Roshi: Historia e Griseldës, një faturë absurde për mua
Tiranë Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, e cilëson historinë thriller të së dashurës së tij një faturë absurde, të cilën iu desh ta paguante. Në një intervistë për MAPO-n Roshi rrëfen marrëdhënien që kishte me Griseldën, me të cilën thotë se nuk kishte asnjë plan për martesë. Roshi sqaron edhe deklaratën e tij, pak ditë pas zgjedhjeve lokale, ku kishte pranuar se priste një djalë. “Griselda më ka bërë të ditur se priste një fëmijë, një djalë. Unë u njoha me këtë fakt dhe i kam bërë të qartë asaj se unë nuk isha kundër njohjes së atësisë së djalit. Unë fëmijë nuk kam dhe e pranova që të kisha djalë. Do i njihja atësinë. Griseldës, kur ma ka komunikuar, i kam thënë që të qëndronte afër prindërve dhe se për djalin do kujdeseshim të dy. Kjo është historia”, - tregon Roshi në këtë intervistë për MAPO-n. Sa i përket vizitave numerike të deputetëve socialistë në shtëpinë e tij, Roshi përgjigjet se me të janë solidarizuar edhe demokratët, përsa kohë dyshohej se historia ishte e vërtetë.
Zoti Roshi, ju jeni shprehur se Griselda ka qenë vetëm një e dashura juaj. Kjo deklaratë ka sjellë shumë reagime, pasi është shumë e habitshme që Griselda ishte thjesht e dashura juaj, ndërsa hynte pa asnjë problem në shtëpinë e prindërve...
Unë jam 35 vjeç dhe që në vitin 1990, kam ikur në Europë dhe kam kaluar vite të tëra jashtë vendit. Unë jo vetëm Griseldën, por edhe të tjera femra me të cilat kam pasur lidhje ose bashkëjetesë, i kam prezantuar te prindërit e mi. Pra, dua të them që njohja e saj me prindërit nuk ka qenë diçka e ndodhur në rrethanat e një martese.
Mund të na e shpjegoni më mirë kontekstin e kësaj marrëdhënieje, si ka qenë kjo marrëdhënie?
Unë e kam njohur Griseldën rreth një vit e gjysmë më parë. Në Kamëz jemi njohur. Pas njohjes kemi bashkëjetuar për disa muaj.
Sa muaj afërsisht?
Rreth 4 - 5 muaj kemi bashkëjetuar. Më pas kemi ndalur së jetuari së bashku, por kemi shkëputur bashkëjetesën dhe kemi ruajtur marrëdhënie sporadike.
Cili ishte shkaku i shkëputjes së bashkëjetesës?
Ishte shumë posesive dhe vura re edhe problemet nervore që kishte. Në këto kushte, kërkova shkëputjen, edhe pse dëgjoheshim në telefon apo takoheshim ndonjëherë për kafe në Tiranë.
Po me prindërit e vajzës, në ç’rrethana jeni njohur?
Gjatë kohës së bashkëjetesës i kam njohur dhe ata. Janë të dy njerëz të shkëlqyer, të atin e ka zotni dhe të ëmën një grua të mrekullueshme. Kam një respekt të madh për të dy.
E kanë ditur ata që ju e kishit ndërprerë bashkëjetesën?
Ata e dinin shumë mirë që unë e kam ndërprerë bashkëjetesën dhe se i kisha bërë të ditur Griseldës se marrëdhënia ishte ftohur thuajse fare, për shkak të posesivitetit dhe problemeve të natyrës nervore që ajo kishte. Gjatë kësaj kohe unë edhe jam interesuar për të, pasi shpesh kërcënonte me dëmtimin e vetes së saj e gjëra të ngjashme.
Zoti Roshi, si është e mundur që ju, ndërsa i kishit shkëputur thuajse fare marrëdhëniet me të dashurën tuaj, gjatë fushatës e prezantuat atë si gruan tuaj, duke deklaruar publikisht madje se prisnit dhe një fëmijë prej saj?
Dua ta sqaroj dhe këtë moment. Griselda më ka bërë të ditur se priste një fëmijë, një djalë. Unë u njoha me këtë fakt dhe i kam bërë të qartë asaj se unë nuk isha kundër njohjes së atësisë së djalit. Unë fëmijë nuk kam dhe e pranova që të kisha djalë. Do i njihja atësinë. Por jua thashë që në fillim, që unë nuk kam koncepte fanatike mbi këto çështje, pra atësinë e djalit do e njihja, por kjo s’do të thoshte se Griselda do bëhej gruaja ime. Griseldës, kur ma ka komunikuar, i kam thënë që të qëndronte afër prindërve dhe se për djalin do kujdeseshim të dy. Kjo është historia.
Pasi erdhët nga Italia dhe folët me Griseldën, nuk patët asnjë dyshim për historinë e tmerrshme që ajo tregonte?
Historia m’u duk shumë e tmerrshme për të qenë e vërtetë dhe duke njohur dhe natyrën emotive dhe problemet nervore të Griseldës, mendova se diçka mund të ishte ekzagjeruar, por jo se ishte gjithçka një gjë e pavërtetë.
Pasi u zbulua se gjithçka ishte një sajim i Griseldës, keni patur kontakte me drejtues të PS-së? Çfarë ju kanë thënë ata?
Kur ndodhi ngjarja dhe kur të gjithë mendonim se Griselda kishte pësuar diçka të tmerrshme, në shtëpinë time kanë ardhur demokratë e socialistë për të shprehur solidarizimin me familjen. Në dijeninë time, por nuk e di sa i saktë jam, më kanë thënë se edhe vetë Kryeministri është bërë gati që të vinte në Kavajë, kur e mori vesh ngjarjen.
Po pasi u zbulua e vërteta, cilat kanë qenë reagimet e drejtuesve socialistë në Tiranë?
Nuk kam patur ndonjë komunikim të posaçëm, pasi edhe ata e kuptojnë shumë mirë se e gjitha kjo ishte një faturë absurde për mua. Unë tashmë jam i përqendruar totalisht në zhvillimin e Kavajës dhe në drejtimin profesional të bashkisë. Jam i përqendruar në krijimin e një stafi profesional, pa marrë parasysh a janë socialistë apo demokratë, për të gjetur mënyrat për zhvillimin e qytetit.