonin në ajër, një rrëke kufomash dhe kur ka kujtuar se po ia dilte pa lagur, ka provuar t’i ngulet dhimbshëm në mish një copë predhe nga ato që çmontonte për të siguruar të ardhurat e familjes. Metali i ka dëmtuar shpatullën, fatmirësisht pa pasoja. Veç kësaj plage të fshehur nën xhup, njeriu përballë e ka ende fytyrën të nxirë e të rrudhosur nga vuajtjet që i ka sjellë përjetimi i ngjarjes. Gjithsesi sikur të mos e shqetësonte dëgjimi i dobësuar pas shpërthimeve, cilësimi për gjendjen fizike të tij mund të krahasohej me mrekullinë. Petrit Behari, një ish-oficer karriere, ka kaluar një jetë të tërë në ushtri, sidomos në uzinën e prodhimit të municioneve në Poliçan. Lëvizjet e kurbaturës së politikës apo edhe reformat pafund në ushtri e kishin dërguar në pension të parakohshëm dhe, kjo kishte ardhur në kohën kur atij si kryefamiljar i ishin rritur fëmijët dhe paralelisht ishin fryrë edhe faturat e shpenzimeve. Kështu që nuk ka pyetur më shumë se vetveten teksa ka parë mundësinë e një rroge më tepër në Gërdec. “Si specialist i xhenios që isha merrja 3 mijë lekë në ditë. Nuk ishin pak për mua dhe familjen, por nga ana tjetër edhe procesi i punës ishte ai më i vështiri. Punoja në çmontimin e predhave të topit 100 mm, të vetmet që ishin të montuara, pra gati për qitje”, nis rrëfimin ish-ushtaraku. Natyrisht që e pranon se në Gërdec punohej jashtë të gjitha rregullave të sigurimit. Madje, thotë se ai vetë përditë u bërtiste banorëve të punësuar të zonës që nuk kishin kujdes me predhat e i hidhnin përtokë pa kujdes. Përditë, njëkohësisht edhe ai vetë detyrohej të dëgjonte të bërtiturat dhe ofendimet pakuptim të “pronarëve” që, sipas tij, silleshin si skllavopronarë. Por duket mundësia për të futur në xhepa ca të holla të munguara i kishin bërë të gjithë shpërfillës, qoftë edhe ndaj faktit se duke çmontuar predha, njëkohësisht ishin duke luajtur me jetët e tyre. Kështu më 15 mars, kur Petriti pa barutin të hidhte njerëzit si lecka në ajër, kishte ditën e 55 të tij të punës. Madje ai kujton se, atë ditë, krejt rastësisht, nuk u kishte bërtitur punëtorëve që hidhnin predhat pa kujdes përtokë.
Shkaku i shpërthimit
“Në repart punonin, në procese të njëjta, ose të ndryshme, rreth 20 grupe pune, pra rreth 100 njerëz apo më tepër. Kryesisht demontoheshin predha artilerie të kalibrit të madh, jo të rrezikshme përsa i përket këtij procesi, por shumë të rrezikshme nëse nuk zbatoheshin rregullat teknike në të tilla raste. Gjithsesi unë fajin ia vë keqveprimit me togjet e barutit. Që të keni një përfytyrim më të qartë, po ju rrëfej se për shembull secila nga predhat e topit 122 mm ka në brendësi të gëzhojës më shumë se 9 kg barut dhe mjaftojnë 5-6 të tilla që të përftohet një thes me këtë lëndë plasëse. Por nëse do të llogarisim se me çmontimin e tyre merreshin disa grupe, atëherë do të kuptoni se togjet me barut në pak minuta dukeshin si kodra”, shpjegon ish-ushtaraku. Edhe pse ka qenë në largësi, në një tjetër proces pune, Petriti i përmbahet versionit, sipas të cilit ishte një karrocë dore ajo që shkaktoi shpërthimin e parë të barutit. Sipas tij, një nga banorët që kishin shtëpinë pranë, me mbiemër Deliu, që ishte me profesion saldator, e kishte ndrequr karrocën e prishur në shtëpinë e vet. Më tej, pa u kujdesur që vendi i salduar të ftohej, ai ishte futur në repart dhe kishte nisur menjëherë me transportin e barutit. “Kujtoj se u dha urdhër që baruti të hiqej me shpejtësi, pasi koha jepte shenja se mund të niste shiu. Mbase për këtë shkak është nxituar që karroca të jetë gati dhe sa më shpejt për punë”, kujtohet të shtojë gjatë sqarimit të këtij momenti ish-oficeri. Pra, nxehtësia e hekurit të skuqur nga saldimi i ka dhënë flakë/shpërthim të parit thes me barut të hedhur mbi të. “Në kohën që u realizua shpërthimi i parë në sheshin e demontimit, fare pranë hyrjes në repart, unë isha në këndin tim të punës, rreth 60-70 metër më tej, në brendësi të një magazine ku çmontoja predha unitare (predha e montuar në gëzhojë) të kalibrit 100 mm. Ktheva kokën dhe pashë një nga ato skenat që realizon zakonisht Hollivudi. Njerëz që fluturonin në ajër nga shpërthimi dhe të tjerë që mundoheshin t’u shpëtonin flakëve që i përpinin. Instinktivisht nisa të vrapoja në drejtim të kundërt me flakët...”, rrëfen Petriti.
