E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurora e një mandati

Mandati i së djathtës po shpejton drejt datës 28 qershor 2009. Atë ditë përcaktohet, nëse do të përsëdytet apo do të ndërpritet qeverisja e vendit prej saj. Sidoqë të ndodhë, zgjedhjet e pritshme përbëjnë një ngjarje tillë sa, nuk është teprim t’i renditësh ato, pas atyre të 22 marsit 1992, të cilat u pasuan me shndërrime përmbysëse.
Këto muaj të katër viteve të fundit - vrapim i vështirë me pengesa - kanë frymën dhe vrullin e vrapuesit, për të cekur shiritin me një rezultat tërësor, të lakmueshëm për çdo forcë politike, po të ishte në pushtet. Pozita i cilëson të pazakonta reformat e kryera. Opozita i kritikon ose mohon ato. Ndërsa faktori ndërkombëtar euroatlantik i vlerëson të rëndësishme e kurajoze.
Krimi i organizuar u sulmua që në krye të herës, drejtë e në strofkull, dhe duhet thënë që, ai cofi. U ringjall siguria: dikur krimi godiste pa e çuar nëpër mend kapjen, tani kush kryen krim kapet menjëherë. Janë ndërmarrë masa të gjithanshme, ligjore e vepruese, kundër korrupsionit, këtij kanceri të vërtetë, i ndërlikuar për t’u gjurmuar deri në thellësi të indeve jetike. Pozita e pati përcaktuar parësore luftën kundër korrupsionit, i cili qe kthyer në një institucion të frikshëm nga qeverisja e zgjatur e majtë. Ajo e pati humbur pushtetin nga zullumet me korrupsion dhe, si starategji të riardhjes në pushtet, ka bërë mohimin e luftës së qeverisë së djathtë kundër korrupsionit. Por rritja ekonomike, ndër më të shënuarat, e pohuar edhe ndërkombëtarisht, përveç që vërteton luftën e pandërprerë ndaj korrupsionit, ajo shprehet në dy tregues domethënës: investimet e mëdha dhe rritjen e ndjeshme të pagave e pensioneve. Shoqëria ndjehet më e gjallëruar dhe ekonomia është më e qendrueshme. Ato janë të përgatitura të përfundojnë projektet e reja, gjigande për Shqipërinë e rajonin, dhe paga për standard jetese më lartë. Ky është një shpjegim i besueshëm, gjatë përballjes me rrethanën e paparalajmëruar: ndërsa ekonomia globale vuan pasojat e krizës dhe përpiqet të gjejë zgjidhjet për ta kapërcyer sa më shpejtë, ekonomia e Shqipërisë u ndodh e vetmbrojtur dhe bëhet kujdesi i duhur që pasojat të kapërcejnë pa e dëmtuar.
Politika e brendshme është e bashkërenduar me politikën e jashtme, bashkëpunuese me euroamerikanët, dobiprurëse e ndërsjellë me fqinjët. Kjo ka sjellë tri rezultate të mëdha për shqiptarët, të cilët vetëm kanë mundur t’i ëndërrojnë. E para, Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit u ratifikua nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimt Europian, në një kohë të shpejt dhe pa kurrfarë pengese. E dyta, Shqipëria iu bashkëngjitet NATO-s. Të 26 vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, e përmbyllën procesin në një kohë rekord, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë, dhe malet, fushat e detrat e saj duke i bërë më të sigurtë se kurrë. Që të dyja, Marrëveshja dhe NATO, në një përkim të pamenduar nga askush, hynë në fuqi në të njëjtën ditë - 1 prill 2009. E treta, Shqipëria aplikon për kandidat në Bashkimin Europian brenda mandatit të kësaj qeverisjeje. Ky nuk është hap i sforcuar, por i merituar. Eshtë ndjesi mllefi ose ethe pushteti, të ngjiturit bishta, kur përsëriten shtjellime e kumtime se, aplikimi nuk qënka gjë, shyrtimi është gjithçka. Parrulla e palodhur njëzetëvjeçare e shqiptarëve, kërkesa e çdo force politike në pushtet apo opozitë, përballimi i sakrificave më të epërme, janë kryer edhe në emër të Europës dhe,

secili e të gjithë bashkë, e dinë që, aplikohet sot për në BE për t’u shqyrtuar nesër nga Brukseli. Ky është rrugëtim e, çdo proces politik, merr kohën e duhur. I tillë sillet të jetë aplikimi, domethënë hapi i tretë i madh, pas dy të tjerëve - mjaft brenda një mandati qeverisës - Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit dhe anëtarësimit në NATO. Dhe, shfaqja më e prekshme për gjithsecilin, do të jetë heqja e vizave me vendet e Bashkimit Europian.
Këto arritje dhe merita janë si gurë të çmuar, të cilët hijeshojnë e krijojnë vlerë të përbashkët, kur vendosen në një kurorë. Kurora e mandatit qeverisës këtë herë e ka emrin 28 qershor 2009, ose zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Edhe pse pozita synon  mandatin e dytë, edhe pse opozita lufton të ngjitet në pushtet, midis dy krahëve politikë, pozitës dhe opozitës, vërehet dallim i madh rreth zgjedhjeve të lira e të ndershme, që cilësohen provë e vendosjes së standardit demokratik, të paarritur kurrë më parë në vend, të kërkuara njëzëri ndërkombëtarisht, sepse ato pohojnë për ne NATO-n dhe maturi në aplikimin për në BE. Opozita shprehet për zgjedhje të lira e të ndershme, si kontribut i saj moral dhe rrugë për ardhjen në pushtet. Por, për pozitën është krejt tjetër. Qeveria e ndjen detyrim të katërfishtë arritjen e standardit europian të zgjedhjeve: ndaj shqiptarëve, se ata i meritojnë të jenë të tilla dhe për t’iu afruar popujve të BE edhe me zgjedhje; ndaj qeverisjes, së cilës i përket përgjegjësia për organizimin e tyre me standardin demokratik të një vendi në NATO; ndaj forcave politike në koalicion, si ecje e përbashkët deri në fund; dhe aleatëve euroamerikanë, ndihma dhe mbeshtetja e të cilëve nuk mund të shkëputet nga përmbushja e kërkesës për zgjedhje të lira e të ndershme.
Pozita është përpara një sfide për t’u fituar dhe fatit politik historik: gurët e çmuar duhen vendosur në kurorën e Shqipërisë së pas NATO-s. Prandaj, për pozitën, e para është data 28-të, që do të thotë përmbushje e zgjedhjeve të standardit demokratik, ndërsa 29-ta është dita më pas, ose pushteti për një mandat të dytë.
Opozita numëron ndryshe: e para është 29-ta, domethënë pushteti, më pas vjen 28-ta, domethënë standardet.
Kjo vërehet si në pasqyrë:
Pozita u ka dhënë përgatitjeve të zgjedhjeve fytyrë europiane edhe me teknologji bashkëkohore, ka ndërmarrë masa lehtësuese ekonomike dhe përdor çdo rrethanë për t’iu drejtuar thirrje votuesve, që të mos vonojnë për letërnjoftimet.
Opozita nuk është aspak memece, por nuk ka shqiptuar as edhe një herë të vetme, thirrjen - detyrë edhe të saj: zgjedhës, merrni letërnjoftimet sa më parë! Përkundrazi, këtë çështje thjeshtë teknike, e ka shndërruar në veprim politik të ethshëm, me sajimin e dy krizave në ato çfarë thotë - zgjedhjet në krizë, ekonomia në krizë - sipas mendësisë, “nëse jo në  pushtet, zgjedhjet në dreq!”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›