Nuk arrijnë marrëveshje, Shkupi shqyrton mundësinë e vizave

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje pas bllokadës që iu bënë mallrave të Maqedonisë nga ana e Kosovës. Edhe pas takimit të mbajtur mes ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Llila dhe atij të Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, nuk është arritur marrëveshje, transmeton KTV. Ministrja Kusari-Lila ka thënë se ajo i ka bërë të qartë se Kosova nuk do lëshojë pe, derisa shteti maqedonas të marrë vendim për heqjen e taksave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa Saraqini është shprehur se sa i përket bllokadës në miellit, Maqedonia nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, por ka thënë se ata kanë dashur që ta mbrojnë prodhimin e tyre vendës.
Ndërsa nuk ka dashur të komentojë vendimin e qeverisë së tij për vënien e taksës për qytetarët e Kosovës. Saraqini ka thënë se takimet do të vazhdojnë dhe është shprehur optimistë se shpejt do të gjendet zgjidhje për këtë çështje.
Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për moslejimin e mallrave maqedonase të hyjnë në Kosovë ka nisur së zbatuari në mesnatë. Kamionët që ishin nisur drejt Kosovës me mallra maqedonase janë ndaluar nga doganierët në pikën kufitare në Han të Elezit. Problemet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovarë.
Megjithatë MTI pohon se ministrat janë pajtuar për eliminimin e të gjitha ndalesat tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve për të dy vendet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Zv.kryeministrja Mimoza Kusari Lila; ministri i Financave, z. Besim Beqaj dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini, në takimin që mbajtën sot në Prishtinë, u dakorduan që në frymën e bashkëpunimit ekonomik dhe fqinjësisë së mirë në mes të dy vendeve të eliminohen të gjitha ndalesat tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve për të dy vendet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e MTI-së.
Sipas MTI-së, bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes të dy vendeve mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë.
Ndërkaq, Mediat maqedonase shkruajnë pasditen e sotme se Qeveria e Shkupit mund të përcaktohet për vënien e vizave për shtetasit e Kosovës.
Opsioni i tillë, siç mëson nga burimet e saj “Dnevnik”, po shqyrtohet seriozisht nga autoritetet qeveritare të Maqedonisë.
Kjo mendohet të jetë përgjigjja “adekuate” e Shkupit ndaj vendimit të Prishtinës për bllokimin e plotë të mallrave “Made in Macedonia”./Indeksonline/