Kurum nën dyshim për pastrim parash me skrapin
Kompania Kurum nuk ka bërë ende asnjë deklaratë për shtyp për këtë çështje dhe nuk i është përgjigjur interesit të medies për këtë skandal
Kompania turke Kurum International duhet të shprehet për sasinë e skrapit të kontraktuar dhe sasinë reale të skrapit që po merr nga Uzinat e Fierit, përmes kompanisë nënkontraktore Sancinelli& Elite shpk, pas dyshimeve të hedhura në shtyp mbi mundësinë e pastrimit të pareve dhe fitimeve të paligjshme në favor të palës së tretë. Sipas kontratës së lidhur mes Kurum International dhe Uzinës së Azotikut bëhet fjalë për sasira modeste skrapi që shkojnë gjithsej në sasinë 1.4 mijë tonë dhe në një vlerë lekësh që shkon në afërsisht 200.000 mijë euro, ndërsa sasia reale e skrapit që po niset nga Fieri drejt Metalurgjikut është shumë herë më e madhe se kaq. Autoritetet policore në Fier, por dhe subjekte të tjera investigimi kanë prova që tregojnë se kontrata po shërben vetëm si justifikim për një grabitje masive të sasive të skrapit në gjithë Uzinën e Azotikut dhe Uresë në Fier. Inventari i saj real është shumë më i madh.
Kompania Kurum nuk ka bërë ende asnjë deklaratë për shtyp për këtë çështje dhe nuk i është përgjigjur interesit të medies për këtë skandal.
Kontrata mes Kurum International dhe Uzinës së Azotikut parasheh marrjen e 1.407 ton skrapi të llojeve të ndryshme me një vlerë totale lekësh 24.669.107 lek, një shifër kjo modeste dhe jashtë realitetit në të cilin po zhvillohet ky biznes.
Nga ana tjetër kontrata mes Kurum International dhe Sancinelli& Elite shpk, shoqërisë ndërmjetëse që po bën demolimin e skrapit, është shumë e thatë dhe përcakton vetëm çmimin 5 lek për kg për demolimin si kushtet e transportit.
Edhe pse hetimet po vazhdojnë, pikë kyçe në lejimin e zhvillimit të kësaj kontrabande mbetet kompania Kurum, pasi vetëm ajo mund të lejojë faturimet modeste dhe realisht të pranojë sasi të tjera të mëdha kundrejt pagesës për sipërmarrësit.
Hetimet tregojnë se kompania Kurum International ka konkurruar formalisht në një tender të paracaktuar, ku kompania Sancinelli& Elite shpk, ka qenë po ashtu pjesëmarrëse në tender formalisht për të siguruar kompanitë e nevojshme të garës formale dhe më pas ka përfituar kontratën e ndërmjetme.
Në këtë pikë dyshimet për lidhjen reale mes Kurum International dhe Sancinelli& Elite shpk janë shumë më të mëdha. Sancinelli& Elite shpk, është një kompani e krijuar për këtë biznes, me njerëz të afërt të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta në Durrës, të cilët janë nën kontrollin e Leonard Kokës, që siç shihet dhe nga dokumentacioni është personi lidhës me autoritetet.

Kontrata e Kurum per sasite e skrapit

Kontrata mes Kurum dhe firmes Sancinelli, me te cilen 'garoi' per tenderin e skrapit