Dy kamionë me ndihma për Shkodrën
Dy kamionë të Batalionit III për Reagim të Shpejtë të FSK-së që veprojnë në Mitrovicë, janë nisur të premten për në Shkodër, ku do të dërgojnë ndihmat e mbledhura nga bizneset e kësaj komune.
Nisma për mbledhjen e ndihmave ishte ndërmarrë nga kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i cili ka formuar edhe një komision me zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të biznesit me qëllim që t’u ndihmohet banorëve të Shkodrës që janë përballur me probleme të mëdha si pasojë e përmbytjeve.
Drejtori komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili ka qenë i autorizuar që të koordinojë ndihmat që do të tuboheshin nga fermerët, biznesmenët e qytetarët, tha se ndihmat janë mbledhur për 2 javë, transmeton Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës.
Biznesmenët mitrovicas kanë ndihmuar me artikuj ushqimorë, mandej veshmbathje dhe teknikë të bardhë. “Ka qenë një solidarizim i madh i të gjithëve. Qytetarët mitrovicas janë treguar shumë solidarë me vëllezërit nga Shkodra”.
Gjithashtu, punëtorët e PTK-së kanë dhuruar 405 euro me të cilat janë siguruar një sasi patatesh për shkodranët.