E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Institucionet para pranverës

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 15:04


Tiranë, 14 janar 2011 (Kosovapress) Koha 14:47
news

Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur besimin se certifikimi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit do të bëhet në dhjetëditshin e parë të shkurtit, ndërsa kah fundi i shkurtit apo fillimi i marsit do të konstituohet Kuvendi i Kosovës, si dhe do të zgjidhet presidenti dhe qeveria e re.

Ai këto komente i bëri pas takimit të premten me presidentin e Shqipërisë Bamir Topi në Tiranë, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe koordinimin e hapave për raportin Dik Martit që do të jetë objekt shqyrtimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 25 janar.

Duke folur rreth takimeve që po zhvillon në Tiranë, Krasniqi ka thënë se ato do të shërbejnë për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën që të krijohet një imazh i ri për të dyja vendet dhe shqiptarët në përgjithësi.

Për sa i përket raportit të Dik Martit, Krasniqi ka potencuar edhe njëherë se ky është një raport i iniciuar nga qarqe që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe as shqiptarëve në përgjithësi.

“Shqiptarët në rajonin tonë kanë një obligim për të shtuar bashkëpunimin, për të shtuar koordinimin në mënyrë që së bashku për t’iu kundërvënë të gjitha qarqeve antishqiptare, gjitha qarqeve antidemokratike, se në fund të fundit shqiptarët, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, janë të përcaktuar për vlerat evropiane, dhe na vjen keq ku nga përfaqësues të atyre vendeve që ne krenohemi me vlerat evropiane i godasin padrejtësisht të arriturat e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi”, është shprehur ai.

Krasniqi ka thënë se bisedimet e paralajmëruara me Serbinë do të jenë shumë të vështira dhe të zgjatura, ndërsa ka potencuar se pala kosovare nuk është e gatshme të hyjë në pazare për të humbur shumëçka dhe për të dëmtuar atë që e ka arritur gjatë kësaj dekade.

Nga ana e tij, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka inkurajuar lidershipin politik të Kosovës për konstituimin sa më të shpejt të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, si dhe ka inkurajuar dialogun e paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane.

Presidenti Topi ndërkaq akuzat e Dik Martit për trafikim organesh i ka quajtur të pabaza.

“Jemi fokusuar në mënyrë të veçantë tek nevoja e reagimit institucional të të dy vendeve tona në mënyrë të sinkronizuar në Këshillin e Evropës për sa i përket raportit të Dik Martit. Ne patjetër do të dëshmojmë edhe njëherë që këto të ashtuquajtura fakte nuk ekzistojnë”, ka thënë Topi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›