Bombë me celular në derën e shtëpisë së Drejtoreshës së Arsimit
Familjarët: Nuk kemi hasmëri me njeri. Policia hedh dyshime se ngjarja duhet të ketë lidhje me pozicionin e punës së Ermira Bllani
DURRËS Një sasi e konsiderueshme lënde eksplozivi ka shpërthyer mëngjesin e djeshëm në derën e jashtme të banesës së Drejtoreshës së Arsimit në Durrës. Në derën e jashtme të banesës, në katin e katërt të një pallati të ri, tek “Nish Goma” gjendet hyrja që i përket familjes së Drejtoreshës së DAR, Ermira Bllani.
Shpërthimi
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03:30, duke alarmuar të gjithë banorët e këtij pallati, i cili gjendet në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit. Lënda shpërthyese ishte vendosur poshtë derës së jashtme, e cila ka qenë derë e blinduar. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe në këtë orë të gjithë pjesëtarët e familjes Bllani kanë qenë në gjumë. Ermira Bllani është Drejtoreshë e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit prej dy vitesh dhe nga dyshimet e para mendohet se lënda shpërthyese mund të jetë vendosur nga persona të caktuar, pikërisht për shkak të pozicionit të saj në këtë institucion. Policia e Durrësit ka mbërritur në vendin e ngjarjes sapo është njoftuar për këtë shpërthim. Shpërthimi ka dëmtuar plotësisht derën e jashtme, duke krijuar edhe të çara në mure dhe plasaritje. Për fat të mirë, nuk ka pasur lëndime te pjesëtarët e familjes Bllani, të cilët sapo kanë marrë veten nga kjo ngjarje, kanë njoftuar policinë.
Familjarët
Nga hetimet që janë bërë në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë gjetur mbetje të një aparati celulari, çka i ka shtyrë ekspertët e Krimeve Kundër Pronës dhe Personave se lënda shpërthyese është aktivizuar me anë të një telefoni celular. Ashtu si drejtoresha e Arsimit, Ermira Bllani, edhe bashkëshorti i saj, Niko Bllani, ka profesionin e mësuesit. Ai është shprehur dje paradite se “unë jam mësues dhe nuk kam pasur kurrë probleme me nxënës apo prindër gjatë gjithë këtyre viteve”. Ai ka mohuar kategorikisht që kjo ngjarje të ketë lidhje me pozicionin e bashkëshortes së tij në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale. Hetimet e Policisë së Durrësit janë përqendruar megjithatë në pistën kryesore, e cila është detyra që mban prej dy vitesh Ermira Bllani në krye të DAR. Ekspertët që kanë marrë në dorë hetimet për këtë ngjarje kanë deklaruar se po punohet për të parë edhe rrethana të tjera të kësaj ngjarje, por pa bërë të ditur detaje. Shpërthimi ka tronditur të gjithë banorët e pallatit 8-katësh, por edhe banorët përreth bllokut të disa pallateve të reja, që janë ndërtuar vitet e fundit tek “Nish Goma”.
Aleks Kalemasi