Kurora e gjelbërt priten të mbillen 40 mijë fidanë
SHKODËR Kurora e gjelbërt e qytetit të Shkodrës pritet të kthehet në gjendjen e saj të dikurshme. Së shpejti, në qytetin e Shkodrës parashikohet mbjellja e 40.000 fidaneve për rehabilitimin e kurorës së gjelbër të qytetit. Kjo kurorë shtrihet në zonën e Tepes dhe të Taraboshtit dhe për rehabilitimin e saj janë hartuar një sërë projektesh, që synojnë pyllëzimin e zonës dhe kthimin në normalitet te saj, pas degradimit të disa fidanëve. Hapësirat e gjelbra në Shkodër, sipas inventarit të bashkisë së këtij qyteti, janë rreth 85 mijë metër katrorë. Gjendja e tyre po përmirësohet çdo ditë dhe në 3 vitet e fundit janë rehabilituar rreth 30 mijë metra katrorë, duke u konceptuar si ambiente çlodhëse për qytetarët, duke u plotësuar me elementë dekorative, shatërvanë, stola, kënde lojërash. etj. Në vitet e para pas ndryshimit të sistemit ka pasur zënie të hapësirave publike dhe dhënie leje për kioska shërbimi apo kënde lojërash. Në këtë vit, në buxhetin e bashkisë janë përfshirë sistemimi i 5 blloqeve të banimit me përfundimin e infrastrukturës të rrugës kryesore të qytetit. Kjo do shoqërohet dhe me sipërfaqe të gjelbëruara pranë këtyre blloqeve. Sipas Drejtorit të Shërbimeve në Bashki, Alfred Luljeta, këtë vit është kryer pastrimi i bregut të liqenit nga ura e re e Bunës e deri në Zogaj, duke eliminuar bimësinë e degraduar, mbeturinat e hedhura përgjatë bregut. “Me punën e kryer, kjo zonë do të zhvillojë bimësinë e re dhe synimi i bashkisë është që puna e nisur këtë vit të jete e përvitshme, në mënyrë që të krijohet një ambient i frekuentueshëm nga qytetarët e Shkodrës dhe turistet e huaj. Gjithashtu do të krijohen kushte për kthimin në traditë të frekuentimit të plazhit të Shirokës. Mbetet perspektivë zgjerimi i zonave të gjelbra me krijimin e BAJ PASS –it, si argjinaturë përgjatë bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës”. Sipas zotit Alfred Luljeta, shqetësim përbëjnë rastet e dëmtimeve në hapësira të gjelbra.