Ndëshkohet Komandanti
Komandanti i stacionit të policisë së Kosovës në Zveçan, Nenad Gjuriq, është suspenduar nga puna për 48 orët e ardhshme me një vendim të komandantit rajonal të policisë së Kosovës në Mitrovicë.
Gjuriq nuk i është bindur urdhrit të ministrit në dorëheqje Bajram Rexhepi, për të konfiskuar e ndaluar të gjitha veturat që ngasin serbët me targat e reja të lëshuara nga Serbia për qytete e Kosovës.
Suspendimin e Gjuriqit e ka konfirmuar edhe policia rajonale në Mitrovicë.
“Komandanti rajonal i policisë së Kosovës në Mitrovicë ka marrë vendim për suspendim prej 48 orëve ndaj komandantit të stacionit të policisë në Zveçan, për shkak të moszbatimit të urdhrave”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Gjuriq paraprakisht përmes një letre dërguar komandës së stacionit policor në Zveçan ka njoftuar se nuk do të respektojë urdhrin për konfiskimin e targave të reja për Kosovën të lëshuar nga Serbia.
Të enjten Policia e Kosovës ka konfiskuar targat e para të reja për Kosovën, të lëshuara nga Serbia në pikën kufitare.
Para se ai të suspendohej, komandanti i stacionit policor të Kosovës në Zveçan, kapiten Nenad Gjuriq e ka braktisur punën në shenjë refuzimi ndaj urdhrit të dhënë për konfiskimin e targave ilegale të Serbisë.
Deri te ky vendim i Gjuriqit dhe policëve serbë në veriun e Kosovës ka ardhur pas një takimi që komandantët e stacioneve të Policisë së Kosovës kanë pasur të mërkurën me komandantin e MUP-it të Serbisë për veri, Gjorgje Dragoviq, si dhe me shefin e Inteligjencës për Siguri të Serbisë (BIA) për këtë pjesë të Kosovës, Nenad Komatina.
Këta të fundit kanë kërkuar nga komandantët e stacioneve të Policisë së Kosovës në veri që të mos zbatojnë urdhrat e ministrit Bajram Rexhepi për konfiskim të targave.
Dërgimin e letrës dhe mosbindjen e një zyrtari të policisë ndaj urdhrave të eprorëve më të lartë e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë, ndërkohë që ka mohuar takimin e komandantëve të Policisë së Kosovës në veri me shefat e MUP-it serb.
“Kemi një rast të mosbindjes ndaj urdhrit për konfiskimin e targave të lëshuar nga Serbia, të dhënë nga drejtori gjeneral i Policisë së Kosovës lidhur me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti.
Hoti ka thënë se mosbindja ndaj urdhrave të eprorëve më të lartë është shkelje e rëndë e procedurave dhe ligjit mbi funksionimin e policisë.
Hoti tha se zyrtarë të Policisë së Kosovës pritet që në orët në vazhdim të dalin me masat që do të merren në këtë drejtim
MPB: Urdhri nuk është tërhequr
Ndërkohë ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme ndaj një shkrimi në një të përditshme kosovare, sipas së cilës ministri Bajram Rexhepi është tërhequr nga urdhri për konfiskimin e targave serbe në Kosovë.
Urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, për konfiskimin e targave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë me iniciale të shtatë rajoneve të Republikës së Kosovës nuk është tërhequr asnjëherë dhe si i tillë është valid, i plotfuqishëm dhe në zbatim e sipër nga Policia e Kosovës”, thonë zyrtarë të kësaj ministrie.