Kush do të merret me konservimin muzeal
Kreu i Laboratorit të Konservimit ngre shqetësimin për mosllogaritjen nga ana e autoriteteve të albanologjisë dhe të etnokulturës, e specialistëve të rinj
Trashëgimia e objekteve me vlera historike dhe kulturore është një proces delikat, e me një teknologji të komplikuar. Dikur, një shekull e ca më parë, e gjithë bota nuk dinte gjë për ecurinë e trashëgimisë në muzeume. E gjithë puna ishte përqendruar në inventarizimin e objekteve dhe ekspozimin e tyre.
Por ja që andej nga mesi i shek XIX, e pikërisht në Londër, u vu re prishja e lidhjeve prej lëkure e vëllimeve të Athenaeum Club. Faradei u mor me studimin e fenomenit. Ai ia vuri fajin gazit që kishte filluar të përdorej për ndriçim. Nga djegia e tij formohej anhidriti sulfuror, (të gjithë ata që e kanë përfunduar shkollën e mesme e dinë se çfarë është), i cili oksidohej në anhidrit sulfurik dhe ky në lidhje me ujin që ndodhet në atmosferë, kthehej në acid sulfurik, i cili kishte shkaktuar prishjen e lidhjeve prej lëkure.
E kishte gjetur tamam. Që nga ajo kohë filloi restaurimi, apo konservimi shkencor, i cili me kohë u përpunua, deri sa sot përdoren metodat më të fundit të fizikës bërthamore për të analizuar objektet përpara ndërhyrjeve, por edhe metoda të shkencave të tjera, e deri në një kimi të komplikuar në trajtimin konservues, rrezet LASSER etj. E gjithë kjo punë i është besuar kimisë. Për arsye të kompleksitetit të teknikave, koncepteve shkencore etj., sot, apo prej kohe, në fushën e trajtimit restaurues e konservues të objekteve muzealë, nuk punojnë më mjeshtër, por shkencëtarët e konservimit, duke i dhënë fund diletantizmit. Në Shqipëri kjo nuk është kuptuar fare. Pasojat janë të dukshme dhe të dhimbshme në muzeumet e Shqipërisë.
Si përgatitet kuadri që punon në këtë fushë? Po i referohemi eksperiencës së Evropës. Ka dy rrugë:
E para, përzgjidhen kuadro që kanë përfunduar universitetin në fushën e kimisë. Përzgjedhja nënkupton jo vetëm rezultatet universitare, apo edhe më mirë kualifikimet pasuniversitare. Një përzgjedhje kyçe është ana psikologjike e kandidatit dhe qetësia nervore. Sepse, qofsh, jo doktor në shkencë, por edhe profesor dhe po nuk e përtype dot këtë punë nga ana psikologjike dhe nervore, nuk e bën dot. Pastaj, këta kandidatë të përzgjedhur, i nënshtrohen një kualifikimi të dytë, pasuniversitar, që zgjat dy-tre vjet, ku plotësohen dijet me shkencën e konservimit dhe teknikat laboratorike. Mbas kësaj, edhe një vit punë konkrete nën kujdesin e një specialisti me përvojë dhe vetëm pastaj mund të fillojë puna e pavarur.
E dyta, përgatitja universitare në degën e restaurimit që zgjat pesë-gjashtë vjet, e kjo që përpara sistemit të Bolonjës, në vartësi të fushës.
Deri më sot Shqipëria nuk ka as njërën dhe as tjetrën.
Nëse ata që janë përgjegjës për mbarësinë e ecurisë së punëve të shtetit do ta dinin se sa dokumente me rëndësi historike kombëtare dhe edhe botërore janë zhdukur, (edhe unë që punoj në këtë fushë nuk i di të gjitha), si pasojë e mospërgatitjes së kuadrit specialist dhe mungesës së kuadrove që punojnë në këtë fushë, në radhë të parë do të më ishin vërsulur mua, se përse nuk e kam bërë problem këtë çështje. Nuk është kështu: e kam bërë problem, por e thënë popullorçe, që të kuptohet më mirë, nuk ma ka varur njeri.
Kur specialistët e huaj panë gjendjen në Shqipëri, konstatuan menjëherë mungesën e specialistëve. Në disa biseda të lira janë shprehur se, për momentin, për Shqipërinë nuk është primare dhënia e parave për restaurim, se ato mund të jepen, por Shqipëria nuk ka specialistë për të kryer punën, e që të mos i çojnë paratë dëm.
Prandaj, edhe Evropa organizoi shkollën pasuniversitare të restaurimit, që zgjat dy vjet.
Në këtë shkollë, në ciklin e parë, u kualifikuan kuadro në fushën e arkitekturës dhe të artit.
Po si i bëhet puna për metalet, për tekstilet, për letrën, për drurin, për skulpturën, për qeramikën, për lëkurën, për qelqin? Kjo pyetje kërkon zgjidhje.
Aspekti tjetër i trashëgimisë lidhet me ruajtjen në fonde, (fondet janë tërësia e koleksioneve dhe magazinat ku ruhen objektet), në ekspozim dhe gjatë përdorimit. Edhe ky aspekt kërkon specialistë të përgatitur.
Që të realizohet konservimi muzeal, pra trashëgimia, duhet një bashkërendim i punës laboratorike dhe punës, si ta themi më mirë për ta kuptuar, jashtë laboratorit.
Ekspozimet mund të jenë shumë të bukura, me ndriçim etj., por ky ekspozim është shkatërrimtar për objektet. Kështu ndodhi me objektet etnografike prej tekstili në Ekspozitën e Kulturës Popullore në Tiranë. Ka edhe shumë raste të tjera. Duhet të dish se si ta marrësh një objekt, duhet të dish se cila është arsyeja që objektet kapen me doreza, e jo me duar. Duhet të dish se si palosen dhe transportohen objektet, çfarë drite duan dhe pasojat e moszbatimit të një sërë rregullash. Edhe kjo kërkon përgatitjen e vet, në kurse speciale apo shkolla arkivore, të cilat në Shqipëri nuk ekzistojnë.
Zgjidhja e kësaj çështjeje është urgjente. Problemi i trashëgimisë së objekteve të kulturës sonë sa po shkon dhe po rëndohet. Vitet e qëndrimit të objekteve në mëshirën e faktorëve shkatërrimtarë, po e rrisin ndjeshëm kohëzgjatjen e trajtimeve të objekteve, gjithnjë e më të sëmurë.
Një përpjekje që kemi bërë për të organizuar pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore një kualifikim në shkallë masteri në fushën e konservimit muzeal, po duket e pamundur për t'u realizuar. Askush nuk ka interes të ndjekë një kualifikim të tillë, sepse nuk gjen dot vend pune.
Shqipëria ka mbi 300.000 objekte muzealë. Për mbrojtjen e tyre, sot, në organikat e institucioneve të kulturës ka vetëm dy kimistë, kur do të duheshin mbi pesëdhjetë. Shto pastaj edhe arkivat, studimet arkeometrike dhe ky numër rritet edhe më shumë, duke u plotësuar edhe me fizikanë dhe me disa specialitete të tjera.
Me sa duket jemi shumë larg të kuptuarit të këtij problemi, në radhë të parë në institucionet e kulturës. Na duhen organika shumë më të fuqishme nga çfarë kemi sot, pra hapje të vendeve të reja të punës dhe paralelisht kualifikimi i personelit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duhet ta analizojë urgjentisht këtë çështje dhe të projektojë zgjidhjen.