E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim eksplozivi te Drejtoria e Tatimeve

 

TIRANE - Shpërthimi i një sasie tritoli trondit lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Burime policore pohojnë se ngjarja ndodhi në ora 02:00 pas mesnatës së djeshme, kur banorët e lagjes pranë Drejtorisë së Tatimeve të kryeqytetit në rrugën “Naim Frashëri” kanë dëgjuar shpërthimin e fortë. Banorë të tmerruar i kanë telefonuar policisë, ku kanë mbërritur brenda pak çastesh efektivë të patrullës së përgjithshme dhe ata të antikrimit të kryeqytetit. Në momentin që ka mbërritur, policia ka nisur mbikëqyrjen e zonës, ndërsa përreth kryeqytetit janë ngritur postblloqe me qëllim zbulimin dhe prangosjen e autorëve. Por edhe pas kësaj nuk është bërë e mundur të zbulohet personi që e ka vendosur lëndën shpërthyese. Në fakt, Drejtoria e Policisë e Tiranës ndodhet vetëm pak metër larg vendit të shpërthimit. Ekspertët e policisë që kanë mbërritur në vendngjarje, pasi kanë këqyrur vendin e shpërthimit kanë dalë në konkluzionin paraprak se lënda shpërthyese ka qenë tritol. Po kështu ekspertët kanë dalë në përfundimin se sasia nuk ka qenë e madhe dhe për pasojë nuk ka rrezikuar jetën e banorëve të shumtë të pallateve përreth. Të vetmet pasoja kanë qenë disa dëmtime të lehta në banesat përreth vendit të shpërthimit, ndërsa nuk ka pasur asnjë dëm në njerëz. Pas kësaj policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, e cila ka rikthyer në kryeqytet frikën e shpërthimeve me lëndë eksplozive. Paraprakisht mendohet se tritoli mund të jetë vënë në shenjë hakmarrje ndaj ndonjërit prej banorëve të lagjes, por policia ende nuk ka të dyshuar për këtë vepër. Sipas policisë, ndoshta autorët e kanë planifikuar lëvizjen e “shënjestrës” së tyre në orët e vona pasmesnate. Ende nuk dihet se kur është vendosur lënda eksplozive në një zonë të banuar dhe si është shpërthyer ajo. Banorët e pyetur kanë dhënë informacione të pakta, ndërkohë ka nisur marrja në pyetje e personave që mendohen si autorë të mundshëm apo që mund të kenë dijeni për shpërthimin. Kjo ka bërë që policia e kryeqytetit të tregohej e rezervuar përsa i përket dhënies së informacioneve rreth kësaj ngjarjeje. Burime policore mohuan të kishin informacione për autorët e ngjarjes dhe shënjestrën e shpërthimit. Ndërkohë, banorë të lagjes, të kontaktuar dje, mohojnë të kenë hasmëri apo probleme, për të cilat është vënë lënda shpërthyese. Ata pohuan dje vetëm frikën që u ishte krijuar pas shpërthimit të eksplozivit në lagje, në kohën kur ata ndodheshin në gjumë.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›