Ristani: Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit finalizohen të hënën

Me përfundimin e ankimimeve të subjekteve politike në Kolegjin Zgjedhor, pritet që certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe shpërndarja e mandateve të deputetëve për subjektet politike të finalizohet ditën e hënë në mbledhjen e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këtë e ka bërë të ditur dje, Arben Ristani, kreu i KQZ-së. “KQZ deri më tani ka bërë shpërndarjen e nëntë qarqeve, ndërkohe që pritet të bëhet ai për Fierin, Tiranën që është në ankimim dhe Shkodrën që sapo ka mbaruar. Dhe në këtë mënyrë, dita e hënë s’do të jetë afati i fundit për të dhënë në këtë mënyrë certifikimin e plotë të këtyre zgjedhjeve”, u shpreh dje Ristani. Ndërkaq në mbledhjen e djeshme Komisioni Qendror i zgjedhjeve bëri shpërndarjen e mandateve për Qarkun e Durrësit ku koalicioni i djathtë ka fituar 7 mandate deputetësh, ai i majtë pesë dhe koalicioni i kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim një mandat deputeti. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe në këtë mënyrë subjektet, të cilat kanë ngritur padi në lidhje me vendimet e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, apo kanë kërkuar rinumërim dhe rishqyrtim të votave, bazuar në nenin 158 të Kodit Zgjedhor nuk mund të bëjnë ankim pas vendimit të marrë nga trupa gjykuese e këtij Kolegji.
...