Kurrë s’e kam takuar Thaçin

Është e vërtetë se në vitin 2008 kam qëndruar në Kosovë për një kohë të shkurtër dhe kam punuar në klinikën private “Medicus”. Por, atje kam bërë punën e kirurgut dhe nuk kam marrë pjesë në kurrfarë trafikimi me organe njerëzore. Asnjëherë nuk jam njohur me Hashim Thaçin dhe as nuk kam bashkëpunuar me të në kurrfarë mënyre, aq më pak në ndonjë punë johumane. Kështu thotë kirurgu turk Yusuf Sonmez në një intervistë për gazetën beogradase "Vecernje Novosti".
Sonmez, i njohur në Turqi si Doktor Frankenshtajn, akuzohet se ka qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë. Nga shtëpia e tij në qytetin Kartel, ku është kthyer pas mbajtjes 24 orëshe në burg, Sonmez thotë se ndihet njeri i lirë dhe i pafajshëm. Thekson se është i vetëdijshëm për praninë e tij në lajmet kryesore të medieve. Por, siç thotë, për arsye të gabuara.
“Është e vërtetë se i njoh njerëzit, emrat e të cilëve gjenden në aktakuzë. Njëri nga ta, Lutfi Dervishi, ka qenë shef i ‘Medicusit’. Në vitin 2008, ai më ka ftuar që të shkoj nga Stambolli në Kosovë për të kryer operacione. Shumë pacientë nga Kosova dhe Shqipëria kanë ardhur në Turqi për operacione, kështu që Dervishi e kishte idenë që të organizohemi më mirë për ta kryer këtë punë në Prishtinë”, rrëfen Sonmez.
Sipas tij, gjithë çfarë ka punuar në “Medicus” ka qenë në përputhje me praktikën mjekësore dhe me të gjitha lejet e nevojshme. “Por, se a ka pasur atje trafikim me organe njerëzore dhe shitje të tyre në treg për 100 mijë euro, para ose pas pranisë sime, këtë vërtet nuk e di”, thekson ai.
Nga pozita në të cilën gjendet sot, Sonmez thotë se i ka rënë pishman që ka pranuar ftesën për të shkuar në Prishtinë. “Shpresoj që këmba ime të mos shkelë kurrë më atje”.
Deklaron se ka dëgjuar edhe për akuzat e shprehura në raportin e Dick Martyt.
“Nuk i di detajet, por betohem në gjithë çfarë kam dhe në gjithë çfarë besoj se nuk kam kurrfarë lidhjeje me ‘shtëpinë e verdhë”as me heqjen e organeve serbëve. Dëshiroj që të gjithë në Serbi ta dinë se nuk jam kurrfarë përbindëshi”.
Për aktakuzën e ngritur ndaj tij, Sonmez nuk dëshiron të flasë, megjithatë pranon se është gjendur në listën e Interpolit.
“Kjo ka ndodhur për shkak se nuk i jam përgjigjur gjyqit të EULEX’it. Sinqerisht, as që më vjen ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Nuk u besoj institucioneve kosovare dhe as asaj se një vend i tillë, i zhytur thellë në krim, mund të garantojë gjykim fer. Madje as nën mbikëqyrjen e Europës dhe OKB’së”, thotë mjeku turk.
Deri në fillimin e gjykimit, Sonmez do të qëndrojë në Turqi, në shoqërinë e bashkëshortes së tij lituaneze. Ai ka nënshtetësi lituaneze dhe është baba i një vajze 18 muajsh.
“Gjyqtarit hetues do t’ia them të gjitha që i di. Por, vetëm para gjyqit në Stamboll dhe jo para ndonjë kuazi institucioni në Kosovë. Vetëm kështu e vërteta do të dalë në dritë. Nuk duhet që unë të tregoj se jam i pafajshëm, por ata duhet të tregojnë se jam fajtor. E kjo është e pamundur. Ndërgjegjen edhe profesionale, edhe njerëzore e kam të pastër”, thekson Sonmez.