Skema e shpërthimeve
Sipas Petritit, shpërthimi i parë i barutit është realizuar fare pranë hyrjes për në repart, aty ku ishte krijuar një shesh pune dhe ku operonin disa grupe. “Shtimjet e kalibrit të madh vinin në arka ku djegorja ishte veç, predha veç dhe gëzhoja veç. Punëmarrësit tanë ishin të interesuar për tunxhin e gëzhojës. Kështu që grupet e punës hiqnin fillimisht nga arka djegoren, ngarkonin predhat me duar në kovën e fadromës së atij të ndjerit nga Laçi (Ilirjan Malçit) dhe merreshin me gëzhojën që kishte më tepër punë. Duhet t’ju sqaroj se bëhet fjalë për predha me peshë të madhe, për shembull, ajo me kalibër 152 mm peshon 40 kg. Gratë kryesisht lanin me një solucion gëzhojat e predhave duke u hequr grason, por të njëjtat hiqnin edhe barutin nga brendësia e gëzhojave. Pra shpërthimi i parë ndodhi në vendin më të populluar me punonjës, që bënin disa procese, si demontim, transport baruti, predhash, djegoresh si dhe larje e transport gëzhojash”, rrëfen ish-ushtaraku. Në mes të objektit ku punonte Petrit Behari dhe sheshit ku ndodhi incidenti, ishte edhe një magazinë me predha të pademontuara të vendosura stivë në të dy krahët, që i kishin shkarkuar nga makinat e ardhura ditët e fundit. Në kohën e shpërthimit vetë Petriti gjendej në brendësi të një reparti të krijuar dikur për demontimin e fishekëve të kalibrit të vogël, një nga ambientet e të cilit, në aneks, ishte modifikuar për procesin e punës që ai kishte marrë përsipër. “Unë bashkë me dy djem të fortë nga veriu demontonim predha të topave 100 mm, të vetmet që vinin në repart unitare, pra predha ishte e montuar me gëzhojën dhe procesi kërkonte një specialist të mirëfilltë”, rrëfen i njëjti. Që të realizohej çmontimi i predhave të tilla, sipas Petritit, kishin derdhur një mur betoni, brenda të cilit kishin montuar tuba metalikë të prerë me diametër pak më të madh se predhat që çmontoheshin. Kështu që dy djemtë e fuqishëm, pasi i fusnin predhat në vrima, i lëviznin me fuqi sa në një krah në tjetrin, me qëllim që predha të lirohej nga gëzhoja. Në momentin që ajo lirohej, lipsej ndërhyrja e Petritit, që i ndante me kujdesin më të madh. Pra ish-ushtaraku që rrëfen historinë e shpërthimit ishte duke kryer pikërisht këtë proces pune kur këmbët i kërkojnë të vrapojë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Ika në anë të kundërt, më saktë kalova përmes repartit ku më parë demontoheshin fishekë, në mes të të cilit kishte grumbuj me thasë baruti. Por barut, në një sasi jo të pakët, kishte edhe në vendin ku unë punoja. Kujtoj se aty ditët e fundit kishim demontuar 1600 predha të kalibrit 100 mm. Duke bërë një llogari të thjeshtë, më del se vetëm aty ku punoja unë kishte rreth 9 tonë barut, pasi në brendësi të një gëzhoje 100 mm ka mesatarisht 5.5 kg barut”, tregon për ditën më të vështirë të jetës ish-oficeri i ushtrisë. Duke vrapuar në panik, Petriti ka dëgjuar që shpërthimet pasionin njëra–tjetrën. Sipas tij shpërthenin jo vetëm grumbujt me barut, por edhe grumbujt e predhave, djegoret, solucioni larës, apo depozitat e naftës. Teksa është larguar në drejtimin perëndimor të repartit, fare pranë një ndërtese që përdorej për zyra të administratës, ai ka parë flakën e shpërthimit ta mbërrijë. Mbase 50, mbase 70 metra më tej. Vala e shpërthimit dhe instinkti e kanë shtrirë përtokë, por për fat të tij aty relievi, apo niveli i rrugës ulej dhe vala e flakës vetëm sa i përcëllon flokët dhe i shkrin pantallonat e një bluzë që kishte veshur sipër një këmishe