E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat për transferimin e të dënuarve

Rastet kur të burgosurit mund të marrin masë disiplinore. Në një vit numri i kërkesave për transferim shkon në 600

Laureta Rryçi

Tiranë - Sipas ligjit, transferimi i të burgosurve nga një institucion në tjetrin bëhet për arsye sigurie, kur rrezikohet jeta ose shëndeti i të dënuarit nga të tjerët, për nevoja të hetimit apo gjykimit, për shkaqe shëndetësore dhe familjare si dhe kur transferimi i shërben formimit më të mirë profesional të dënuarit. Kur është e mundur transferimi mund të bëhet me qëllimin që i dënuari të vendoset në institucionin e vuajtjes së dënimit pranë vendbanimit të familjes së tij. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ekzistojnë një tufë kërkesash për transferim. Kryesisht të dënuarit marrin këtë iniciativë për të qenë më afër familjes për shkak dhe të kushteve të vështira ekonomike. Mirëpo jo të gjithëve u pranohet kërkesa, pasi për shkak të procedurave më parë i dënuari duhet të plotësojë këto kushte.
Masat disiplinore
Regjimi disiplinor në kushtet e burgimit synon të nxisë përgjegjësinë dhe vetëkontrollin e të dënuarit. Në marrjen e masave disiplinore merret parasysh seksi, mosha, të dhënat fizike dhe psikike të të dënuarve. Asnjë i dënuar nuk mund të ndëshkohet për një fakt që sipas ligjit dhe rregullores së institucionit nuk konsiderohet shkelje. Në çdo rast ndëshkimi zbatohet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit.
Shkelje disiplinore
Neglizhenca në kryerjen e pastrimit personal, të dhomës apo ambienteve të tjera të përbashkëta. Moszbatimi me dashje i detyrave në punë. Sjellja e padenjë, ngacmuese apo agresive ndaj personave të tjerë. Përdorimi i fjalëve fyese. Ushtrimi i lojërave ose aktiviteteve të tjera të palejueshme. Stimulimi i sëmundjes (paraqitja e rreme se është i sëmurë). Qarkullimi i sendeve të palejuara për përdorim. Mbajtja, përdorimi dhe shpërndarja e sendeve të ndaluara. Mbajtja e parave në kundërshtim me rregulloren. Ushtrimi i dhunës fizike ose psikike ndaj personave të tjerë. Përvetësimi ose dëmtimi me dashje i pasurisë së institucionit ose i të burgosurve të tjerë. Moszbatimi i urdhrave ose vonimi i pajustifikuar i zbatimit të tyre.
Vonesa në kthim pas mbarimit të afatit të lejes. Organizimi, pjesëmarrja dhe nxitja e çrregullimeve në funksionin e institucionit. Falsifikimi i dokumenteve që vijnë nga administrata e burgut kur nuk përben vepër penale.

Lloji i masave disiplinore
Qortim individual
Vërejtje në prani të të dënuarve
Përjashtim nga veprimtari të veçanta të përbashkëta deri në 10 ditë
Përjashtim nga ajrosja në grup, por jo më shumë se 20 ditë
Përjashtim nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë
Ndërprerja e lejes
Ndaj të miturve dhe grave masat që parashtrohen në germat “c”, “d” dhe “e”, mund të jepen deri në gjysmën e kohës së parashikuar.
Për gratë shtatzëna ose që u është lënë fëmija zbatohen vetëm masat disiplinore të qortimit individual dhe të vërejtjes në prani të të dënuarve.

Gjithsej në vendin tonë janë 8 burgje, një institucion i veçantë në Krujë si dhe Qendra Spitalore e Burgjeve;
Lezhë
Burrel
Tepelenë
Peqin
Lushnjë
Vaqar
Rrogozhinë
325 (Ali Demi) i sigurisë së ulët dhe shkojnë persona që i kanë mbetur më pak se një vit.

Në institucionin e Krujës trajtohen të sëmurët psikikë dhe personat në moshë madhore, ndërsa në Spitalin e Burgut trajtohen të sëmurët e të gjitha kategorive.

Aktualisht po vazhdon ndërtimi i institutit të trajtimit të miturve në Kavajë. Ndërkohë ka përfunduar Burgu i Korçës, Burgu i Fushë-Krujës dhe paraburgimi Vlorë.

Ulja e dënimit

Ligji Nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” parashikon edhe kriterin kur mund të zbatohet ulja e dënimit. Ato janë: Pjesëmarrja shembullore e të dënuarit në veprimtarinë trajtuese që jep premisa (prova) të integrimit në shoqëri. Qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme e dënimit që ai mund të ketë përfituar. Qëndrimi i tij gjatë 12 muajve të fundit. I dënuari që plotëson kriteret e parashikuara në ligje, mund të përfitojë një ose disa ulje dënimi deri në 90 ditë çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri në 45 ditë në vit. Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës në bazë të kërkesës të dënuarit, prokurorit ose të drejtorit të institucionit.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›