E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, falen kamatëvonesat për fermerët

 

Qeveria ka miratuar dje projektligjin që i hap rrugë faljes së kamatëvonesave për kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi. Në fakt për të lehtësuar pagesën e kontributeve nga fermerët disa herë janë miratuar falje të kamatëvonesave, me kusht pagesën e detyrimeve kontributive. Konkretisht falje kamatëvonesash ka patur që nga viti 2003 e në vazhdim dhe ka përfshirë edhe subjektet e tjerë shtetërore e private. Edhe këtë vit qeveria ka vënë si kusht që do të përfitojnë vetëm ata fermerë, të cilët do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore brenda datës 31 mars të vitit të ardhshëm. Sipas vendimi të qeverisë të marrë në qershor të këtij viti, masa kontributive për të vetëpunësuarit në bujqësi u rrit me 20 për qind. Kështu për të vetëpunësuarit në bujqësi që banojnë në zonat fushore, masa vjetore e kontributeve për sigurimet shoqërore nga 12 mijë lekë që ishte u bë 14.400 lekë, ndërsa për zonat malore nga 7800 lekë në 9360 lekë. Qëllimi i kësaj rritjeje ishte barazimi i masës së kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi me ata të vetëpunësuarit në qytet. Por për të lehtësuar fermerët nga ngarkesa me kamatëvonesat, qeveria vendosi t’i falë ato. Nga falja e kamatëvonesave pritet të zgjerohet skema e kontribuuesve në fshat, pasi fermerët duke qenë kontribuues do të jenë në skemë edhe kur masa e kontribuuesve në fshat të rritet. Me miratimin e këtij projektligji pritet që të lehtësohet skema e ndihmës ekonomike, sepse me pagesën e kontributeve fermerët përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore. Aktualisht në zonat rurale numri i personave që përfitojnë ndihmë ekonomike është 167 mijë. Gjithashtu nga miratimi i këtij projektligji pritet të rriten të ardhurat vjetore në skemën e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuar në bujqësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›