Shfletuesit e ideve
Ja një provë që e sjellin ndonjëherë në të mirë të tezës se, shkëmbimi i informacionit, në vetvete, është pasurim: kur unë kam një kokërr mollë dhe ti ke një kokërr mollë, po t’i shkëmbejmë, përsëri mbetemi me nga një kokërr mollë secili; përkundrazi, kur unë kam një ide dhe ti ke një ide, po t’i shkëmbejmë dalim me nga dy ide secili.
Ka diçka elegante dhe ngacmuese, madje pothuajse matematike, në këtë shumëzim idesh nëpërmjet komunikimit – edhe pse njeriu, për nga natyra, dëshiron t’i rrethojë zotërimet e veta me gardh. Nga ana tjetër, askush nuk mund të jetë i sigurt se një ide e vetja nuk do të përfundojë e shndërruar në karikaturë ose në idhull, në mendjen e tjetrit.
Megjithatë, në epokën e tashme, të paktën për Perëndimin, kokëçarje nuk është aq shkëmbimi i ideve, sesa filtrimi i tyre përzgjedhës; meqë zotësia e dikujt nuk matet më me çfarë informacioni zotëron, por me çfarë informacioni mund t’ia lejojë vetes që ta mbajë jashtë komunikimit. Sikur të mos mjaftonin universitetet, bibliotekat dhe përdorshmëria pothuajse totale e librit dhe e imazhit, Interneti e ka shndërruar informacionin në një treg jashtëzakonisht publik dhe të pakontrollueshëm, ku të gjithë duan të ofrojnë, sipas rastit, fruta ose ide.
Kush kuturiset për herë të parë në linjë dhe fillon të shfletojë, e ndien veten sikur është rrethuar papritur nga sende të gjetura; objekte të vyera por pa zot, si në ëndrrat e begatisë. Ndjenja i ngjason disi mrekullimit me natyrën në pyllin vjeshtak, ose përballë një perëndimi shumëngjyrësh: përshtypja mbetet deri në fund jona intime dhe vetjake, por pyllin ose perëndimin nuk e përvetësojmë dot, as ua heqim dot të tjerëve nga sytë.
Një mënyrë për ta privatizuar përvojën në mjedise të tilla të papronësueshme, do të ishte heshtja; nëse unë zbuloj një kthinë të fshehtë, por magjepsëse në park, nuk ia them kujt me shpresë se do të më lënë ta shijoj vetë për ca kohë; ka turistë që kuturisen në fund të dynjasë, për të sjellë pastaj në tryeza të përshtypjeve emra vendesh të pashqiptueshme; madje edhe në qytetin ku ke lindur dhe je rritur, gjenden disa rrugëza të fjetura, ose rrënoja, ose kroje të vjetra që beson se të përkasin, njëlloj si edhe makina që nget, kompjuteri ose telefoni celular.
Po a mund të përdoret sekreti si teknikë përvetësimi?
Zemra e Internetit janë motorët e kërkimit: Google, Yahoo, AOL; duke huazuar një term nga Kanti, do t’i quaja kushte të perceptimit në erën e informacionit numerik. Historia e mësipërme e mollëve dhe e ideve, tashmë duhet ritreguar kështu: unë kam një adresë, dhe ti ke një adresë – po t’i shkëmbejmë…
Lexoja këto ditë një artikull për ekonominë e Islandës; në këtë ishull të shpyllëzuar prej kohësh, banorët i kanë pasë ngritur shtëpitë me driftwood, ose dru shkulur stuhive kushedi ku, që nxirrnin zvarrë brigjeve rrymat oqeanike. Edhe Interneti ashtu po na ndih të gjithëve t’i ngremë shtëpitë e mendjes, madje pallatet, me driftwood.
Krejt filozofia e gjetjes së diçkaje që pret të pronësohet prej teje, si monedhë në trotuar ose revistë erotike në sediljen e trenit, i kundërvihet idesë se burimi i vetëm legjitim i mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore, janë puna dhe përkushtimi. E veçanta e gjetjes lidhet drejtpërdrejt me të papriturën – meqë fati, edhe kur parashikohet, nuk mund të planëzohet.
Për këtë arsye, në epokën e sotme, të sunduar nga përftimi, shpërndarja, kontrolli dhe filtrimi i informacionit, elitat synojnë të shtien në dorë sistemet lexuese të koordinatave, ose, për ta thënë me një metaforë pothuajse romantike, hartat e thesareve të fshehura.
Këtu nuk e kam fjalën aq për të lajthiturit që shkojnë e hedhin në erë ura të vjetra anembanë Arbërisë, për të gjetur thesaret e fshehura në këmbët; as për ata të tjerët, që u falen zotave të probabilitetit në Las Vegas – por më tepër për shtysën, madje tundimin e papërballueshëm, për ta futur në xhep zarin e vogël prej qelqi farfuritës që kemi gjetur rastësisht në bar të lulishtes përbri; pa e ditur se ç’do të bëjmë me të, as ku do ta fshehim prej syve të botës.
Deri edhe 15-20 vite më parë, në Tiranë, informacioni shkencor kontrollohej brutalisht nëpërmjet censurës dhe mundësia për të shfletuar një revistë ose libër të huaj, shpesh, luante rol vendimtar për suksesin, gradën shkencore dhe ngritjen në karrierë, udhëtimin jashtë shtetit, dekorimin me tituj të lartë gjithfarësh.
