E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush do të influencojë?

Si shqiptarë na intereson përgjigja e pyetjes: Kush do ta influencojë politikën e ardhshme të jashtme të SH.B.A-së? Disa nga këshilltarët kryesorë të Obamës në politikën e jashtme janë, Zbigniew Brzezinski, Anthony Lake, Susan Rice dhe Robert O. Malley.

Dy nga këta (Brzezinski dhe Lake), kanë qenë këshilltarë të sigurisë së jashtme gjatë presidencës së Clinton-it. Michael McFaul-i, profesor i universitetit të Stanfordit, një nga kritikët më të mëdhenj të mungesës së demokracisë në Rusi, është gjithashtu anëtar i grupit të këshilltarëve të Obamës. Ndonëse ka spekullime që Obama mund të jetë i butë (soft) në politikën e tij ndaj Rusisë dhe sidomos udhëheqësit faktik të saj, Putinit, fakti që ka një këshilltar si McFaul-i, si dhe një kandidat për zv.president, si Joe Biden (njohës i sprovuar i politikës së jashtme), japin garanci minimalisht për ruajtje të kursit të deritanishëm në politikën e jashtme. Biden është gjithashtu një garanci për vijimësisë në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sidomos faktorit shqiptar në të, duke ruajtuar vendosmërinë e administratës Bush (apo edhe Clinton përpara tij) në lidhje me Kosovën.

Po këshilltarët kryesorë të McCain-it në politikën e jashtme? Randall J. Scheunemann-i, një lobist i vjetër i Uashingtonit që ka drejtuar Komitetin për Çlirimin e Irakut, është koordinatori i skuadrës së këshilltarëve të jashtëm të kandidatit republikan. Emra të tjerë të grupit të këshilltarëve janë, Henry Kisinger, Uilliam Kristol apo Robert Kagan, një miks i çuditshëm ky, po të kihet parasysh se kanë ndryshime ideologjike thelbësore. (Kisinger-i apo Ricard Armitrage (një tjetër antar i grupit të këshilltarëve), i përkasin shkollës realiste dhe neo-realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kristol dhe Kagan nga ana tjetër janë ndër emrat më të shquar të neo-konservatizmit).

Realistët njihen kryesisht për vënien e theksit te ‘balanca e fuqisë’ (balance of power), ku në mungesë të një hegjemoni, shtetet e tjera ndërtojnë koalicione barazpeshuese. Politikën amerikane e kufizojnë në sferat e interesit amerikan. Pra, përfshirja amerikane në një konflikt apo situatë të caktuar, të jetë në proporcion me interesin që e justifikon këtë përfshirje.

Ndërsa, neo-konservatorët udhëhiqen më tepër nga principet idealiste, si ato të përhapjes së demokracisë (spread of democracy) edhe në vende ku, tradicionalisht, kuptimi i demokracisë ka një konceptim krejt tjetër nga ai Western. Disa nga neo-konservatorët më prominentë, (të tillë si Paul Volfovitz, ish-zv.sekretari i Mbrojtes dhe ish-kreu i Bankës Botërore), njihen si ndër arkitektët e sulmit në Irak për përmbysjen e regjimit diktatorial të Sadamit.

Kjo është një mënyrë mjaft e sintetizuar e filozofisë përkatëse të këtyre dy rrymave dominante, por e rëndësishme të nënvizohet është se, presidenca e McCain-it dhe Sarah Palin (në rast se do kenë mundësi të zgjidhen), do të ketë mjaft ngjashmëri me kursin e Presidentit Bush. Luhatjet që u vunë re në administratën e Bushit, nga konsiderimet real-politike të fillimit, drejt prirjes idealiste (ku theksi vihet te roli specifik dhe paksa misionar i SH.B.A-së në një botë të kërcënuar nga fenomene si terrorizmi, autoritazmi, sfida mjedisore etj) - me shumë gjasa do reflektohen edhe në politikën e jashtme të administratës së re, në rast se kandidati republikan fiton. Kjo bindje forcohet nëse bazohemi në përbërjen e stafit të këshilltarëve të tij të jashtëm që, siç e theksuam, duket si një përbërje hibride.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›