Kurti mërgimtarëve: Votoni në Kosovë e në Zvicër

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është zotuar edhe një herë prej Cyrihut se do të angazhohet që bashkatdhetarëve kosovarë t’u njihen tri lloj të drejtave politike nga ana e shtetit: e drejta e nënshtetësisë së dyfishtë, e drejta e votës pa pengesa burokratike si dhe statusi i refugjatit.
Kurti i ka inkurajuar në këtë takim bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor në Kosovë.
"Edhe dy ditë mund të aplikoni për zgjedhjet e 3 nëntorit. Kosova me këtë pushtet që ka i ka në qef vetëm paratë tuaja, por jo edhe votat, kështu që shfrytëzojeni afatin e regjistrimit për të votuar deri më 10 shtator. Prandaj edhe i kanë vendosur gjithë ato pengesa që ju të mos votoni nga jashtë. Në njëfarë mënyre, për të votuar në Kosovë është bërë më vështirë se të plotësosh një formularë për vizë amerikane. Por, merrni mundin, gjeni kurajën dhe votoni“, tha Albin Kurti.
Pos kësaj, Kurti i ka ftuar bashkatdhetarët me të drejtë vote në Cyrih që të votojnë edhe në zgjedhjet që mbahen në Zvicër. Por, jo vetëm të votojnë, por edhe të kandidohen në partitë e ndryshme politike zvicerane.
"Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet zvicerane përforcon pozitën e komunitetit në Zvicër, por edhe të gjithë kombit, ngase ne jemi një, pasqyra e njëri-tjetrit“, tha Kurti.Në fjalimin e tij, Albin Kurti ka kërkuar nga bashkatdhetarët që për të përmirësuar statusin e tyre të aktivizohen edhe në organizata të tjera që tubojnë qytetarët zviceranë.
Lideri opozitar ka folur edhe për alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes që, sipas tij, do ta transformojë vendin.
Dokumenti në fjalë është bazuar në shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe atë social, e që sipas Kurtit, Kosovës i mungojnë të gjitha.
„Kosova është vend i konsumit dhe jo vend i prodhimit. Vetëm punësimi sjell para dhe mirëqenien. Kosova po bëhet një vend i pajetueshëm. Sot e 30 vjet Kosova e ka natalitetin më të madh në Evropë, por popullsia nuk po rritet më shumë se 1.8 milionë banorë. Numri i fëmijëve që lindin minus mortaliteti është i barabartë përafërsisht me numrin e të rinjve që ikin nga Kosova. Kjo është arsyeja pse i kushtojmë rëndësi të veçantë mërgatës“, tha lideri i Vetëvendosjes.
Ndërsa deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, është thelluar në rolin që diaspora shqiptare e Zvicrës ka pasur në të gjitha zhvillimet me rëndësi në Kosovë, sidomos në luftën çlirimtare.
Ai ka përmendur me këtë rast veçanërisht ndihmën që kanë dhënë bashkatdhetarët për luftën çlirimtare.
„Vetëvendosje e do mërgatën të integruar në vendin ku jetojnë, por edhe si pjesë të pandashme të vendit nga kanë migruar. VV e do mërgatën që të jetë pjesë e pashkëputshme e kombit shqiptar“, tha Rexhep Selimi.
Ndërsa profesori Salih Salihu ka folur për sfidat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, por edhe për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet arsimi dhe shëndetësia.
Mysafirët nga Prishtina u janë përgjigjur edhe pyetjeve të ndryshme të bëra nga të pranishmit. Kurti është pyetur për raportet me ndërkombëtarët për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa Selimi është pyetur për raportet që i kanë me shokët e luftës në qeveri.
Gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, Albin Kurti dhe një delegacion i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër u takuan me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste të Zvicrës, Stefan Hostettler, zëvendëssekretar i përgjithshëm dhe shef i Divizionit Politik dhe Peter Hug. Aty u diskutua për zhvillimet aktuale, për programet politike dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy subjekteve politike.
Delegacioni i Vetëvendosjes u takua edhe me ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë në ambasadat përkatëse në Bernë, ku u bisedua për mërgatën shqiptare në Zvicër dhe zhvillimet e fundit politike në trojet shqiptare.
Pas takimeve me ambasadorët, delegacioni pati një takim me afaristë dhe bashkatdhetarë të Kantonit të Bernës.