E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sovraniteti turistik” i ndërkombëtarëve në Prishtinë

Z. Feith i takon Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, që përkujdeset për njohjen e Kosovës, dhe deri më tani, ai dhe ICO-ja janë parë si aleatë të shtetit të Kosovës. Por, nga e “premtja e zezë”, gjërat kanë ndryshuar. Z.Feith ushtroi trysni ndaj institucioneve të Kosovës, në mënyrë që t’i lejohej hyrja në Kosovë, presidentit të Serbisë. Ndoshta një hyrje e tij apo e kujtdo tjetër me një leje, nuk do të ishte e diskutueshme, sikur Tadiçi t’i nënshtrohej protokollit shtetëror të Kosovës, në këtë rast edhe fjalimi apo qëndrimi që ai do të mbante, pra që t’i ndalohej deklarimi, se “Kosova është Serbi”. Në këtë kontekst, pozicioni i z. Feith si kryesues i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, dhe i misionit të tij, ICO-së, është lëkundur. Me këtë hap ai ka marrë anën e dy misioneve të tjera, EULEX-it dhe KFOR-it, të cilat ende nuk duan t’ia dinë, se si quhet Kosova, e pavarur, sovrane apo e mbikëqyrur. Çështja nuk është më vetëm e ndodhisë, por e rregullimit kushtetues të vendit. Kushtetuta në nenin 2 e deklaron sovranitetin e popullit të Kosovës, por janë dispozitat kalimtare, që e grushtojnë atë, pasi, neni 146 dhe 147 i Kushtetutës, i jep kompetencën e plotë autoritetit të ICO-së sipas Pakos Ahtisari, pikërisht këtij dokumenti që serbët nuk e njohin, ndërsa përfitojnë po nga ky dokument të bëjnë edhe vizita në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit.
Një defekt tjetër i Kushtetutës është neni 20, që lejon nëpërmjet traktateve pa kufizime, të transferojë sovranitetin e vendit në organizata ndërkombëtare, e të cilat nuk kanë kurrfarë përgjegjësie ndaj popullit të Kosovës. Kjo nuk kërkohet me Zgjidhjen e Statusit, ishte edhe vlerësimi i rreth 50 organizatave amerikane evropiane, të cilat kërkonin ndryshimin e këtij neni para miratimit të Kushtetutës nga Kuvendi. Në fakt të gjitha këto çojnë tek dilema themeltare, a duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës? Kjo dilemë ka përgjigje pa hamendësime. Po! Natyrisht ajo tani më nuk duhet të ndryshohet në interes të serbëve, por në interes të shtetit të Kosovës.
Sjellja e ICO-së, nuk është e bazuar në Pakon Ahtisari, por në Kushtetutën e Kosovës, pasi ajo pako nuk ka asnjë vlerë pa referencat që i jepen nga Kushtetuta. Një situatë edhe më e papranueshme është shumësia e pushteteve në Republikë. Ndërsa, në veri, përveç shumësisë së pushteteve, atje nuk kanë asnjë lloj qasjeje institucionet e Kosovës, por qasje të plotë e të papenguar ka Serbia. Në mbi 20 për qind të territorit, veprojnë katër pushtete, KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i pjesërisht, nga misionet e huaja, dhe strukturat paralele të Serbisë. Ndërsa, në pjesën tjetër, KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u, dhe ICO-ja, nga ato ndërkombëtare si dhe institucionet e Kosovës, duke u bërë kështu katër misione të huaja, dhe institucionet e Kosovës, pushteti i pestë. Pra, jemi një rang më ulët, se sa pushteti i mediave, që konsiderohet rëndom si i katërti.
Pra, sovraniteti i Kosovës, është aq i lehtë dhe fluid, sa i ngjason një lloj sovraniteti turistik, bile të kufizuar, në mëngjes e ke, në mbrëmje jo, sot e ke, nesër jo, pas dy jave mund të rikthehet... dhe rifillon cikli i pasjes dhe mospasjes së pavarësisë, përveç në veri, që atje mospasja e sovranitetit është vendosur de facto dhe de jure!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›