E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltari Tendencioz

Këshilltari i transaksionit Telco AG, në raportin e tij, ka goditur PTK’në duke e cilësuar si të dobët në shitje, marketing, aplikim të sistemit të prokurimit, investime... Drejtuesit e PTK`së, përmes një letre, kanë kërkuar nga Qeveria të shqyrtojë me rezervë raportin e kësaj agjencie dhe e kanë cilësuar si raport joreal, të pavërtetë dhe tendencioz për t’ia ulur vlerën kompanisë. Qeveria pritet të caktojë këshilltar të ri të transaksionit. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 08:03

Nëse do të dëgjohej këshilltari i Transaksionit të Postës dhe Telekomit të Kosovës - Telco AG, atëherë kjo kompani do të shitej për shumë pak para.

Në një raport të vetin për këtë kompani, ajo ka shkruar vetëm zi e terr. Të gjitha njësitë - postën, telekomin, IPTV`në dhe Valën, këshilltari austriak i ka cilësuar si të dobëta dhe jofunksionale.

Në raportin e Telco AG`së, të siguruar nga Express, PTK’ja goditet për aplikim të prokurimit me metoda të vjetruara, shan aspektin teknologjik, e quan të papërgatitur çështjen e marketingut, thotë se ka mungesë të inovacionit në shërbime dhe shumë çështje të tjera.

Menjëherë pas këtij raporti, drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë reaguar. Ata kanë kërkuar nga të gjitha institucionet kosovare që të shqyrtojnë çështjen e këtij raporti dhe të largojnë këshilltarin e Transaksionit.

PTK’ja e quan jashtëzakonisht të pavërtetë këtë raport duke e cilësuar si shumë të dëmshëm për këtë kompani.

“Menaxhmenti i PTK`së e vlerëson këtë raport si joprofesional, të paargumentuar, tendencioz dhe skandaloz në formën dhe përmbajtjen e prezantuar para menaxhmentit të PTK’së”, thuhet në letrën e PTK’së drejtuar institucioneve të Kosovës.

PTK’ja, përmes kësaj letre, shpreh shqetësimet e thella rreth prezantimit të këtij raporti, për shkak se sipas tyre, është me tendenca për të ulur vlerën e PTK’së dhe e cila do të ndikojë në procesin e privatizimit.

“Si menaxhment kërkojmë nga ju që në asnjë mënyrë mos të merren për bazë konstatimet e paargumentuara dhe të pabazuara nga raporti i datës 06. 07.2011, nga KT’ja pasi që në mënyrë të pariparueshme tashmë ka dëmtuar vlerën e PTK’së, edhe pse pritjet e të gjithëve dhe aksionarit kanë qenë vlerësimi real i vlerës së korporatës”, thuhet në letrën e PTK`së drejtuar Qeverisë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›