pambuku. Kur çohet kupton se sërish duhet të rendë. Por shpirti human i mban këmbët teksa sheh një grua që qëndronte në gjunjë si e paralizuar. E shkund dhe pasi e sjell në vete e bind që të vrapojë. Në një sekondë të dytë pranë sheh një mikun e vet, Sadik Sulën, që i kërkonte ndihmë se nuk ngrihej dot. Petriti e merr kolegun për krahu dhe së bashku nisin të largohen në brendësi të repartit, sërish sipas instinktit që i detyronte të largoheshin në anën e kundërt të shpërthimeve. Në të njëjtën kohë që ishte duke vrapuar në krah të depozitës së karburantit, ai ka parë se bashkë me ta vraponin edhe disa burra të tjerë, një pjesë prej tyre pothuaj lakuriq, pasi baruti u kishte djegur apo shkrirë rrobat. Që të gjithë kanë kaluar pikërisht në rrëzë të një tjetër depoje gjigande me barut, pikërisht pranë asaj që realizoi shpërthimin katastrofik, por pa e ditur këtë fakt. “Largimi ishte instiktiv, por unë kujtoj se në ato momente më tha mendja të vrapoja në atë drejtim, pasi në të majtë më ishte fiksuar se kishte një depo me barut dhe një tjetër me djegore”, rrëfen Petriti. Por pikërisht pasi kalon depon gjigande të barutit, ish-ushtaraku goditet nga një predhë. “Nuk kisha mbërritur ende te një kanal, apo transhe ushtarake, që është rreth 50 metra mbi repart në anën veriore të tij, kur m’u duk vetja sikur shpërtheva copa-copa si kamikaz. Një predhë më kishte plasur pranë këmbëve, në të majtë, dhe vala goditëse e saj më rrëzoi. Humba ndjenjat, më saktë pata një përshtypje sikur shpirti mu shkëput nga trupi dhe nisi të ngjitej drejt qiellit”, rrëfen krejt qetësisht ish-oficeri i xhenios. Pak minuta më pas Petrit Behari është përmendur. Ka hapur sytë dhe ka parë pranë tij edhe disa burra të tjerë të shtrirë. “Nja dy u ngritën dhe vrapuan sërish, nja dy të tjerë m’u duk sikur nuk lëviznin dot më”, tregon për momentin më të vështirë. I plagosur në shpatull ai gjithsesi arrin që të ngjitet në majë të kodrës dhe të strehohet pranë një bunkeri, saktësisht në kanalin që shkonte tek ai. Aty i ishte dukur vetja përfundimisht jashtë rrezikut. Aty, mbase vetëm një minutë pasi kishte mbërritur, kishte ndjerë tokën të ziente bashkë me bunkerin dhe shugëllimën e shpërthimit katastrofik. Qielli për pak çaste ishte nxirë, ndërkohë që Petriti instinktivisht kishte mbuluar veshët me duar, pasi presioni i ajrit pothuaj ia kishte plasur timpanet. Duke ecur në perëndim ai ishte gjetur pranë një ujëmbledhësi dhe më tej, pasi kishte kaptuar një kodër, i ishte afruar autostradës. “Isha vetëm me tuta dhe një këmishë. Fatmirësisht isha veshur mirë atë ditë dhe duket këmisha prej pambuku, e djersitur nga puna, më ka mbrojtur nga flaka e barutit. Në autostradë më morën dy policë civilë që më çuan në spitalin e Durrësit me makinën e tyre. Kujtoj se rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë. Mbase nuk merrnin guximin të më pyesnin prej pamjes sime prej njeriu të shokuar. E njëjta situatë u përsërit edhe në spital kur pashë atë politikanin, Ferdinand Xhaferrin, të më hidhte një vështrim të ftohtë. Varja... flet duke luhatur në ajër krahun e shëndoshë në shenjë mohimi Petriti. 
-Tani që gjithçka ka mbaruar, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?
-Më shqetësojnë ëndrrat. Pothuaj përnatë shoh veten teksa demontoj predha 100 mm të topit fushor.
-Tjetër?
-Më bën nervoz ripërsëritja në mendje e pamjes së Mihal Delijorgjit duke qeshur në gjykatë. Madje, kjo më është bërë si makth.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›