Kurti e quan Amerikën fuqi koloniale në Kosovë

Gazeta e përjavshme gjermane, "Der Spiegel”, sjell një artikull për Kosovën, të cilën e përshkruan si një vend i cili kurrsesi nuk po përparon.
Vjedhjet zgjedhore, abuzimet, korrupsioni - të gjitha këto po frenojnë shtetin më të ri ballkanik, shkruan kjo javore, transmeton QIK-u.
Në bisedë me këtë gazetë, lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, ka thënë se "Kosova ndoshta formalisht është shtet i pavarur, por në të vërtetë nuk është sovrane".
Gazeta përmend ndikimin që Beogradi e ka nëpërmjet mësuesve, policëve dhe mjekëve që rrogat marrin nga buxheti i Serbisë.
Mirëpo, Kurti, të cilin "Der Spiegel" e cilëson si një njeri elokuent, si problemin më të madh e sheh pikërisht qeverinë e Kosovës.
Sipas tij, kryeministri Hashim Thaçi është "hajni që vjedh nga populli i vet dhe qeveris si kukull e fuqisë koloniale të SHBA-së".
Kjo e përjavshme më tej shkruan se pozicioni i Thaçit dukshëm është dobësuar duke marrë parasysh se dyshohet për falsifikimin e zgjedhjeve të kaluara, si dhe faktin se ish-komandanti i UÇK-së është i përfshirë në hetimet për trafikim me organe të serbëve të Kosovës.