Në bibliotekat madhore, librave më të rëndësishëm shpesh u mungonin faqe, grisur mjeshtërisht nga duar të shkathëta; të tjerë tituj nuk gjendeshin më në fondet, sepse prej kohësh ishin përgjumur në raftet private të studiove të patriarkëve akademikë. Edhe atëherë fitimtarë dilnin ata që zotëronin, jo vetëm hartën e thesarit, por edhe autorizimin për ta mbajtur atë hartë sekret. Dija e mohuar, e ngujuar në “rezervatet”, e izoluar nga lexuesi i pambrojtur, e lyer me bojë anti-ndryshku, e groposur në beton si viktimat e Mafias, e denoncuar si e panevojshme, madje e dëmshme, do t’i rikthehej rrallë e tek publikut në trajta të mençurisë kombëtare, çmimeve të Republikës, privilegjeve modeste por ngushëlluese të titanëve tanë të intelektit.
Ndryshe nga ç’kishte ndodhur dikur në Islandën e largët, në Shqipëri vetëm një aristokraci e informacionit kishte të drejtë t’i ndërtonte pallatet e pushtetit, të dijes dhe të lavdisë me driftwood.
Po sot? Ç’revolucion e ç’përmbysje ka sjellë hapja e dyerve dhe e kanateve, qarkullimi i lirë i ideve, veprave letrare dhe artistike dhe i vetë njerëzve, shkollimi i të rinjve në universitetet më të mira të Perëndimit, debutimi i mendimit shqip në Internet? Kemi filluar të shkëmbejmë për t’u pasuruar ndërsjellazi, apo veç po vazhdojmë të bëjmë plaçkë në fshehtësi, si të gjithë ata që kanë pasur sukses në kërkimet e tyre për thesare piratësh, e për të cilët nuk ka dëgjuar kush gjë ndonjëherë?
Informacioni, njëlloj si paraja, merr vlerë duke qarkulluar. Një shëtitje në pyll vërtet shijohet më mirë në qetësi, por pakkush do t’i bënte ballë tundimit për ta ndarë përvojën me të tjerët. Për shumë prej nesh, pjesë e pandashme e një udhëtimi në Vjenë, ose në Hong Kong, është edhe momenti kur do t’u tregojmë miqve e të afërmve çfarë kemi parë, çfarë kemi ndier, çfarë na ka pëlqyer, si kemi ëndërruar që edhe ata të kishin qenë aty me ne, sepse vetëm ashtu, nëpërmjet komunikimit, realizohet i plotë edhe qëllimi i udhëtimit të nisur si zhvendosje në gjeografi.
Interneti, madje edhe i parë e i përjetuar nëpërmjet filtrave të Google e të Yahoo, është hapësirë publike e ndryshme nga sheshi i qytetit, ose lulishtja, meqë aty hyperlink-u bën të mundur fluturimin sipas një përmase të re, praktikisht të katërt. Ti zë të kërkosh diçka për teorinë e kaosit, por i hipnotizuar nga motivet e krahëve të fluturave; ose e kundërta, nisesh si entomolog dhe bitisesh si meteorolog. Larmia e roleve, nëpër të cilat përshkohesh, qoftë edhe vetëm me përfytyrim, është marramendëse.
Ndonjëherë, magjia e shfletimit të Internetit, më sjell në mendje koncertin impromptu të Beatles-ve në çati të pallatit të Apple, afër Piccadilly Circus në Londër, më 30 janar 1969. Askush nuk kish ditur gjë për këtë koncert, aq më tepër që grupi, tashmë legjendar, i muzikës pop, për më shumë se tre vjet, nuk kishte dalë të luante muzikë për publikun. Kalimtarët e rastit në rrugët përreth ndërtesës në Savile Row, u bënë padashur dëshmitarë të një ngjarjeje, të cilën ndoshta do ta tregonin më pas me tone mallëngjyese, nostalgjike, ndoshta epike.
Përkundrazi, sikur ky koncert të ish lajmëruar, ndoshta krejt Londra do të ishte bllokuar, nga qindra mijëra në mos miliona fansë, që do të shkuleshin nga të katër anët, për të parë për së gjalli apostujt e kulturës pop të 1968-ës. Nga ana tjetër, të kishin dalë Beatles për të kënduar në një zonë të shkretë, p.sh. në Aspromonte, në Kalahari ose në Karaburun, thjesht për të kënaqur një tekë të tyren çfarëdo, ose për marketing, përvoja do të kish mbetur në kufi të privates, ose të mosekzistencës.
Në Internet, ndryshe nga ç’ndodh në atë pyllin primordial të aforizmës, gjithnjë ka njerëz që i dëgjojnë pemët kur shemben përdhe. Rastësia, si produkt i lirisë për të përzgjedhur, i ndihmon komunikimit, jo vetëm drejtpërdrejt duke ia ujitur rrënjët, por edhe tërthorazi, duke e ruajtur nga plaçkitësit, muruesit, groposësit dhe burgosësit profesionistë. Vetëm se edhe rastësia ka nevojë për gatishmërinë tonë për ta ndihmuar.