E Diel, 1 Nëntor 2026

Transporti urban, sot miratohen kushtet e reja të licencimit

Sot do të përcaktohen kriteret e reja të përzgjedhjes për operim, në linjë të rregullt udhëtarësh. Këshilli Bashkiak do të vendosë sot për kushtet e reja mbi bazë të së cilave operatorët e të gjitha linjave të transportit urban brenda dhe jashtë qytetit të Tiranës do të licencohen. Në projektvendimin përkatës që u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe është diskutuar parimisht në disa komisione, janë reflektuar një seri propozimesh, të kryera nga Drejtoria e Transportit dhe Lëvizshmërisë dhe Drejtoria e Kontrollit të Urbanëve. Ata kanë parashtruar në mënyrë të detajuar kushtet që duhet të plotësojë çdo subjekt në këtë biznes për të kryer transportin e udhëtarëve. Qytetarët edhe përmes shoqatës së konsumatorëve shpeshherë kanë përcjellë pranë Bashkisë së Tiranës dhe Këshillit Bashkiak kundërshtimet e tyre lidhur me kushtet jo cilësore të ofrimit të shërbimit urban në kryeqytet, si në dimër, ashtu edhe në verë. Pa përmendur këtu ankesat e herëpashershme për rritjen e çmimit të biletave nga ana e operatorëve aktualë në treg. Ndaj, për të sistemuar disi këtë shërbim në tregun kryeqytetas, në draftin e përgatitur janë përcaktuar kriteret e reja, që pas miratimit do të bëhen detyruese për të gjithë operatorët, të cilët pas muajit janar do të mund të rinovojnë licencat apo ata që do të licencohen për herë të parë. Në projektvendim thuhet se sipërmarrësit e transportit rrugor fillimisht duhet të paraqesin kërkesën për licencim pranë Bashkisë së Tiranës. Personi juridik që kërkon të licencohet për ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të udhëtarëve, duhet të plotësojë një sërë kushtesh. Përzgjedhja e fituesve do bëhet me dy faza. Në fazën e parë bëhet paraqitja e kërkesave për licencim. Pas marrjes në shqyrtim të kërkesave, zhvillohet faza e dytë. Ajo nis me konkurrentin në krye të listës, që ka mundur të mbledhë më shumë pikë, nisur nga kushtet dhe standardet e shërbimit që ofron. Nëse ai skualifikohet nga komisioni, vazhdohet me konkurrentin e dytë e me radhë. Sipas statistikave bashkiake, rezulton se linjat interurbane në shkallë kombëtare janë 76, të cilat hyjnë e dalin në Tiranë. Në kryeqytet ka 194 orare operimi dhe vetëm në Tiranë hyjnë e dalin 2960150 udhëtarë në vit, me linjat interurbane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›