E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë ndryshon ligjin “Antimafia”

Draft të ri për pasuritë e krimit. Shtohen veprat penale dhe rrethi i të dyshuarve. Drejtoresha e Kodifikimit: “Deri tani ligji është keqinterpretuar”

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë ndryshon ligjin “Antimafia”. I miratuar në vitin 2004 duket se asnjë nga palët nuk e ka interpretuar ashtu siç duhet ligjin për sekuestrimin e pasurive të grupeve kriminale. Alarmi fillimisht ka ardhur nga Gjykata e Lartë, e cila ka vërejtur procedurën jo të saktë që po ndiqej në sekuestron e pronave. Më tej janë vënë në lëvizje instrumentet e duhura për të reformuar këtë paketë ligjore që, me sa duket, nuk u gatua ashtu siç duhej. Lajmi u konfirmua dje për gazetën “Albania” nga drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari. Sipas saj, shumë shpejt ndryshimet që do t'i bëhen ligjit të hartuar në vitin 2004 për "Parandalimin e krimit të organizuar" do të jenë drastike, pasi ligji në fuqi është deformuar gjatë praktikës ligjore, duke dalë jashtë funksionit të tij. "Ndryshimet e këtij ligji, të vitit 2004, që tashmë pothuajse ka dalë jashtë funksionit me një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, do të jenë drastike, pasi do të rregullohen të gjitha të metat dhe boshllëqet e ligjit ekzistues. Me ndryshimet e reja të këtij ligji, të gjithë shtetasit shqiptarë, qoftë të ndjekur ose jo penalisht, do t'i nënshtrohen verifikimit të pasurisë, ku, nëse individi apo shoqëria nuk e argumenton krijimin e asaj pasurie, ajo do t'i sekuestrohet dhe më pas konfiskohet”, -tha Xhaferllari.
Ndryshimet
Sipas drejtoreshës së Kodifikimit, me këto ndryshime nuk do t'u nënshtrohen verifikimit të pasurisë vetëm personat që kanë kryer një vepër të rëndë penale, por të gjitha ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre. Më tej ajo shpjegoi se kjo procedurë e verifikimit të pasurisë do të ndiqet nga një seksion i posaçëm pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Do të jetë kjo e fundit që do të përballet me individin apo shoqërinë në gjykatë gjatë kërkesës për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë. Gjithashtu, sipas Xhaferllarit, këtij ligji do t'u shtohen edhe disa vepra të tjera penale, përveç atyre të trafikut të drogës, që janë në fuqi tashmë. "Në ndryshimet e reja të këtij ligji do të përfshihen edhe disa vepra të tjera penale, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në ligjin e 2004-s, si vepra penale e ‘korrupsionit pasiv’ ajo e ‘korrupsionit aktiv’ të zyrtarëve, akuza e ‘pastrimit të parave’ etj., për të cilat do të përgjigjen para gjykatës të gjithë ata individë që hetohen apo dënohen për këto vepra penale. Në ndryshimet e reja do të përcaktohet qartë që çdo person i ndjekur penalisht për një vepër penale, si trafik i drogës, do t'i verifikohet e sekuestrohet pasuria e vënë jo vetëm që nga momenti i arrestimit e më pas, por edhe para fillimit të ndjekjes së tij penale, nëse provohet që është vendosur në mënyrë të paligjshme", - tha Xhaferllari. Përveç këtyre ndryshimeve, në draftin e ri pritet të përcaktohen edhe kompetencat lëndore të gjykimit të këtyre çështjeve për sekuestrim e konfiskim të pasurisë, duke përcaktuar qartë edhe nga sa gjyqtarë duhet gjykuar një dosje sekuestrimi apo konfiskimi.
Vendimi
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori vetëm pak kohë më parë një vendim unifikues, me të cilin kthen çështjen në gjykim në shkallë të parë duke ndryshuar një nga pikat kyçe të interpretimit të ligjit dhe një vendim tjetër me të cilin prish vendimet e mëparshme të Apelit dhe të Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Praktikisht, jo vetëm sipas pretendimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda duket sikur ligji ekzistues tashmë është “jashtë përdorimit”. Kjo është arsyeja pse ndryshimet janë të menjëhershme. Gjithsesi, legjislacioni në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në atë të konfiskimit të aseteve kriminale, pret të përfshihet në një ndryshim thelbësor. Me sa duket, specialistët tanë kanë si qëllim forcimin e ligjit aktual dhe përshtatjen e metodave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar.

Fenomeni
Prej kohësh evidentimi i pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal i një personi apo i një grupi individësh ishte kthyer në një tabu për policinë, prokurorinë dhe gjykatat, duke e bërë thuajse të paevidentueshëm një tjetër lloj krimi, atë ekonomik. Por, drejtoresha e Kodifikimit, Xhafellari, thotë se grupet e interesit në këtë fushë kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.
Po sipas saj, drafti i ri do të shqyrtohet nga kabineti i ri qeveritar për të kaluar më pas procedurat e tjera deri kur të marrë formën e prerë.

Rreziku
Me draftin e ri, të gjithëve mund t’u rrezikohet pasuria, pavarësisht nëse ndaj personit ka filluar ose jo një proces penal. Deri tani, institucioni i akuzës, pas nisjes së procesit penal, merrej dhe me sekuestrimin e pasurive. Deri tani ia ka arritur që të sekuestrojë pasuritë e disa grupeve kriminale. Mirëpo, sipas gjykimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të tilla raste duhet të jetë shteti ai që duhet të provojë se këto pasuri kanë ardhur si pasojë e aktiviteteve të paligjshme.

Të rejat që do të sjellë drafti për sekuestrimin e pasurive

Pasuria mund të sekuestrohet pavarësisht se ndaj personit nuk është hapur asnjë proces penal

Do të rritet numri i veprave penale që do të shoqërohen me sekuestrime pasurie

Tani i takon individit të mbajë barrën e pronës për t’i vërtetuar shtetit burimin e të ardhurave

Do të përcaktohet destinimi i pasurive të konfiskuara për llogari të shtetit shqiptar

Do të përcaktohet njëherë e mirë se cila gjykatë do të ketë kompetencë për të gjykuar sekuestrimet

Do të përcaktohet numri i gjyqtarëve që duhet të marrin pjesë për të shqyrtuar një kërkesë për sekuestrim pasurie

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›