Vritet politikani i partisë boshnjake
Në mesin e fushatës elektorale është vrarë një nga drejtuesit e partisë së boshnjakëve të Kosovës. Dje rreth orës 14, në fshatin Postenje të Leposaviqit është vrarë në pritë Shefko Sallkoviç, boshnjak nga fshati Rvatska i Komunës së Leposaviqit. Sipas njoftimeve të para jozyrtare, Sallkoviç, i njohur si person luajal ndaj Kosovës dhe përfaqësues i koalicionit “Vakat”, është vrarë në pusi, menjëherë pasi ka lëshuar magjistralen e Ibrit, në rrugë për në fshatin e tij. Njoftohet se ai ka qenë duke qarkulluar me mjetin “Toyota”, me targa 522 KS 949, ndërsa është qëlluar nga njerëz që qarkullonin me një “Opel Astra” me ngjyrë metalike. Shefko Sallkoviç, i cili në zgjedhjet e vjetshme lokale ishte zgjedhur këshilltar komunal në Asamblenë Komunale të Leposaviqit, si përfaqësues i banorëve boshnjakë të fshatrave Rvatska, Zaseok Muminoviç, Vrba, Beberishte dhe Kalin të Komunës së Leposaviçit. Shefko Sallkoviç ishte i njohur si person luajal ndaj politikës së Kosovës. Ai këtë e dëshmoi edhe me rastin e vizitës së Hillary Clintonit, kur në shtëpinë e tij, në fshatin Rvatska të Komunës së Leposaviqit, diku rreth 3 km në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi, dhe rreth 50 km në veriperëndim të Mitrovicës, vendosi një flamur amerikan dhe një kosovar.