E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurs kundër analfabetizmit për komunitetin rom

Bashkia e Tiranës ka mundësuar krijimin e një kopshti të posaçëm për fëmijët romë, të moshës parashkollore, në Allias, në Njësinë Bashkiake Numër 4. Ky kopsht do të fillojë funksionimin gjatë këtij fundviti dhe në ambientet e tij do të akomodohen rreth 25 fëmijë romë. Ceremonia e inaugurimit është menduar në formën e një feste, gjatë së cilës do të shpërndahen dhurata të ndryshme, materiale shkollore, por edhe lodra që do të gëzojnë të vegjlit me rastin e ardhjes së Vitit të Ri. Brenda qendrës sociale ku është vendosur ky kopsht, Bashkia e Tiranës do të krijojë për herë të parë "Kursin kundër Analfabetizmit". Ky kurs do të jetë i hapur dhe pa kufizim moshe për frekuentuesit e komunitetit rom. Kursi do të hapet në fillim të muajit janar dhe vullnetarë të forumeve të ndryshme të kryeqytetit do të jenë trajnuesit që do të marrin përsipër të zbusin sadopak dukurinë e rëndë të analfabetizmit për këtë komunitet, dukuri që është rritur dukshëm pas vitit 1991, ku shumë fëmijë romë ose nuk regjistrohen fare në shkolla, ose i braktisin shkollat fillore pas vitit të parë e ku një pjesë fare e vogël e tyre mbarojnë shkollën nëntëvjeçare. Hapja e kësaj klase për fëmijët romë, ka si qëllim që fëmijët të cilët do ta frekuentojnë, të mësojnë shqip sipas programeve parashkollore, e të mund të vazhdojnë më tej shkollën, duke mos e braktisur atë që në hapat e parë. Gjithashtu në këtë klasë ata do të marrin pjesë në aktivitetet psiko-sociale, që anëtarët e stafit do të organizojnë në mënyrë të vazhdueshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›