Shpronësimet në gjykatë

Banorët që i janë nënshtruar procesit të shpronësimit në zonën ku po ndërtohet Autostrada Vërmicë – Merdare po ankohen në çmimet e vlerësimit të pronave të tyre. Ata për këtë edhe janë ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës. Shumë prej pronarëve të tokave kanë konsideruar se çmimi është i ulët dhe presin nga Gjykata Supreme që t`i vlerësojë më shumë ato toka.
Shumë prej tyre, jo krejt, s`janë hiq të kënaqur me çmimin që u është ofruar për pronat e tyre. Përfaqësuesi i fshatit Vërmicë, Bujar Pula, thotë se pagesat për shpronësime ende nuk janë kryer të gjitha. Ai tregoi se shumë persona janë ankuar në gjykata për çmimet që u ka dhënë qeveria për pronat. Nuk janë bërë, sipas tij, në mënyrë të organizuar, por kjo ka shkuar në baza individuale.
“Banorët, shtoi ai, nuk janë ndarë të kënaqur për shkak të çmimit që atyre iu vlerësuar toka e tyre, por edhe për shkak të sipërfaqeve të marra”, tha ai.
Nga procesi i shpronësimit, shpjegon Pula, janë kryer pagesat për një pjesë të banorëve dhe ka mbetur një pjesë e tyre pa u kryer, për shkak të moskompletimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Pula tregon se çmimet për këto prona sillen sipas territorit dhe ato lëvizin nga 5 deri në 17 euro për metër katrorë. Çmimet sillen sipas territorit dhe shkojnë që nga 5 deri në 17 euro metri katrorë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari, thotë se punimet kanë përparuar në masë të madhe sesa që kanë pritur. “Ministria është e kënaqur me punimet që janë duke u kryer deri më tash. As ndryshimi i kushteve atmosferike nuk do ta ndalë dinamiken e punëve në trasenë e autostradës”, thotë Pozhari.
Gjatë vitit të kaluar shpronësimi ka përshirë një gjatësi prej 43 kilometra nga zona kadastrale Vërmica deri në zonën kadastrale Bllacë. Për gjithë këto prona, qeveria deri më tash ka ndarë mbi 14 milionë euro.
Banorët në anën tjetër vazhdojnë të presin të marrin paratë për pronat e marra nga qeveria.
Drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Shkelzen Morina, tha se varësisht se si do të ecin punimet e autostradës, do të bëhet edhe shpronësimi gjatë këtij viti.
“Gjatë vitit 2010 janë vlerësuar tri segmente me gjatësi prej 43 km nga zona kadastrale Vermica deri në zonën kadastrale Bllacë. Shpronësimi do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti sipas dinamikës së paraparë”, tha Morina.
Sipas tij, edhe pagesat për banorët janë kryer.
“Gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar afër 14 milionë për segmentin 1 dhe 2 nga zona kadastrale e Vermices deri në zonën kadastrale të Novakes me gjatësi prej 27 kilometra apo më shumë se 80 për qind e mjeteve për këto dy segmente”, tha drejtori Morina për Express. Zëdhënësja e kompanisë, “Bechtel&Enka”, Ela Ruçi tha se nuk kanë hasur në asnjë pengesë gjatë shpronësimit.
“Punimet po vazhdojnë sipas planit në seksionin 1, 2 dhe 3, përkatësisht nga Vermica deri në Suharekë. Puna vazhdon me intensitet në të gjithë trasenë si në dizenjim, zhvendosje të utiliteteve, ndërtimin e nënkalimeve dhe mbikalimeve dhe urave që janë në këto seksione”, tha Ruçi. Institucionet përgjegjëse si komunat e ministritë thuhet se i kanë kryer obligimet e tyre që kanë të bëjnë edhe me shpronësimin. Autostrada pritet të përfundojë për 36 muaj ditë punë, por ende nuk dihet kostoja e saktë e saj.