Kurti: Mitrovica është problem edhe kombëtar

Lëvizja “Vetëvendosje” edhe me pjesëmarrjen në institucione nuk është shndërruar në parti politike si ato që i kemi parë të hynë e të dalin nga qeveritë e pasluftës, sepse kemi dëshmuar që për dallim prej partive në Kosovë, ne jemi një organizatë aktive politike. Kështu deklaroi lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, në mbledhjen zgjedhore të “Vetëvendosjes” në Mitrovicë.
“Jemi një lëvizje e cila i ka të palëvizshme qëndrimet e parimet, organizatë shumë e gjallë e aktive, gjë që është e kundërt me partitë politike, të cilat qëndrimet dhe parimet i kanë shumë fleksibel e të lëvizshme, ndërsa organizatën e kanë pasive dhe të plogësht. Pra në këtë kuptim ne si “Vetëvendosje” jemi e kundërta e partive tradicionale ne Kosovë, sepse gjallëria jonë është tek organizata, ndërsa këmbëngulësia jonë është te parimet dhe qëndrimet e saktësisht e kundërta është tek partitë politike”.
“Ideve tona të fuqishme, kritikës tonë parimore, po ia bashkangjisim një organizatë të fuqishme dhe kombinimi fitues është pikërisht ky. Është e rëndësishme që lëvizja “Vetëvendosje” të jetë në veçanti e fuqishme në Mitrovicë, por në anën tjetër gjithmonë duke pasur parasysh se Mitrovica nuk është, dhe nuk duhet të jetë asnjëherë problem i mitrovicasve, apo vetëm i mitrovicasve, por problem i gjithë Kosovës dhe i kombit shqiptar”, ka thënë Kurti.