E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virozat e stinës, pediatria plot me të sëmurë

Uljet dhe ngritjet e herëpashershme të temperaturave, ndryshimi i motit ka rritur edhe fluksin e të sëmurëve të vegjël në pediatri. Poliklinikat dhe qendrat shëndetësore të lagjeve prej dy muajsh janë mbushur me të vegjël, të cilët shfaqin problemet e stinës, vizitohen dhe marrin mjekim.

Brenda 24 orëve në urgjencën e pediatrisë paraqiten nga 100 deri në 150 raste fëmijësh të sëmurë. Mjekët thonë se nuk ka vend për alarm, sepse shqetësimet e moshave parashkollore kanë ardhur si pasojë e virozëve të stinës nga ulja e menjëhershme e temperaturave. Organizmi i fëmijëve është më i ndjeshëm se ai i të rriturve dhe si i tillë është më i ekspozuar për t‘u prekur nga virozat e stinës sa herë që ka ndryshime të kohës. Shenjat e para të sëmundjeve të stinës janë të vjella, diarre, dhembje kyçesh dhe temperaturë shumë e lartë. Sipas mjekëve pediatër, pjesa më e madhe e të prekurve, fazën e parë të sëmundjes përpiqen ta kalojnë në shtëpi dhe më pas paraqiten në spital.

Më shpesh nga virozat e kësaj stine preken rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Të sëmurët kanë kollë dhe dhembje fyti, e cila zgjat për shumë ditë me radhë. Nëse nuk merret ndihma, konsulta dhe medikamentet e nevojshme, i sëmuri mund të kalojë edhe në bronkopneumoni. Nëse këto simptoma zgjasin, atëherë i sëmuri duhet të shtrohet në spital për të marrë një trajtim intensiv mjekësor.

Në raste të problemeve të zakonshme, mjeku përshkruan një recetë me medikamente. Më problematike situata paraqitet për të sëmurët kronikë, të cilëve prekja nga viroza ua rëndon edhe më shumë sëmundjen e mbartur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›